Oskar, pacienti i parë me transplant të plotë të fytyrës
Një spanjoll, që iu nënshtrua operacionit të parë në botë të një transplanti të plotë të fytyrës, ka dalë dje para kamerave të televizionit për herë të parë që pas operacionit. Në këtë shfaqje ai ka falënderuar mjekët dhe familjen e tij që ia mundësuan këtë jetë të dytë me një fytyrë të re. 31-vjeçari i identifikuar me emrin Oskar, ka folur për gjithë aventurën e tij të vështirë të krijimit të një fytyre të re dhe për operacionin që zgjati 24 orë rresht, gjatë të cilit mjekët i kanë vënë një fytyrë të re, duke përfshirë edhe ndërtimin e nofullave, hundës, muskujve të fytyrës dhëmbëve dhe qepallave, të gjitha këto të shkatërruara pas një aksidenti tragjik, gjatë të cilit në mënyrë aksidentale i qëlloi vetes me pushkë 5 vite të shkuara. Sipas mjekëve, Oskar ka nevojë që për të vënë në përdorim fytyrën e tij të re të kryejë rreth një vit psikoterapi intensive, në mënyrë që të përfitojë rikthimin në 90% të funksioneve të fytyrës së tij. Konferenca për shtyp u thirr me rastin e daljes nga spitali të Oskarit. Tani ai është i aftë që të pijë lëngje, të hajë ushqime të buta dhe të flasë, të gjitha këto funksione më parë nuk ishte në gjendje që t’i kryente, për shkak të mungesës së thuajse të gjitha organeve të fytyrës.
#