Topalli: Mirëpresim opozitën të japë kontributin e vet në reforma

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth ka takuar kryetaren e parlamentit në prag të nxjerrjes së raportit final për zgjedhjet e 8 majit, duke e vënë theksin tek domosdoshmëria e nisjes së bisedimeve për reformën zgjedhore
Një ditë pas ftesës, që kryeministri Sali Berisha i bëri opozitës për t’u bërë pjesë e reformave në Parlament, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Wollfarth është shprehur se opozita është e mirëpritur të japë kontributin e saj në këtë proces, se ky nuk është një kontribut vetëm për parlamentin dhe parlamentarizmin, por është një kontribut për shqiptarët dhe Shqipërinë në objektivin e madh të tyre, në rrugën e zhvillimit dhe integrimit në Europë.
Gjatë këtij takimi, palët kanë diskutuar për situatën dhe zhvillimet e pritshme në Parlament, si dhe për axhendën parlamentare dhe reformat në kuadër të procesit të integrimit, si dhe për bashkëpunimin e Kuvendit me misionin e OSBE-së.
Kryetarja e Kuvendit informoi kreun e prezencës së OSBE-së, për ofertën e bërë nga mazhoranca për sa i përket ndërmarrjes së nismave për reformën e ardhshme zgjedhore, bazuar në rekomandimet e OSBE-së, ashtu sikundër përsa i përket bashkëpunimit mazhorancë-opozitë, për të votuar në Kuvend ligjet që kanë shumicë të cilësuar.
Nga ana e tij, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth është shprehur se po pret mbledhjen e një tryeze partish, ku të përmbyllet reforma zgjedhore. Ambasadori vuri në dukje se notën për këto zgjedhje, ODIHR do ta japë brenda korrikut, kur do të publikojë dhe raportin e tij final.
“Ne mezi po presim që ju të uleni në një tryezë partish për reformën në kodin elektoral. Raporti i ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit do të dalë këtë muaj. Aty ndodhen të gjithë rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit. Pa ka shumë për të folur dhe ri-sjellë në këtë tavolinë. Është shumë e rëndësishme sikundër dhe reformat e tjera”, theksoi Wollfarth në takimin e zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.