Organizata studentore përkrahin protestën kundër arrestimeve për krime lufte

Gjashtë organizata studentore e kanë përkrahur protestën e paralajmëruar për ditën e hënë që ka për qëllim kundërshtimin e arrestimeve për krime lufte.
“Ne, organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina” Paqja Studentore, Opinioni Studentor, Vizioni Studentor, Alternativa Studentore, Zëri Studentor dhe Unioni i Studentëve Shqiptarë, jemi duke e përcjellur me shqetësim të madh situatën e fundit në vend e krijuar pas arrestimeve të Ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral Sylejman Selimi, ish Komandantit të Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të njohur si Grupi i Drenicës”, thuhet në një njoftim për media.
Ata kanë shprehur edhe besimin në pafajësinë e të arrestuarve. “Ne studentët e Kosovës besojmë në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së dhe se dyshimet për krime lufte të ngritura nga prokurori Maurizio Salustro i cili me sa duket është dorë e zgjatur e Serbisë janë të paargumentuara dhe të pabazuara, tendencioze dhe me motive politike”
Ndërkaq, ata kanë përmendur edhe rastin e arrestimin e Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajt
“Arrestimi i “Grupit të Drenicës”, nga ana e EULEX-it, nën akuzën për krime lufte, ka revoltuar jo vetëm bashkëluftëtarët e tyre, por edhe neve studentët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët në përgjithësi.
EULEX-i me gjahun e tij ndaj luftëtarëve të lirisë po provon të njollos luftën e shenjtë të UÇK-së, luftë kjo e cila ishte krejtësisht e pastër dhe e drejtë, gjë e cila është vetëtuar nga Gjykata e Hagës në rastin e Deputetit Fatmir Limaj dhe Ish Kryeministrit Ramush Haradinaj”, thuhet në komunikatë/Jeta Berisha/Indeksonline./