Opozita: Privatizimi i OSSH-së, jo transparent
Debate në Kuvend për procedurat e përshpejtuara të privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë
TIRANË- Përfaqësuesit e opozitës e quajtën jo transparente procedurën që është ndjekur nga qeveria për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Shqyrtimi i kontratës së privatizimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, u shoqërua dje me debate nga përfaqësuesit e opozitës.
Anëtarja e opozitës në komision, Ermelinda Meksi, e konsideroi të pakuptueshme mënyrën se si kjo kontratë kalon në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që privatizime të tilla kërkojnë një shqyrtim të hollësishëm të të dhënave.
"Nuk jam kundër këtij privatizimi, por më duket e paarsyeshme se si kjo kalohet me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, aq më shumë para një fushate elektorale, ndërkohë që privatizime të tilla strategjike, duhet që të shqyrtohen në mënyrë më të hollësishme", - tha ajo.
Shqetësim tjetër i anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë, ishte shuma që CEZ-i duhet të paguajë për privatizimin e OSSH-së deri në përfundim të këtij procesi. Që nga zhvillimi i tenderit, ku OSSH-ja u ble kundrejt një shume 102 milionë euro, deri në përfundim të privatizimit, kalon një kohë afërsisht 2-vjeçare dhe mundet që brenda kësaj periudhe të ndodhin ndryshime në treguesit e aseteve fizike të kësaj të fundit, duke ndikuar në rritjen apo uljen e vlerës reale të kompanisë.
Në lidhje me këtë, këshilltari juridik pranë Ministrisë së Ekonomisë, Alfred Rushaj, shpjegoi se, shuma që do të paguajë CEZ-i, është 102 milionë euro, dhe nëse vërehet një ndryshim në treguesit e OSSH-së, palët, në rastin konkret, qeveria shqiptare dhe CEZ-i, do të kompensojnë njëra-tjetrën.
Pra, nëse ka përmirësim të treguesve të OSSH-së, CEZ-i do të paguajë 102 milionë euro plus vlerën e këtij treguesi. Nëse ka rënie të vlerës së saj, kjo e fundit do të paguajë 102 milionë euro minus humbjet.