E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë, LSI-ja "sulmon" Bashkinë e Tiranës

Bashkia e Tiranës ishte dje sërish objekt i kritikave për drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zëdhënësi i grupit të këshilltarëve në këshillin bashkiak kryeqytetas, Petrit Vargu, ngriti shqetësimin e shërbimit të taksive. Sipas tij, Tirana këto ditë po përjeton një protestë të re, të 500 taksistëve të licencuar, duke bërë që ky shërbim i rëndësishëm publik të mos t‘i ofrohet qytetarëve të saj. "Shkak i kësaj greve është situata tepër e rëndë në të cilën ndodhet ky shërbim si rezultat i mosreagimit nga ana e Bashkisë së Tiranës ndaj kërkesave të të drejtave që ka paraqitur Sindikata e Punonjësve të Transportit të Tiranës", u shpreh Vargu. Ai shtoi se situatën e ka rënduar gjithashtu edhe vendimi i datës 25 prill 2008 i Ministrisë së Transporteve, i cili liberalizon shërbimin e taksive. Ai kërkoi realizimin sa më parë të një studimi, ku të dalë qartë numri i nevojshëm i taksive që i nevojitet kryeqytetit. Propozohet heqja sa më parë nga qarkullimi i të gjitha mjeteve të palicencuara të shërbimit taksist. Ashtu sikurse vendosja e sinjalistikës në vendqëndrimet e taksive jo vetëm në qendër, por në të gjithë Tiranën. "Vendosjen e detyrueshme të taksimetrave në të gjitha taksitë, pasi abuzohet me çmimet e shërbimit", tha Vargu. Duke dhënë idenë e realizimit të një shpërndarjeje të drejtë gjatë 24 orëve të shërbimit të taksive në përputhje me kërkesat e popullsisë për lëvizje. LSI-ja kërkon përcaktimin e drejtë të kritereve për cilësinë e automjeteve që ofrojnë shërbimin. Këshilltarët bashkiakë të Tiranës, përfaqësues të Lëvizjes për Integrim, vënë re me shqetësim se niveli i shërbimeve publike të ofruara nga Bashkia e Tiranës po pëson rënie të vazhdueshme. Ata kërkojnë me forcë që drejtuesit e bashkisë të angazhohen seriozisht në krijimin e standardeve normale të këtyre shërbimeve për qytetarët, dhe jo të zbatojnë verbërisht çdo propozim që vjen nga PD-ja si të ishte "urdhëresë e Moisiut".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›