E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita ne bashki Bare Nuk do bojkotojme Bashen

Të henën e 25 korrikut në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak  të Tiranës, ku Lulzim Basha do të marrë zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut  nuk do të jenë të pranishëm vetëm përfaqësuesit e shumicës. Në këtë mbledhje do të zënë vendet e tyre edhe 27 përfaqësuesit e opozitës.

Besnik Bare, kryetari i socialistëve të Tiranës, e konfirmon një gjë të tillë, megjithëse vë në dukje faktin se ka një klimë mosbesimi mes palëve për shkak të mënyrës si Lulzim Basha mori mandatin e qytetarit të parë të kryeqytetit.

“Nëpërmjet manipulimit të institucioneve të pavarura vjen dhe ulet në këtë karrike Lulzim Basha. Kemi të bëjmë me një mosbesim të jashtëzakonshëm të krijuar në raport me opozitën sot, PS. Kur vjen me vota të vjedhura së pari, ka një impakt të jashtëzakonshëm në të gjithë klimën që do të krijohet në raportet pozitë-opozitë në bashki. Megjithatë, do të marrë pjesë ditën e hënë në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të luajtur rolin e vet, të një opozite shumë të fortë, konstruktive e cila do të denoncojë gjithçka që bëhet dhe është bërë në dëm të qytetarit të Tiranës:-tha Bare.

Besnik Bare kujton se partia demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes përfaqësuesve të tyre bllokuan vendimarrjen në këshillin bashkiak për më shumë se dy vite, ndërkohë që Edi Rama mbante postin e kryebashkiakut. I pyetur për qëndrimin që do të mbajë Partia Socialiste tashmë në opozitë në këshillin bashkiak, Besnik Bare jep këtë përgjigje.

“Kjo do të varet nga klima që do të krijojë vetë pozita e sotme në bashki e ardhur me votat e vjedhura, në raport me opozitën e bashkisë”-theksoi ai.

Raportet mes pozitës dhe opozitës në këshillin bashkiak ndryshojnë vetëm me një votë. Të djathtët bashkë me lëvizjen socialiste kanë sëbashku 28 këshilltarë, ndërsa opozita 27.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›