“Opozita nxit incidentet”

Kreu i LSI Ilir Meta, pret në një takim shefin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet
Kreu i LSI-së ne takim me Shefin e vëzhguesve te OSBE-ODIHR, Jonathan Stonestreet Kryetari i LSI-së, Ilir Meta u takua dje me shefin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan Stonestreet. Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe me situatën parazgjedhore në Shqipëri. Meta i konfirmoi Stonestreet vullnetin e plotë të LSI-së për të kontribuar për një fushatë demokratike, të kulturuar, pozitiviste e qytetare në këto zgjedhje vendore. Sipas Metës, prioritet kryesor është standardi evropian që duhet të arrijnë këtë zgjedhje dhe natyrisht ky angazhim i LSI-së, nuk është i mjaftueshëm në rast se ky vullnet do të tregohej nga të gjitha forcat e tjera politike në vend. Pas takimit Meta dha edhe një prononcim për median ku foli edhe për aktualitetin politik. “Ne vlerësuam rolin e OSBE-/ODIHR-it, të vëzhguesve të cilët janë stacionuar dhe të gjithë atyre që do të vijnë, apeluam për të ardhur sa më shumë vëzhgues të huaj në zgjedhjet e 8 majit, pasi ky do të ishte një tjetër kontribut tepër pozitiv për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe për konfirmimin e tij. Nuk ekziston asnjë incident i shkaktuar nga përfaqësues të LSI-së. Fabrikimet që vijnë nga fabrika e shpifjeve sidomos në drejtim të LSI-së janë tregues i obsesionit ndaj LSI-së dhe janë një problem do të thosha i atyre që i shpikin pasi LSI është forca politike më e angazhuar se kushdo tjetër në Shqipëri që nga krijimi i saj, për zgjedhje të ndershme dhe të rregullta. Ka qenë dhe mbetet forca politike më e angazhuar në Shqipëri për një reformë zgjedhore që të plotësojë të gjitha standardet e OSBE/ODIHR-it dhe të gjitha rekomandimet edhe ato që kanë ardhur bazuar në zgjedhjet e fundit në vend. Njëkohësisht ne nuk do të merremi me trillimet e medieve pranë fabrikës së shpifjeve. Ne jemi distancuar dhe distancohemi nga çdo lloj incidenti dhe njëkohësisht i kërkojmë policisë dhe organeve të zbatimit të ligjit që të veprojë me forcë ndaj cilitdo që kërkon të krijojë incidente dhe probleme në këtë fushatë zgjedhore. Ju e dini shumë mirë se kush i bën incidentet. Heqin flamujt e LSI-së me policinë bashkiake, ne e pranuam, por po me policia bashkiake vënë flamujt e PS-së. Është çështje e tyre kjo nuk është histori flamujsh, kjo është një çështje programi. Ne kemi programin më të mirë që garanton ndryshimin e vërtetë të Tiranës, por të jeni të sigurt edhe të shumë bashkive dhe komunave të Shqipërisë. Kemi një program që po pëlqehet kaq shumë nga votuesit sa edhe të tjerët po përpiqen ta kopjojnë atë”, u shpreh Ilir Meta, duke sjellë në vëmendje se shkaktare e incidenteve të ditëve të fundit është opozita e Partisë Socialiste.
...