E Shtunë, 31 Tetor 2026

PARAJA DHE GUVERNATORI

Disa zhvillime të javëve të fundit në kursin e këmbimit valutor kanë krijuar një gjendje pasigurie në tregun financiar të vendit. Pranohet apo nuk pranohet kjo nga zyrtarët, pak rëndësi ka, por ajo që duhet analizuar janë faktorët që po çojnë në një situatë që, vlerësoj se, është shumë më e rëndë se çdo krizë tjetër në një vend në zhvillim.

Tatëpjeta e monedhës së shqiptarëve nuk duket (të paktën këtë herë) se ka shumë lidhje me "sezonalitetin" e kursit të këmbimit të periudhës. Disa faktorë të tjerë të rëndësishëm i janë shtuar argumentit "sezonalitet" dhe këta faktorë duhen parë drejt e në sy. Më fund të ditës, "gremisja" e lekut shqiptar, që ka qenë një nga "armët" më të forta të tërë politikës monetare e financiare të vendit, duhet analizuar e duhet përballur jo duke bërë thirrje si ajo e guvernatorit Fullani, sipas të cilit "dobësimi i lekut ndaj dy monedhave euro dhe dollar, nuk duhet të transmetohet te publiku me panik".

Doemos që ka rëndësi të dorës së parë efekti psikologjik që vjen nga një dukuri e tillë. Po a është vetëm efekt psikologjik dobësimi i lekut në raport me monedhat kryesore të këmbimit valutor në vend? Le të shohim radhazi disa zhvillime të ditëve të fundit.

Banka e Shqipërisë, e vonuar, apo e pavarur?

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, autoritetit më prestigjioz deri më sot në qëndrueshmërinë e stabilitetit financiar të vendit, nuk ka mundur t‘i mbyllë veshët ndaj kërkesës "nervoze" të bankave të nivelit të dytë për uljen e menjëhershme të normës bazë të interesit për marrëveshjet e riblerjes. Ky, mendoj se është rasti i parë në tërë historinë e bankës, kur aktorë dhe faktorë të tjerë, jashtë BSH-së, kërkojnë ndërhyrjen në tregun e REPO-ve. Guvernatori nuk e pranon hapur këtë. Në deklaratën e tij zyrtare, z. Fullani thekson se "Banka e Shqipërisë, në bazë të analizave, vrojtimeve dhe fakteve të mbledhura, vërtetoi se muaji janar krijoi premisat për më shumë hapësirë manovrimi, duke nënkuptuar ndryshimin e kahut të politikës monetare drejt zbutjes së normave të interesit".

Sa e sinqertë është kjo deklaratë? A krijohet nëpërmjet këtij vendimi më shumë frymëmarrje për aktivitetin ekonomik të vendit? A është ky një kontribut i drejtpërdrejtë për minimizimin e efekteve negative që vijnë nga kriza ndërkombëtare, si dhe a e ndihmon vërtet kjo qëndrueshmërinë e mëtejshme të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit, siç thotë guvernatori?

Nga analiza, vrojtimi dhe faktet e mbledhura nga BSH-ja nuk ndodh të jetë kështu. Bankat e nivelit të dytë nuk kishin pse të këmbëngulnin kaq "në mënyrë të pacipë"!

Qeveria e Dr. Berishës u kishte hapur "krahun" këtyre bankave. Sipas nr. dy të Ministrisë së Financave, z. Sherefedin Shehu, "për të zbutur sa më shumë presionin e borxheve të qeverisë në tregun vendas dhe ndikimin që kjo mund të ketë te kursi apo interesat bankare, qeveria ka firmosur në dhjetor të 2008-ës një hua të re prej 250 milionë eurosh, që është marrë e gjitha nga tregu i jashtëm, kryesisht për investime publike. Lëvrimi i huas në bankat e huaja i ka lënë të lirshme bankat vendase që vazhdojnë me të njëjtat ritme kreditimin brenda vendit, duke eliminuar kështu çdo lloj presioni mbi biznesin", thotë zëvendësministri.

