E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Turi i Kryeministrit, një "dialog vetëm me gënjeshtra"

Socialistët sollën dje fakte për të provuar deklaratat se Kryeministri Berisha po realizon një tur gënjeshtrash në Shqipëri. Nënkryetari i grupit parlamentar Erion Braçe rreshtoi pesë gënjeshtrat e mëdha të kreut të qeverisë. "Berisha gënjen kur flet për rrugë të bëra, tani është tamam koha, kur duhet të kishin mbaruar autostradat Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Bypass-Fier, mbikalimi në Tiranë, si dhe duhet të ishte në prag të përfundimit Shkodër-Han i Hotit", theksoi Braçe. Ai këmbënguli në faktin se Berisha gënjen kur thotë se këto rrugë po bëhen me paratë e luftës kundër korrupsionit. "Pra, Berisha, gënjen për infrastrukturën e rrugëve kombëtare, veçanërisht për pjesën e financimit, ai po mburret se po ndërton rrugë me borxhe, që do t‘i paguajnë shqiptarët, si ai që lind sot, por edhe ai që është 80 apo 90 vjeç", nënvizoi Braçe. Numri dy i deputetëve socialistë vlerëson se Berisha gënjen kur thotë se ka 420 milionë dollarë për rrugë rurale. "Tani është tamam koha që ai të na tregojë 4500 km rrugë të asfaltuara.

Ai gënjen kur thotë se do të bëjë për 1 vit këtë që i ka mbetur, 1500 km rrugë rurale, sepse në buxhet, edhe atë të borxheve nuk ka 420 milionë dollarë për këtë qëllim, madje, as marrëveshje apo borxhe të marra veç njërit 12.7 SDR ose 7.2 milionë euro nga Banka Botërore", sqaroi Braçe. Gënjeshtra e tretë që rreshtojnë socialistët ka të bëjë me investimet e këtij viti. Braçe argumentoi se Kryeministri gënjen kur thotë se po punon, sepse shifrat e 4 mujorit tregojnë të kundërtën. "Investimet kapitale 5.18% e vjetorit, si 4-mujor, 31.4% ose 11.9 miliardë. Investimet e huaja 2.25% e vjetorit, si 4-mujor 14.6% ose 9.1 miliardë", nënvizoi Braçe. Argumenti i katërt është premtimi për të bërë pensionin minimal 100 dollarë dhe më shumë se kaq. "Pikërisht, loja me kursin e bën edhe më spekulant, sepse sot janë mbi 100 mijë pensionistë në qytet dhe fshat, që nuk e marrin këtë pension, pra marrin më pak", tha Braçe. Ai shtoi se Berisha gënjen kur thotë se në fund të mandatit, ai do të ketë të mbajtura premtimet për dyfishimin e pensioneve të vogla. "Sepse ai nuk ka premtuar këtë, por dyfishimin të pensioneve, ndërsa tani për më shumë se 60% të pensionistëve, pensionet nuk janë rritur as 22%", mendon Braçe. Dhe kjo, sipas tij, nuk është rritje reale, po të kesh parasysh rritjen e tmerrshme të çmimeve. Socialistët këmbëngulin se premtimi i Kryeministrit për kompensim qindarkë për qindarkë, për krizën e çmimeve ishte flluskë sapuni. Braçe sqaroi se në buxhet nuk ka para për ta paguar, madje, në buxhet nuk ka asnjë plan për këtë faturë. "Madje, qysh para korrikut që shkoi, nuk është paguar asnjë qindarkë për kompensimin e çmimeve", tha ai. Sipas selisë rozë, kreu i qeverisë nuk ishte i sinqertë teksa tha se ka para të bollshme në buxhet për kompensim. "Sepse në buxhet, deri tani, ka vetëm 35 milionë dollarë tepër, që ua ka marrë shqiptarëve nga pagat e tyre në shtet apo privat", u shpreh ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›