E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan për të kthyer bonot e privatizimit

Qeveria ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili u jep të drejtën qytetarëve që kanë depozituar bono privatizimi në fondet e investimeve t‘i marrin ato sërish mbrapsht. "Ekzekutivi ka mbajtur një qëndrim dhe i jep fund ankthit të mijëra depozituesve dhe vendos drejtësinë që do t‘i detyrojë ata që kanë marrë bonot t‘ua shpërndajnë zotëruesve të tyre", tha Florion Mima, anëtar i Komisionit të Ekonomisë. Deklarata u bë dje gjatë diskutimit të projektligjit të ri "Për sipërmarrjet e investimeve kolektive", i cili synon përgatitjen e terrenit drejt funksionimit normal të bursës. Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më i njohuri mbetet ai anglo-adriatik, në të cilin kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët e qeverisë thonë se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›