E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita etnike në Turqi synon të ngrejë "parlamentin e Kurdistanit"

13-07-2011 / Southeast European Times

Partia Paqe dhe Demokraci (BDP) mbajti takimin e parë të grupit të vet parlamentar javën e shkuar në Dijarbakir, qyteti kryesor i rajonit me mbizotërim kurd dhe sfidoi qeverinë të lëshojë anëtarë e vet të burgosur dhe të bëjë ndryshime të mëdha ndaj të drejtave kurde në kushtetutë. Po të mos tërhiqet qeveria nga qëndrimi i saj, grupi parlamentar i BDP thotë se do të mblidhet në Dijarbakir çdo javë dhe do të vazhdojë të bëjë politikë nën ombrellën e një Mexhlisi (parlamenti) të Kurdistanit. Deputeti i BDP Sirri Sakik përshkruan perspektivën e parlamentit alternativ për SETimes. "Ne u kemi premtuar votuesve tanë [kurdë] të ngremë zërin e tyre në parlamentin demokratik në Ankara por në fakt, qeveria e prishi këtë proces që nga fillimi," thotë ai, duke shtuar se tani të gjithë kërkuesit e demokracisë në Turqi, duke përfshirë kurdët, kanë nevojë më shumë se kurrë për parlamentin e tyre lokal. "Ne e quajtëm projektin e Mexhlisit tonë një projekt tërësor turk... Nga Trabzon në Dijarbakir, nga perëndimi në lindje, populli ynë duhet të shijojë demokracinë që nis në mexhlisin e tyre dhe Mexhlisi i Kurdistanit do të jetë projekti i parë pilot i tij," shtoi ai. Qëllimi kryesor i projektit është të shpërndajë pushtetin nga Ankaraja në rajonet, tha ai. Majkëll Gunter, një profesor i shkencave politike në Universitetin Teknologjik të Tenesit dhe autor i nëntë librave rreth kurdëve, analizoi situatën për SETimes. "Unë besoj se ideja e parlamentit kurd po ngrihet thjeshtë për të inkurajuar autoritetet turke të vendosin në favor të futjes së Hatip Dikle në parlamentin turk," thotë ai, duke ju referuar një prej kandidatëve të ndaluar të BDP. "Çdo parlament i Kurdistanit do të duhej të miratohej nga një kushtetutë e re kurde që do të duhej të ngrinte një federalizëm të fortë". Me fjalë të tjera, thotë ai, ideja e parlamentit të Kurdistanit në këtë stad nuk është realiste por ilustron se sa serioze është për BDP dhe përkrahësit e saj çështja e vendosjes së Dikle në parlamentin turk. Paul Kubiçek, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Oklendit dhe ekspert në politikat turke, thotë se mundësia e një parlamenti "alternativ" kurd është "shumë alarmuese dhe destabilizuese". "Pavarësisht se dikush mendon se BDP ka një legjitimitet në bojkotimin e parlamentit të ri, që deputetët kurdë të marrin këtë hap, i cili do të shihet qartë si separatist në orientim, ai është tepër provokativ dhe ngre rreziqet për situatën," i tha ai SETimes. Në Ankara, autoritetet janë xhindosur nga ideja e Mexhlisit të Kurdistanit dhe përjashtojnë çdo mundësi të tillë. "Ne nuk do të lejojmë askënd të ndërmarrë të tilla hapa që kanë për qëllim shkatërrimin e sistemit administrativ të Turqisë," thotë Husejn Tanriverdi, nënsekretar i përgjithshëm i AKP për administratën lokale. "Mexhlisi i Kurdistanit apo ndonjë parlament tjetër separatist i ngjashëm me të nuk është i pranueshëm për popullin tonë," i tha ai SETimes. "Në çdo qytet turk ku jetojnë kurdët, ka gjithashtu turq dhe anasjelltas," arsyetoi ai. "Diskriminimi i sistemit qeverisës është i papranueshëm në Turqi". Ndërkohë, ish deputeti i AKP nga Dijarbakir Abdurraham Kurt, sheh logjikë në propozimin e mexhlisit lokal. "Si administrata lokale dhe parlamernti janë të rëndësishëm për rajonet turke si dhe për Dijarbakir, por ajo nuk duhet pushtuar me problemin kurd apo nuk mund të quhet një Mexhlis i Kurdistanit," i tha ai SETimes. "Parlementet lokale duhet të merreshin me çështjet lokale," thotë ai, ndërsa politikat kombëtare duhet të bëhen në Ankara.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›