Mesa duket, ministria shikon si të vetmen rrugë të mundshme antikrizë "rritjen e huamarrjes shtetërore për të injektuar likuiditet në treg". Në një rast të tillë, norma e interesit të bonove të thesarit do të jetë në rritje, si një alternativë më e sigurt për depozitat, edhe pse ankandi i fundit nuk e vërtetoi këtë.

Reagimi i bankave të nivelit të dytë duket se nuk ka pasur si synim lehtësimin e kredive. "Tkurrja" e kreditimit nga ana e bankave ka më shumë të bëjë me kujdesin e shtuar të tyre, pasi thuajse të gjitha kanë rritur primet për rreziqet", thotë z. Shehu.

Në fakt, bankat kanë shtrënguar dhënien e kredive. Për rrjedhojë, rritja vjetore e kredisë ka pësuar rënie. Sipas raportit më të fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e kredisë ka shënuar rënie gjatë 6-mujorit të dytë të 2008-ës, krahasuar me gjashtëmujorin e parë. Këta faktorë duhet ta detyronin Këshillin Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë të ishte më fleksibël në ndryshimin e normës bazë të interesit, jo vetëm në kohë, por edhe në përqindje. Dhe e gjitha kjo lidhet me pavarësinë ende jo të plotë dhe jo reale të BSH-së. Janë të paktë ekspertët e politikave monetare që bëjnë vlerësime në këtë fushë. Ata që flasin më shumë, në rolin e ekspertit të pavarur, kanë rezultuar të jenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që nuk mund të thonë më shumë se sa kanë thënë kur kanë votuar në Mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës.

Dukuritë e vërejtura më herët si një nivel më i ulët i investimeve të huaja direkte të vitit 2008 në krahasim me vitin 2007, niveli i parashikuar në rënie i remitancave, ulja e presionit të borxhit të qeverisë nëpërmjet huave të huaja (pavarësisht rrezikut të rritjes së borxhit) dhe pra edhe ulja e kostos për kredi në Shqipëri, tendenca në rënie e eksporteve shqiptare, jo vetëm ato me material porositësi, por sidomos e metaleve me ngjyra dhe mineraleve, rritja e primeve nga bankat e nivelit të dytë për të ruajtur performancën e tyre, një tendencë në ulje e importeve, jo vetëm ushqimore, por edhe në tregun e karburanteve, shkalla e riatdhesimit të fitimit nga ana e kompanive të huaja, e cila ushtron presion zhvlerësues ndaj lekut në momente të caktuara, kërkesa që kanë bankat dhe operatorët për valutë të huaj, e cila prish ekuilibrin e kursit të këmbimit etj., duhet të kishin qenë sinjale të mjaftueshme për veprim të autoritetit qendror monetar.

Në vend të tyre BSH-ja konfirmoi se në Shqipëri nuk mund të vihet në dyshim shëndeti institucional i bankave shqiptare. Por harroi të thotë se një shëndet i admirueshëm dhe i kënaqshëm i tyre për sa i përket nivelit të likuiditetit dhe të kapitalizimit, është, në fund të fundit, derivat i klientëve shqiptarë të tyre, që përballë bankave, më shumë kanë humbur se sa kanë fituar. Kjo duket në dritë të diellit. Dhe duhet përmendur!

