Superliga Martini rikthen Vllazninë në valle
Autori i Lajmit: Redaksia
U luajtën dy ndeshjet e së shtunës, në kuadrin e javës së 21-të të superligës, pasi ishte ngritur sipari i saj të premten, me sfidën Laçi-Flamurtari 3-2. Vllaznia e Shkodrës ka fituar një ndeshje me gola dhe emocione të shumta, ndaj Skënderbeut, me rezultatin 3-2. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë nga Korça, që në minutën e 7-të, me anë të Malindit, ndërkohë që “flakë për flakë”, në minutën e 8-të, ka barazuar Belisha për vendasit. Dy gola të shpejtë, që kanë parathënë një ndeshje me plot emocione dhe luftë të fortë sportive. Dhe kështu ka rezultuar, sepse golit të dytë të Vllaznisë, të shënuar nga Haxhibuliç në minutën e 54-t, i është kundërpërgjigjur menjëherë, pas katër minutash, Roshi, që ka barazuar përkohësisht shifrat në 2-2. Minuta e 62-të ka vendosur fatin e 90 minutave të ndeshjes së “Loro Boriçit”, teksa Shtubina ka shënuar golin e tretë dhe të fitores për Vllazninë. Në fakt, skuadra shkodrane, pas asaj fitoreje të çmuar me Tiranën, javën e shkuar, e ka kërkuar me ngulm suksesin e dytë radhazi, si e vetmja mënyrë për tiu larguar fundit të klasifikimit. Dhe e ka arritur, jo pa vështirësi, duke triumfuar me Skënderbeun e vendit të fundit, por që ka bërë lëvizje të konsiderueshme për të mbijetuar. Mjafton të kujtojmë se për të dalë me 3 pikët nga “Loro Boriçi”, presidenti Zeqo kishte vënë në dispozicion të lojtarëve të tij plot 15 milionë lekë të vjetra, për të kuptuar karikimin e Skënderbeut. Pavarësisht kësaj, fitorja u ka buzëqeshur kuqebluve, që tashmë kanë filluar të marrin pak frymë më lirisht.
Kastrioti-Apolonia 1-1
Barazim i çmuar i Apolonisë në Krujë, ndaj Kastriotit vendas. Pas atyre problemeve të mesjavës, ku klubi fierak akuzoi katër lojtarë për përfshirje në trukime ndeshjesh, Apolonia ka gjetur forca dhe qetësinë e duhur psikologjike për të barazuar në Krujë, ndaj Kastriotit vendas, që rrallë lë pikë në shtëpinë e tij. Bërkiç, realizoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 18-të. Goli i shtatë sezonal për Bërkiçin. Kastrioti reagoi dhe falë cilësive të sulmuesit Orjand Abazaj barazoi rezultatin në minutën e 32-të. Edhe për Abazajn ky ishte goli i tij i shtatë për këtë sezon. Dy skuadrat vazhdojnë të jenë në barazim pikësh edhe pas javës së 21-të, tashmë nga 26 pikë. Ky ishte barazimi i katërt historik midis dy ekipeve në 14 ndeshje (4 fitore Kastrioti, 6 fitore Apolonia). Në fazën e parë Kastrioti fitoi në “Loni Papuçiu” 3-2 duke sjellë edhe largimin e ish-trajnerit boshnjak të Apolonisë, Esad Karishik.
Sot
Të dielën, sipas kalendarit, do të luhen dy ndeshje të tjera të javës së 21-të të superligës. Sfida e Peqinit pritet me interes, nëse do të luhet, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, sepse Shkumbini nuk lëshon në shtëpi. Por, edhe Tiranës i duhet një rezultat pozitiv, sepse ka zhgënjyer në ndy ndeshjet e fundit, kampionat dhe kupë, ndaj duhet të bëjë autokritikë. Më shumë se kaq, tashmë ndien dihatjen e Laçit, që ka vetëm një pikë më pak se bardheblutë dhe synon tu rrëmbejë këtyre të fundit pozicionin në renditje, që do të thotë pjesëmarrje në Kupat e Evropës. Ndaj, transferta e Peqinit nuk duhet humbur si mundësi, qoftë për të marrë edhe një barazim, rezultat të cilin, pa asnjë diskutim, nuk çohet nëpër mend nga Shkumbini, që, edhe sipas deklarimeve të drejtuesve të klubit, do të synojë fitoren.
Në Durrës, Gramozi i kthen “vizitën” Teutës. Në mesjavë, të dyja skuadrat në fjalë luajtën 30 minuta ndeshje, për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, por e ndërprenë lojën, pasi terreni në stadiumin e Ersekës u bë i papraktikueshëm për futboll. Kështu që edhe çerekfinalja në fjalë e Kupës, u shty për tu riluajtur. Tjetër sfidë do të jetë e radhës, mes këtyre dy skuadrave, këtë herë në Durrës. Teuta luan në shtëpi dhe do të kërkojë maksimumin, por të njëjtën gjë e ka të domosdoshme edhe Gramozi, për vetë pozitat fundore në klasifikimin e kampionatit, çka e bën këtë ndeshje, të paktën në letër, një duel të ndezur dhe të luftuar fort, deri në sekondën e fundit.
