Reagon politika shqiptare për Enciklopedinë Maqedonase
Enciklopedia Maqedonase, e cila i cilësonte shqiptarët si njerëz të zbritur nga mali, solli reagimin e njëpasnjëshëm të spektrit politik shqiptar dhe krerëve të lartë të shtetit. Kryeministri Berisha përfitoi nga vizita në Samitin e 64 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në SHBA për të takuar Nikola Gruevskin për t‘i përcjellë shqetësimin lidhur me enciklopedinë maqedonase. Qëndrimi i Kryeministrit u shoqërua gjithashtu edhe me deklaratat e akademikëve shqiptarë, të cilat i konsideronin të dhënat e enciklopedisë së re maqedonase të pabazuara në fakte historike. Më pas deklaratat u përshkallëzuan nga protestat e tifozëve shqiptarë përpara ambasadës maqedonase në Tiranë. Dy ditë më parë erdhi edhe reagimi i Presidentit Bamir Topi për këtë çështje. Për kreun e shtetit, enciklopedia nuk ishte thjesht një lajthitje e akademikëve maqedonas, por më gjerë, një aleancë patologjike mes rretheve shkencore dhe politikës së Shkupit. "Historia nuk bëhet me emocione politike, por me një mendim të qartë. Politika duhet të dijë të respektojë institucionet akademike dhe mjerë ai akademik që është i infiltruar nga ideologji politike, apo partiake aq më keq", tha Presidenti. Sipas tij, akademiku nuk është i tillë në rast se brenda tij bashkëjeton objektiviteti dhe subjektiviteti partiak dhe aq më shumë ai partiak. "Historia nuk është pesë vjet! Historia nuk është njëzet vjet! Historia është mijëravjeçare dhe ne nuk duhet të lejojmë jo vetëm shfaqje, qofshin këto dhe segmentare të qarqeve të caktuara që kërkojnë të rikthejnë tensione në Ballkan, por në çdo lloj konteksti nuk duhet që t‘i japim pjesës akademike, sepse nuk përfaqësojnë interesa partiake, por përfaqësojnë interesa kombëtare", tha Topi. Produkti i akademikëve maqedonas e ashtuquajtura "enciklopedi maqedonase", përveç pasojave politike, do të sillte edhe pasoja negative ekonomike për Maqedoninë. Duke marrë parasysh se eksporti më i madh i Maqedonisë është në tregun kosovar, ekonomistët kanë paralajmëruar se shumë shpejt nga atje mund të vijë edhe bojkoti i produkteve të Maqedonisë nëse pala maqedonase nuk tërhiqej.
Në këtë enciklopedi të financuar nga qeveria e Maqedonisë, akademikët maqedonas thonë se shqiptarët njihen si "arbanase", "arnaute" dhe "shqiptari", ky i fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës (njerëz mali). Në këtë enciklopedi shkruhet se "prejardhja e shqiptareve te Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishte nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase, duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit XIX shqiptarët numëronin 20 mijë banorë".