E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç "çon" Hykën te Dinamo e Zagrebit

Ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Bariç, ka lavdëruar mesfushorin e Tiranës e të Kombëtares kuqezi, Jahmir Hyka dhe dy mbrojtësit kosovarë të përfaqësueses shqiptare, Debatik Curri e Armend Dallku. 

JETMIR HALILAJ

 Bariç ka thënë se Curri e Dallku janë lojtarë të shkëlqyer, ndërsa për 20-vjeçarin Hyka, ka pohuar se për një vit do të arrijë nivelin e yllit të Kroacisë, Luka Modriç. Bariç këto deklarata i ka dhënë pasi drejtuesit e Dinamos së Zagrebit kanë shprehur interesim për Hykën. Madje, drejtuesit e Dinamos, vëllezërit Zdravko e Zoran Mamiç, kanë vëzhguar nga afër paraqitjen e Hykës me fanellën e Shqipërisë në takimin kundër Polonisë, që u zhvillua të martën në Gjermani. "Jam i bindur se Dinamo nuk do të gabojë nëse do të blejë Jahmir Hykën. Ai për gjashtë muaj, apo një vit do të arrijë nivelin e Luka Modriçit. Nëse trajtohet në mënyrën e duhur dhe nëse punohet me të në mënyrë konstante, atëherë mesfushori do të bëhet një futbollist i shkëlqyer. Ai sot është 70 për qind e Modriçit", ka thënë tekniku kroat për gazetën kroate "Jutarnji list". Oto Bariç ishte i pari që thirri Jahmir Hykën në Kombëtaren e madhe të Shqipërisë, atëherë kur ky futbollist luante për ekipin e njohur norvegjez Rozenborg. "E pashë Hykën të martën në takim kundër Polonisë, dhe kur ai u fut në fushë në pjesën e dytë, arriti t'i ndryshonte krejtësisht ritmin e ndeshjes në favor të Shqipërisë. Pashë dy tri pasime të vërteta dhe pesë driblime të shkëlqyera", ka shtuar trajneri kroat. Bariç ka thënë se Hyka nuk është i vetmi futbollist i përfaqësueses së Shqipërisë, i cili do të ishte i vlefshëm për klubin më të njohur kroat. "Mbrojtësit Curri e Dallku janë lojtarë të shkëlqyer, të cilët do të mund të luanin në çdo klub të madh", ka thënë 75-vjeçari. Ai e drejtoi Kombëtaren shqiptare për dy vjet, në ciklin eliminator për "Euro 2008". Aktualisht është i paangazhuar. "Oto maksimal" ua propozoi drejtuesve të Dinamos, Dallkun, Currin dhe Hykën gjatë kohës që ai drejtonte kuqezinjtë. Së fundi është bërë e ditur se për dyshen kosovare të Kombëtares së Shqipërisë Currin e Dallkun, janë të interesuara ekipe nga Anglia dhe Gjermania.
Zv/presidenti
Zv/presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, ka thënë se ende nuk ka e vendosur nëse do ta blejë Jahmir Hykën. "Ai (Hyka) është një futbollist i talentuar dhe ne interesohemi prej kohësh për të - ka thënë Mamiç për median kroate. - Megjithatë ende nuk kemi vendosur nëse do ta blejmë apo jo mesfushorin, pasi po vëzhgojmë edhe futbollistë të tjerë, të cilët janë gjithashtu të talentuar. Ne mund të garantojmë se Luka Modriçin do ta zëvendësojmë me një lojtar të shkëlqyer, por nuk kemi vendosur akoma se cili do të jetë ai". Hyka, e ka nisur karrierën te të rinjtë e Dinamos, te Rozenborgu, ka luajtur edhe me grekët e Olimpiakosit.

Rregullorja
Shefi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, po projekton një rregullore akoma më të rreptë për sezonin e ardhshëm. Ai kërkon të shtojë masat e dënimit për lojtarët që shfaqin sjellje anti-sportive në fushë. "Po shikojmë të gjithë rregulloret. Qëllimi dhe propozimi ynë është që të shtohen dënimet. Ose të bëhen më specifike. S'mund të dënohet 3 ndeshje ai që pështyn gjyqtarin".

Altin Lala
Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, ka paralajmëruar Gjermaninë për lojën e ashpër të polakëve. "Polakët godasin më shumë se unë. Të gjithë janë shumë të përgatitur fizikisht. Të mëdhenj dhe të fortë. Veçanërisht i ashpër është futbollisti me numër 18, Levandovski. Dy herë ndërhyri shumë ashpër. Mendoj se kundër Gjermanisë do të jenë edhe më të egër", tha Lala.

Impenjimi
Pas largimit nga stoli i Shqipërisë, Oto Bariç nuk është impenjuar zyrtarisht në ndonjë skuadër tjetër. Megjithatë, tekniku 75-vjeçar luan rolin e konsulentit të merkatos te klubi i Dinamos së Zagrebit. Këta të fundit i ofruan trajnerit edhe postin e përgjegjësit të talenteve të reja, por ai nuk e pranoi këtë ofertë.

Sotir Nini
Dy gjigantët anglezë, Arsenali e Mançester Junaitid, kërkojnë shërbimet e talentit himariot me pasaportë greke, Sotir Nini. Lajmi është publikuar në faqen greke goalday.gr. Dje në Greqi për të parë nga afër Ninin ishin edhe përfaqësues të Milanit, ndërsa më parë për 18-vjeçarin që ka thyer çdo rekord futbollistik për moshën në Greqi, ishin të interesuar edhe Reali i Madridit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›