E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Votoni për skuadër e program, jo për individë

 

Aristir Lumezi

“Mos bini pre e pazareve të partive politike”. Kreu socialist Rama ka vijuar fushatën elektorale në qarkun e Fierit. Në një takim të madh të zhvilluar në qytetin e Lushnjës, Rama i kërkoi qytetarëve të votojnë ekipin dhe programin e PS-së. “Votoni për një skuadër, votoni për një program, votoni për një drejtues. Mos votoni midis njërit dhe tjetrit dhe tjetrit. Partitë që ju vijnë këtu duke ju thënë ky është djali juaj, kjo është vajza juaj, jepeni votën këtu, çojeni votën atje, thuajini se historia e pazarit me votën, historia e kontratave individuale që më pas përkthehen në trafik deputetësh në Parlament, historia e çuarjes së votës sa andej-këndej ka mbaruar dhe se ne do të votojmë Partinë Socialiste dhe se me një votë do të marrim të paktën dhjetë deputetë”, tha Rama. Kreu socialist u shpjegoi lushnjarëve pse kërkon të ngrejë koalicionin e shqiptarëve përtej të majtës dhe të djathtës. Sipas tij, ndryshimi që kërkojnë shqiptarët, nuk mund të ndodhë pa shembur muret që politika e vjetër e mërive dhe hasmërive kanë ngritur mes jush, mes shqiptarëve e shqiptareve në gjithë Shqipërinë, duke ju dhënë përditë arsye për t’u ndarë e për t’u ngritur me njëri-tjetrin, si të majtë e si të djathë, pa mundur t’i jap zgjidhje për probleme, që po njësoj i vuani të gjithë bashkë, qofshi të majtë dhe qofshi të djathtë”. “Kjo bindje dhe nevojë jetike për ndryshim, më ka çuar përtej të majtës dhe së djathtës. Ndryshimi që ju kërkoni, ndryshimi që ju duhet shqiptarëve e shqiptareve, qytetarëve e qytetareve të këtij vendi, që mezi nxjerrin muajin, nuk mund të ndodhë pa gjetur arsyen dhe forcën për të mos iu nënshtruar rregullave të lojës së vjetër të akuzave, shpifjeve dhe fyerjeve, për të mos u përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, për të mos e lënë veten peng në një lojë që prej 18 vjetësh e luajnë vetëm politikanët, por që e paguani vetëm ju, qytetarët”, u shpreh Rama. Kryetari socialist u tha lushnjarëve se bindja për ndryshim dhe për të bërë gjëra që më parë dukeshin të pamundura, e bën atë të kërkojë për tu bërë kryeministër. “Kjo bindje, dhe nevojë historike për ndryshim, më ka sjellë edhe këtu, për t’ju thënë se dua të bëhem Kryeministri i Shqipërisë, që loja e vjetër të mbarojë, që balta e politikës së vjetër të shterojë dhe që një politikë e re, e juaja, me ju, dhe për ju të ndryshoj më në fund qeverisjen e vendit dhe jetën tuaj”, tha Rama në mitingun e Lushnjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›