Ministri Bode ishte parashikues

Ministri i Financave foli për politikat e BSH-së qysh kur "patatja ishte e nxehtë". Ai e porositi guvernatorin Fullani të mos thoshte "O lele, inflacioni", por të merrej me kreditimin e ekonomisë dhe performancën e bankave që mbikëqyrte. Ky parashikim i shefit të financave shqiptare tashmë është real. Treguesit e kreditimit janë përkeqësuar dhe do të vijojnë edhe për disa kohë të jenë të tillë. Ka një shtrëngim të kreditimit, më shumë rregulla në treg, tkurrje nga frika e krizës, madje edhe rritje të kredive "toksike", që janë reflektuar në rritjen e marzhit midis normave bazë të interesit dhe normave finale që i takojnë konsumatorit. Ekspertët e bankave deklarojnë se "një faktor i tillë ka bërë që bankat të tregohen më të kujdesshme, t‘i kushtojnë një vëmendje dhe të shqyrtojnë me shumë herë më tepër përgjegjshmëri dhe për një kohë më të gjatë përpunimit të dosjeve të kredive të reja që jepen, që zgjat procesin e kredidhënies në kohë".

Ndërkohë, treguesit e inflacionit janë duke u mbajtur nën kontroll dhe ata do të thepisen vetëm nga kursi i këmbimit, nëse ai ruan tendencën e vërejtur gjatë dy muajve të parë të këtij viti.

Disa faktorë jashtë bankës e vërtetojnë një gjë të tillë. E para, të ardhurat nga emigrantët janë në rënie të "lirë". Tregut të parasë i mungojnë me shumicë euro dhe dollarë. Tendenca rënëse e eksporteve shqiptare (prodhimet me material porositësi-veshje e këpucë), e nisur nga gjysma e dytë e vitit 2005, vijon të jetë e tillë, pavarësisht rritjes që shfaqi eksporti i metaleve bazë dhe mineraleve. Eksportet e konfeksioneve dhe të këpucëve gjatë vitit që shkoi kanë rënë me 16%, ndërkohë që kahja rënëse e tyre ka ardhur muaj pas muaji duke u bërë më e thekshme. Eksportet e mineraleve ranë gjithashtu me 13%. Të gjithë përkthehen në euro që mungojnë në treg. Rënia e çmimit të karburanteve do të thotë më pak dollarë të arkëtuar. Edhe rritja e fundit e akcizës së mallrave të tillë nuk e mbush "vrimën" e zezë të dollarëve të munguar.

Shqiptarët nuk kanë mundur t‘i përgjigjen pozitivisht kërkesës së kreut të BSH-së për të kredituar nevojat e tyre me monedhën vendase, ose të paktën me valutën me të cilën vlerësojnë të ardhurat. Kreditë në euro përbëjnë 2/3 e totalit të kredisë dhe ato në lekë vetëm një të tretën. Shqiptarët do vazhdojnë ta paguajnë shtrenjtë kredinë në valutë të huaj dhe kjo do të sjellë detyrimisht ndikim në kursin e këmbimit. Vështirë që stoku i kredisë të orientohet shpejt nga leku. Tani ministrit të Financave i bie të lutet, jo më "o lele kredia", por "o lele, leku!". Dhe pak më vonë edhe "o lele, inflacioni"! Kjo është vërtet një tendencë e frikshme.

Midis Berishës dhe Fullanit

"Shqipëria duhet të bëjë kujdes për sa i përket uljes së normës së interesit në të ardhmen, pasi një lëvizje agresive mund të çojë në uljen e nivelit të depozitave", ka thënë Kryeministri Berisha, në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Reuters". Depozitat tashmë përballen me dy rreziqe. E para, bankat buzëqeshën nga vendimi i BSH-së dhe nxituan të ulin normat e interesit të depozitave, po pa prekur ende ato të kredive. E dyta, depozitat në euro e në dollarë të shqiptarëve do të "tkurren" nga kursi i këmbimit, pas tkurrjes së vërtetuar në muajt tetor-nëntor 2008, kur nga bankat "fluturuan" më shumë se 50 miliardë lekë, ose 6% e depozitave të përgjithshme. Kush ka kredi në monedhë të huaj, euro, ose dollarë, do të paguajë më shumë para për interesat. Ky rrezik potencial do të vijojë nëse kemi ende zhvlerësim të mundshëm të lekut në raport me valutat e huaja.