Nesër
Të hënën, në “Qemal Stafa”, me drita, në orën 17.00 do të luhet kryesfida e javës së 21-të, mes Dinamos dhe Besës. Skuadra që kryeson garën, qysh prej fillimit, Dinamo, do të luajë kundër ndjekëses së saj më të afërt dhe të përhershme, Besës. Blutë për ti thyer kavajasit, çka do të mbyllte çdo histori sa i takon titullit, edhe në planin moral, ndërsa verdhezinjtë e Shpëtim Duros për ta mbajtur të hapur deri në fund luftën. Një fitore e Besës, jo se do ti rrezikonte shumë pozitat e Dinamos, por të paktën do të mbante në ankth tifozeritë, se titulli kampion është ende në lojë.
Kategoria I
Java e 18-të e Kategorisë së Parë ka luajtur të shtunën katër ndeshjet e para të saj, ndërkohë që të tjerat janë shtyrë për shkak të kushteve të terreneve përkatëse, ose janë të planifikuara për të dielën. Konkretisht, nga ato ndeshje që ishin fiksuar të luheshin të shtunën, nuk janë ezauruar dot për shkak se në Cërrik (Turbina-Elbasani) dhe në Bilisht (Bilisht Sport-Skrapari) nuk mund të luhej futboll, si rezultat i shirave dhe borës që ka rënë ditët e fundit. Fusha e qytezës juglindore të Bilishtit është e mbuluar me borë, në të cilën nuk u luajt edhe para dy javësh, për të njëjtin shkak, ndaj Partizanit. Sa i takon fushës së Cërrikut, ajo ka qenë e përmbytur nga shirat e rëna gjatë tërë natës, duke qenë e paaplikueshme për një futboll sadopak normal. Në këtë mënyrë, si edhe ndeshje të tjera gjatë kësaj kohe, këto dy sfida të javës së 18-të janë shtyrë për një datë tjetër. Katër ndeshjet e luajtura sot, të shtunën, kanë dhënë deri diku rezultate të pritshme. Ka fituar pastër, 3-0, Bylisi në shtëpi, ndaj Burrelit, duke marshuar i qetë në krye të renditjes, madje duke e thelluar javë pas jave diferencën. Sepse, Lushnja, që vjen pas ballshiotëve, është ndalur në Velipojë, ku ka humbur 1-0. Ada vendase, edhe pse me një gol, ka dominuar ndeshjen, e ka fituar atë dhe me të drejtë ruan pozitat e saj pretenduese, të paktën për tu bërë pjesë e “play-out”-it në fund të kampionatit, për të luajtur shanset e saj, për tu ngjitur në Superligë. Fitore të çmuar ka arritur edhe Partizani në Librazhd, një ndeshje që edhe mund të shtyhej, për shkak të terrenit të rënduar, por që në fund, përfaqësuesit e të dyja klubeve, por edhe të FSHF-së, kanë vendosur të zhvillohej. Dhe ka triumfuar Partizani, me dy gola të Mahos, në pjesën e dytë, që “përkthehen” në 3 pikë të arta, në përpjekjet e sforcuara të të kuqve për tu renditur mes katër skuadrave të kategorisë së parë në fund të garës, me shpresën se “play-out”-i do të jetë fatsjellës për ta, në funksion të rikthimit në superligë. Besëlidhja dhe Gramshi kanë ndarë nga një pikë të Lezhë, duke fiksuar rezultatin 1-1. Sot, sipas programit, do të luhen dy sfidat e tjera të javës së 18-të të kategorisë së parë. Ajo mes Kamzës dhe Pogradecit pritet me mjaft interes, për vetë pretendimet që kanë të dyja skuadrat, por jo më pak emocionuese duhet të rezultojë edhe sfida Luftëtari-Memaliaj, ku gjirokastritët, në dukje, janë më të favorizuar.
KATEGORIA SUPERIORE
Java e 21-të
(12.02.2010)
LAÇI-FLAMURTARI 3-2
Shënues: Kaja 2′, Veliaj 6′, Tanushi 29 / Memelli 27, Grami 42
(13.02.2010)
VLLAZNIA - SKENDERBEU 3-2
Shënues: Belisha 8, Haxhibulic 54, Shtubina 62 / Malindi 7, Roshi 58
KASTRIOTI - APOLONIA 1-1
Shënues: Abazaj 32 / Berkiç 18
(14.02.2010)
SHKUMBINI - TIRANA
TEUTA - GRAMOZI
(15.02.2010)
DINAMO - BESA
Ky lajm është publikuar: 14/02/2010