"Orë të ngelura", një komedi në Fier
Rikthehen shfaqjet në Teatrin e Fierit. Gjashtë aktorë të "Bylisit", me pjesëmarrjen e Luftar Pajës, po punojnë të vënë në skenë komedinë "Orë të ngelura" të Bashkim Kozelit. Ka qenë aktori i njohur nga Korça, Guri Koço, ai që pëlqeu motivin e Kozelit dhe udhëtoi në Fier për ta vënë në skenë me trupën e teatrit të këtij qyteti. Prova e tavolinës ka më shumë se tri javë që ka mbledhur gjatë paradites dhe pasdites trupën e aktorëve, ndërkohë që pjesëmarrësit në këtë komedi shprehen të kënaqur me organizimin artistik të regjisorit Koço. "Pritet që premiera e komedisë të shfaqet ditët e para të muajit prill. Jam i kënaqur nga përkushtim profesional i trupës së Fierit, trupë për të cilën gjithmonë kam pasur vlerësime. Në trupën e ‘Bylisit‘ gjenden të gjitha profilet komike, por edhe ato dramatike i gjen fare lehtë, pasi aktorët profesionistë të Fierit ke qejf t‘i shohësh në të dyja këto ekstreme", u shpreh aktori Guri Koço, që vjen në Fier në pozicionin e regjisorit. Ndër emrat e aktorëve pjesëmarrës në këtë komedi janë Hajrie Rondo, Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Doriana Caushaj etj. Skenografia mban firmën e Gëzim Hajdinit, ndërsa muzika mban emrin e Robert Hoxhës. Në qendër të komedisë janë dy berberë, të cilët "luftojnë" me njëri-tjetrin. Ndërkohë që episodet dhe rastësitë e jetës të shoqëruara këto me sarkazëm dhe ironi do t‘i kthejnë dy konkurrentët berberë në njerëz shumë të afërt, në krushq, pasi fëmijët e tyre dashurohen dhe vendosin të jetojnë së bashku. Kriza ekonomike që shtyn dy berberët drejt një armiqësie do të rrëzohet kur dashuria për jetën dhe për të ardhmen vjen si një shpërfillje për problemet ekonomike dhe ato sociale.