E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja përgënjeshtron pretendimet e ish-zëvendësministrave të PS-së që shiten si mendime të “shoqërisë civile

Bogdani: Reformat e Shqipërisë në procesin e integrimit miratuan firmën e Presidentit George W. Bush

“Reformat e Shqipërisë në procesin e integrimit, merituan në 24 Tetor të këtij viti, firmën historike të Presidentit George W. Bush”.
Ky ka qenë reagimi i djeshëm gjatë një konference për shtyp, i zëdhënësit të PD-së Gerti Bogdani.
Reagimi i Bogdanit erdhi, pas deklaratës së deputetit të PS-së, Taulant Balla, i cili “akuzoi qeverinë se po saboton proçesin e Stabilizim-Asociimit”.
Duke e etiketuar “politikën e re” të Edi Ramës si “retorikë të vjetër mashtrimesh dhe trillimesh”, Bogdani bëri të ditur se, “Nëpërmjet Taulant Ballës, altoparlant i mashtrimit i politikës se re, foli për monitorimet e procesit të integrimit evropian, të bëra këto nga një drejtor i shoqërisë civile, por njëkohësisht edhe sekretar politik në Partinë Socialiste. Me këtë trillim të radhës Edi Rama përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se proçesi i integrimit paska ngecur, por në të vërtet ajo që ka ngecur është ora e Ramës, që vazhdon të ëndërroje se Shqipëria është ende 50 vite mbrapa”, pohoi Bogdani.
Sipas Bogdanit, “reformat e Shqipërisë u cilësuan nga 27 ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në deklaratën e Lubjanës, si inspiruese për vendet e rajonit për nga suksesi i tyre, dhe se, këto reforma do të vlerësoheshin edhe nga Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, si surprizë e Shqipërisë”.
Në vijim të deklaratës së tij, zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani sqaroi se, “proceset e integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO, janë të pandashme nga njëra-tjetra. Reformat e Shqipërisë në procesin e integrimit, merituan në 24 Tetor të këtij viti, firmën historike të Presidentit George W. Bush”.
“Retorikat, e vjetruara tashmë të Edi Ramës janë thjesht përpjekje primitive të tij për të mbuluar një realitet që flet çdo ditë e më shumë vet”, përfundoi Gerti Bogdani.
Nëpërmjet Taulant Ballës, Kryesocialisti Rama ka tentuar dje që të eklipsojë vlerësimet që të gjitha raportet e fundit të organizmave ndërkombëtare kanë dhënë për reformat e qeverisë Berisha, me anë të një raporti tërësisht subjektiv të hartuar nga vartësit e Arben Malajt dhe Anastas Angjelit. Përkundër vlerësimeve të Bankës Botërore, FMN dhe Transparency International ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi dhe ish-zëvendësministri i Ekonomisë Gjergj Teneqexhi, kanë mbërritur në përfundimin se qeveria po saboton MSA për shkak të dështimit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve ilegale.
Reputacioni i kësaj logo që ka mbledhur këta njerëz të dyzuar mes shoqërisë civile dhe politikanë socialistë të rangut të tretë, mbetet i dyshimtë. Këtë e konfirmoi me qëndrimin e tij edhe deputeti Taulant Balla, i cili nuk u ndal dje që të komentonte reputacionin e organizatës në fjalë, që kishte marr guximin t’ju kundërvihej raporteve e konkluzioneve mbi Shqipërinë të hartuara nga Banka Botërore, FMN apo Transparency International, organizma që nëpërmjet logove të tyre, këtë vit kanë dhënë vlerësime maksimale për reformat e qeverisë aktuale.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›