Skema për rritjen e çmimit të energjisë
Niveli i tarifave të reja të energjisë për vitin 2010, do të varet nga çmimet e tregut ndërkombëtar
Përfaqësues të Bankës Botërore thonë se, energjia, nga viti i ardhshëm, mund të rritet nga 8 deri në 15%
TIRANË- Banka Botërore zbardh skenarët e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët, gjatë vitit të ardhshëm. Përfaqësuesi i saj, Demetrios Papathanasiou, tha dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, se në 2010-ën do të ketë një rritje të çmimit për këtë mall, ndërsa masa e rritjes do të bëhet në varësi të tarifave që ajo do të blihet në tregun ndërkombëtar.
Sipas përfaqësuesit të BB-së, nëse çmimi i energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, gjatë vitit të ardhshëm, do të qëndrojë në kuotat që ai shitet sot, atëherë për konsumatorin shqiptar do të ketë një rritje 8 deri në 9 për qind.
Papathanasiou, gjithashtu, theksoi se, një shtrenjtim i mundshëm i energjisë në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2010, do të pasqyrohej më një rritje nga 10 deri në 15 për qind për konsumatorin shqiptar.
"Tarifat e energjisë për konsumatorët do të jenë në varësi të çmimit që ajo blihet në tregun ndërkombëtar dhe Shqipëria është pjesë e këtij tregu. Nëse do të kemi çmime si ato të këtij viti, parashikohet një rritje me 8 deri 9 për qind.
Nëse çmimi i energjisë shkon në nivelet që është shitur gjatë vitit 2008, atëherë parashikohet që rritja të jetë nga 10 deri në 15 për qind ", - tha Papathanasiou.
Sipas ekspertëve, muajt e parë të vitit 2009, janë karakterizuar nga një regjim çmimesh të ulëta për energjinë elektrike në rajon, pasi kriza ekonomike ka ulur kërkesën nga industritë e ndryshme për këtë produkt.
Konsumatorët familjarë
Gjatë muajve të parë të vitit 2009, çmimi më i ulët i energjisë elektrike që një kompani importuese ka ofruar për Shqipërinë, ka qenë 49 euro për MW/h, ose deri në 41 euro më lirë sesa është ofruar gjatë vitit 2008, ku çmimet e ofruara nga kompanitë arrinin deri në 100 euro për megavat/orë.
Referuar të dhënave që dha përfaqësuesi i Bankës Botërore, në rast se regjimi i çmimeve në tregun rajonal për vitin 2009, vazhdon të ndiqet edhe gjatë vitit 2010, atëherë një konsumator familjar, i cili ka konsumuar nën 300 kilovat, nuk do të paguajë më 7 lekë, por 7.6 lekë për kilovat.
Ndërsa një konsumator familjar që ka harxhuar mbi 300 kilovat, nuk do të paguajë më 12 lek por 13.8 lekë për çdo kilovat të konsumuar. Në skenarin më të keq, nëse çmimi i blerjes së energjisë arrin nivelet e vitit 2008, ku çmimi më i ulët i importit ka qenë 63.5 euro për MW/h, konsumatorët familjarë do të paguajnë nga 8 deri në 13.8 lekë për kilovat orë, pa TVSH.
Bizneset
Aktualisht, bizneset paguajnë tarifa të ndryshme energjie, në varësi të nivelit të tensionit dhe periudhës pik. Bizneset paguajnë tarifa që variojnë nga 5.2 lekë deri në 12 lekë dhe çmimi mesatar është 8.71 lekë për kilovat/orë. Me rritjen e çmimeve që do të aplikohet vitin e ardhshëm, çmimi mesatar për kilovat/orë parashikohet të arrijë deri në 10 lekë.