Tjetër. Rritja e nivelit të kursit të këmbimit të euros nuk diskutohet vetëm për çështjet e kredisë që shtrenjtohen, por edhe në raport me importet. Importe më të shtrenjta për shqiptarët do të thotë rritje që reflektohet në produktet e konsumit.

"Ecuria e treguesve monetarë shfaq shenja ngadalësimi të ritmeve të rritjes të depozitave dhe të kredive, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008. Në terma relativë, ky ngadalësim ka prekur një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare... sensitiviteti i rritur i bankave ndaj likuiditetit ka sjellë uljen e vëllimeve të tregtimit ndërbankar dhe tendenca rritëse të normave të interesit të depozitave", ka garantuar BSH-ja. Por nuk ka asnjë parashikim lidhur me tendencën e depozitave në muajt në vijim. Edhe "historiku" i depozitave për të njëjtën periudhë me vitin e kaluar nuk të bën optimist. Guvernatori Fullani thotë se "kanalet të cilat ekspozojnë më shumë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve të ambientit ekonomik botëror janë rënia e prurjeve valutore... dhe shtrëngimi i kushteve të financimit në përgjithësi". Kjo po ndodh me shpejtësi, por është më pak e ndikueshme se sa kursi i këmbimit valutor, i cili duhet pranuar se, në tendencën e vërejtur gjatë këtyre ditëve, është i frikshëm. "Frika" e Kryeministrit për agresivitetin që sjell ulja e normës së interesit për depozitat, pra edhe tkurrja e depozitave, pritet të vlerësohet, por urojmë që të mos jetë e llojit "o lele, depozitat!"

As panik dhe as eufori!

"Sezonaliteti" i kursit të këmbimit, me të cilin ekspertët afër BSH-së po shpjegojnë tendencën e sotme të zhvlerësimit të lekut, sfumohet, sapo në ueb-in e BSH-së të shohësh historikun e kursit të këmbimit lek-euro, apo lek-USD në tre-katër vitet e fundit. Faktorët që kanë sjellë dobësimin e monedhës së shqiptarëve nuk janë thjesht sezonalitet. Nëse kjo prirje vazhdon, ajo është vërtet e frikshme, e panatyrshme dhe që kërkon reagim. Shqiptarët mund të bëhen "të paaftë" të paguajnë kreditë e tyre në euro dhe dollarë, sipërmarrësit do të ngadalësonin importin e mallrave dhe shërbimeve, qeveria nuk do të mund të kompensonte rritjen e padëshirueshme të varfërisë si rezultat i rritjes së kostos së jetesës.

Në rajon, por edhe më gjerë, po hasen zhvlerësime të monedhave, disa herë edhe historike. Në ato shtete ku industria vendase është e fortë, efekti nuk është dëmtues. Në Serbi, në Rumani etj., kanë filluar të mendojnë rritjen e huave për t‘i bërë ballë zhvlerësimit të monedhës. Nuk është fjala për panik, por nuk mund të jemi as nënvleftësues të asaj që po ndodh. Administrimi i treguesve mbetet ende një sfidë për sistemin bankar. Sipas FMN-së "politikat fiskale e monetare duhet të kthehen gjithnjë e më shumë në mbështetje të kërkesës, duke mbajtur një lloj politike që të mund të sigurojë një të ardhme të parashikueshme, duke zhvilluar në të njëjtën kohë strategji që sigurojnë mbështetjen në një periudhë afatgjatë". Banka e Shqipërisë, të cilën ligji shqiptar e identifikon si këshilltaren ligjore të qeverisë, duhet të tregojë rrugët nëpërmjet të cilave forcohet industria vendase, rritet eksporti, ulet importi, rriten depozitat dhe kreditimi i ekonomisë, forcohet monedha vendase dhe minimizohen efektet e krizës globale. Dhe jo vetëm të tregojë...Por të këshillojë dhe ndikojë në politikëbërje dhe vendimmarrje më shumë se sa deri më sot.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›