E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti do jetë gati për vitin e ardhshëm, në 100 vjetorin e pavarësisë

13-07-2011 / Gazeta 55

Komisioni i Ligjeve miraton bazën ligjore për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me votat e mazhorancës projektligjin për ndërtimin e kompleksit parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, propozuar nga 38 deputetet të Partisë Demokratike. Në këtë mënyrë komisioni parlamentar i ligjeve i ka dhënë fund fazës së dytë të ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar, pas përfundimit të konkursit parlamentar për modelin e parlamentit miratohet dhe baza ligjore,sipas asaj që deputetët kanë propozuar në nismën e tyre. Ajo çka garanton një prej tyre është se ecja me këtë ritëm e bën plotësisht të mundur ndërtimin e parlamentit vitin e ardhshëm në përvjetorin e 100 të themelimit të shtetit shqiptar. Deputeti i partisë Demokratike, si dhe anëtari i komisionit të ligjeve, Enkelejd Alibeaj u shpreh se ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar brenda afatit do të jetë më se i arritshëm.
“Unë besoj që shpejtësia në këto raste nuk përcaktohet nga skaleta e përcaktuar në aktin normativ, por përcaktohet nga vendosmëria e vullnetit. Ju garantoj juve dhe këdo që vullneti i parlamentit për të ndërtuar kompleksin e ri parlamentar brenda afatit pra brenda vitit tjetër atëherë kur do të jetë edhe 100 vjetori i shtetit shqiptar, unë besoj se do të jetë më se i arritshëm”, u shpreh Alibeaj.
Ai deklaroi se leja për ndërtimin e parlamentit do të kërkohej direkt në KRRTRSH, duke sqaruar se kjo nuk është një shmangie e KRRT-së së Tiranës, por një respektim i vendimit të Gjykatës kushtetuese për ndërtimin e objekteve me rëndësi të veçantë.  “Përzgjedhja e këtij organi është bërë në respektim të plotë jo vetëm të ligjit por urbanistikës së ligjit në fuqi, jo vetëm edhe të ligjit që është miratuar nga kuvendi i Republikës që pritet të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti për planifikimin e territorit por dhe në respektim të vendimit të gjykatës kushtetuese nr 29 të vitit 2006 përcaktonte tagrat e sakta që duhej të kishte KRTRSH- ja në lidhje me miratim e shesheve të lejeve të ndërtimit për institucionet me interes publik. Konfirmohet edhe një herë që institucioni i cili do të vlerësojë dhe do të monitorojë zbatueshmërinë strikte jo vetëm në rregullimet ligjore por dhe me ato të studimit  urbanistik përkatës do të jetë instituti ndërtimor urbanistik kombëtar”, tha Alibeaj.
Vlera e kompleksit të ri parlamentar sipas deputetëve që kanë përpiluar bazën ligjore nuk kanë lidhje me këtë fazë të dytë, ajo do të mësohet në një fazë tjetër. Gjithsesi sipas tyre fatura garantohet të jetë  e përballueshme për ngritjen e një vepre të tillë sipas modelit të arkitektëve austriakë.
“Nisur nga nevoja ekonomike në këtë rast nga nevoja për të strehuar kuvendin e republikës së  Shqipërisë, nisur nga nevoja për t’i dhënë një shpresë të re jo vetëm për shkak të produktit të kuvendit por edhe simbolikës së vet. Nisur edhe nga nevoja që do të duhet së bashku me ndërtimin e kompleksit të ri, por edhe të eleminojë një lloj legjende urbane dhe një lloj psikoze që pozita gjeografike atje ku do të ndërtohet kompleksi mban me vete. Unë besoj se nuk ka çmim të cilin do të na duhej të bëhej pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, çdo lloj çmimi. Ajo që duhet të them në këtë rast është se çmimi që do duhet paguhej do të kalojë në filtrin e ligjit për prokurimin publik, që do të thotë do të bëhej me tender elektronik i hapur me pjesëmarrjen e të gjithëve, dhe unë besoj se kjo është përgjigjja që mund të jepet në këtë fazë”, deklaroi deputeti demokrat.
Kësisoj, Komisioni i ligjeve miratoi nismën ligjore prej 9 dispozitash në mungesë të deputetëve të opozitës duke i hapur rrugë miratimit të tij në seancën plenare të së enjtes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›