Trafiku i mjeteve prangos policin
POGRADEC/ JORGJETA GJANÇI
Tre shtetas kroatë e maqedonas përfunduan dje në pranga, pasi tentuan të mashtronin policinë duke sajuar grabitjen e makinave të tyre lukzose. Por, hetimi zbuloi se gjithçka ishte lojë, me qëllim përfitimin e dyfishtë nga siguracionet, si dhe shitja e tyre në Shqipëri. Atyre iu bashkua në qeli dhe një polic i Qafë-Thanës me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk regjistroi makinat në sistemin e kontrollit. Çështja u zbardh, pasi policia zbuloi në fshatin Piskupat të Pogradecit veturat lukzose, duke bërë që të nisë hetimi për trafik ndërkombëtar mjetesh. Është dashur një punë 3-ditore e policisë së Korçës dhe Pogradecit, për të zbuluar të gjithë skemën e përdorur nga trafikantët. Sipas policisë, ata janë vëllezërit Afrim e Bekim Halili, 33 e 39 vjeç, me kombësi shqiptare, shtetësi kroate e banim në Pragë të Çekisë dhe Danilo Radiceski, 40 vjeç, banues në Gostivar të Maqedonisë, me kombësi dhe shtetësi maqedonase. Të tre këta persona kanë hyrë në vendin tonë mbrëmjen e së enjtes, nëpërmjet Doganës së Qafë Thanës si turistë. Ata udhëtonin me mjetet e tyre, prodhime të viteve të fundit. Duke përfituar nga errësira e natës ata nuk kanë rënë në sy deri sa kanë mbërritur në fshatin Piskupat të Pogradecit, ku janë takuar me Ardian Toskën, 36 vjeç, banor i këtij fshati, tashmë në kërkim. Sipas pazareve që kishin bërë më parë i kanë lënë Toskës autoveturat dhe kanë dashur të rikthehen në vendin e tyre nga e njëjta pikë kufitare. Por, në sportelet e policisë në këtë doganë kanë deklaruar se ishin bërë pre e dhunës së armatosur të një personi krejtësisht të panjohur, i cili u kishte marrë makinat në këmbim të faljes së jetës. Për këtë ngjarje "të tmerrshme" ata kërkuan të bënin edhe një kallëzim penal. Në këto rrethana menjëherë u kontaktuan nga një oficer i policisë gjyqësore. Kallëzimi për specialistët e policisë ishte i dyshimtë, megjithatë nisën menjëherë hetimet, ndërsa atyre u kërkua të qëndronin në ambientet e doganës. Fillimisht u kërkua informacion rreth gjendjes fizike të autoveturave të regjistruara në doganën shqiptare të Qafë Thanës. Por, aty nuk ndodhej asnjë lloj regjistrimi që duhej të bëhej nga kontrollori i turnit, Bashkim Liçkollari. Atij iu vunë prangat me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa hetimi operativ çoi në zbulimin e tre mjeteve. Sipas policisë, të tre trafikantët u arrestuan. Ata do të përfitonin nga siguracioni i makinave në Çeki një shumë prej 33 mijë eurosh, ndërsa të tjera para do të merrnin nga shitja e tyre në Shqipëri.