PBDNJ në koalicionin e PS, Dule takon Bakojanis
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule dhe kryetari i organizatës “Omonia”, Vasil Bollano, u takuan dje me ministren e Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis, pak ditë pasi kjo forcë politike iu bashkua koalicionit të majtë për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky takim, ku ishte i pranishëm dhe zv/ministri i Jashtëm për Çështjet e Minoriteteve, Theodhoros Kasimis, zgjati rreth 15 minuta. Burime nga diplomacia greke bënë të ditur në përfundim të takimit se kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe Bollano, sqaruan pozicionin e partisë se tyre lidhur me vendimin për kalimin në koalicionin opozitar dhe informuan Bakojanis për situatën politike në Shqipëri. Të njëjtat burime sqaruan se pala greke ka zgjedhur të mos përzihet në përçarjen e minoritetit dhe fraksionet e krijuara në këtë parti. Pas përfundimit të takimit, kryetari i PPDNJ, Vangjel Dule u bëri thirrje të gjithë emigrantëve të vijnë në Shqipëri për të votuar. “Athina mbështet marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Greqisë, mbështet integrimin e Shqipërisë dhe u takon zgjedhësve shqiptarë të marrin vendimin e tyre se kush do të qeverisë. Ne si PBDNJ kërkojmë të jemi më të preferuarit e elektoratit”, u shpreh Dule. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vendosi pak ditë më parë të dalë nga koalicioni i djathtë me të cilin qeverisi vendin gjatë këtyre katër viteve dhe iu bashkua koalicionit të majtë të kryesuar nga Partia Socialiste. Por dy prej zyrtarëve të saj më të lartë, ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka dhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera u larguan nga kjo parti dhe pranuan të përfshihen në listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 28 qershorit. Me largimin e PBDNJ-së disa prej zyrtarëve të saj në rrethe u larguan nga puna, çka bëri që kjo forcë politike të ashpërsojë gjuhën ndaj Partisë Demokratike.