E Diel, 1 Nëntor 2026

Orhan Pamuk vjen në Tiranë për “Stambollin”

TIRANE-Nobelisti Oran Pamuk do vijë në Tiranë. Ai vjen në kryeqytetin tonë për të prezantuar për lexuesin shqiptar veprën më të re të botuar në shqip "Stambolli". I ftuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg books”, që është edhe botuesi ekskluziv i tij në vendin tonë, nobelisti ai do të ketë një axhendë të ngjeshur.
Fituesi i Nobelit e ka deklaruar veten si zëri që në kërkim të melankolisë së trishtë të qytetit të tij të lindjes, Stambollit, zbuloi simbolet e reja të përplasjes dhe gërshetimit të kulturave. Përvojën e tij të një jete mes traditës osmane të familjes dhe përqasjen me stilin perëndimor të jetës, ai e ka përshkruar me tri gjeneratat në romanin e tij të parë "Xhevdet Beu dhe të bijtë" (1982) dhe më pas reflektimet e lëvizjeve shoqërore të kohës në romanin "Shtëpia e heshtjes" (1983). Popullariteti i tij ndërkombëtar nis me botimin e romanit "Kështjella e bardhë" (1985), roman historik për Stambollin e shekullit 17. Ky është libri i parë i botuar në gjuhën angleze. Më pas njohja e tij pason me botimin e romanit "Libri i zi" (1990), që provokoi debate në Turqi për shkak të referencave të tij sufiste. Mbi këtë libër është bazuar edhe filmi "Gizli Yuz" (1992). Romani "Jeta e re" (1994) që pason veprën e tij, është një rrëfim mbi shpirtin mistik dhe reminishencat e kulturës popullore dhe miteve turke, përmes një të ashtuquajturi libër me një aftësi për të të ndryshuar jetën nëse e lexon. Në vitin 2000 Orhan Pamuk prezantohet me "Unë jam e kuqja", ku siç shprehet ai, tema kryesore është raporti mes Lindjes dhe Perëndimit, mes përshkrimit nëpërmjet pikëpamjeve të ndryshme të artistëve të lidhura me këto kultura. Romani i tij "Bora" (2002) i vendos ngjarjet në kufirin lindor të Turqisë, në qytetit Kars, dikur kufiri mes perandorisë osmane dhe asaj ruse. Romani përshkruan konfliktet politike dhe fetare të turqve të sotëm përmes jetës së një shkrimtari të mërguar në Perëndim. Në vitin 2004, Pamuk boton "Stambolli: Kujtime dhe qyteti", një portret i tij për qytetin e lindjes, i bazuar në melankolinë që sheh në jetën e njerëzve të këtij qyteti. Të gjitha veprat e Pamuk kanë gjurmë autobiografike.
Vedit Inal, një mik i fëmijërisë së Pamuk, shkruan për të: "Orhan nuk ka ndryshuar shumë në karakter nga ajo kohë. Ai ishte gjithmonë i zoti t'i shihte gjërat nga një kënd i pazakontë. Fillimisht donte të bëhej piktor dhe jo shkrimtar." Gjatë kohës së studimeve në vitet '70, Pamuk ishte militant marksist. "Por, megjithëse lexoja literaturën e këtyre fraksioneve marksiste, unë asnjëherë nuk u bashkova me ta. Shkoja në shtëpi dhe lexoja Virginia Woolf. Edhe pse kisha simpatitë e mia, unë e ruajta shpirtin për të lexuar Woolf, Folknerin, Tomas Manin dhe Prustin. Ndjehesha 'fajtor', por ata ishin më interesantë për mua".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›