PD 42%, PS 34%, LSI 11% dhe LZHK 4%
10/05/2005 NDI publikon rezultatet e intervistave parazgjedhore, Rama, Meidani, Topalli, Topi, Berisha, Nano, Meta dhe Mediu më të preferuarit
Për PD, LZHK dhe LSI votuan të rinjtë dhe të intervistuarit në zonën urbane, për PS-në pleqtë dhe banorët në fshat
Instituti Ndërkombëtar për Demokracinë, ka publikuar dje raportin e parë mbi sondazhet paraprake zgjedhore. Sipas raportit 42 për qind e të intervistuarve thanë se do të votonin për Partinë Demokratike (PD), 34 për qind për Partinë Socialiste (PS), 11 për qind për Partinë Socialiste për Integrim (LSI) dhe 4 për qind për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Ndërsa është bërë e ditur se Për PD, LSI dhe LZHK më shumë vota pro kanë dhënë të intervistuarit që banonin në zonat urbane dhe të rinjtë. Ndërsa për socialistët votat pro kanë ardhur nga të intervistuarit që jetonin në zonat rurale dhe nga pleqtë. Kur u pyetën që të shprehnin opinionet e tyre për udhëheqësit politikë, asnjëri prej të dy personave që rezultuan në krye të listës nuk është udhëheqës i ndonjë partie politike, Edi Rama me 67 për qind dhe Prof. Dr. Rexhep Meidani me 54 për qind, Jozefina Topalli dhe Bamir Topi 50 për qind. 43 për qind e të intervistuarve janë shprehur për Sali Berishën, 41 për Ilir Metën, 40 për Fatmir Mediun, 38 për Fatos Nanon dhe 35 për Leka Zogun.
Shqiptarët shprehen se ekonomia është problemi kryesor në zgjedhje
Gjatë sondazhit, 60% janë shprehur se papunësia është sfida kryesore ekonomike. Pjesa më e madhe e konsideron korrupsionin si shkakun kryesor që çon në papunësi. Më shumë se 1200 qytetarë shqiptarë u përfshinë në një sondazh të zhvilluar në mes të prillit në lidhje me problemet kryesore aktualisht, përfshirë ekonominë, korrupsionin dhe çështje të tjera përsa i përket zgjedhjeve. Mes rezultateve kryesore:
54% e të pyeturve cilësojnë ekonominë si çështjen më të rëndësishme në Shqipëri, ndjekur nga infrastruktura (39%) dhe varfëria (38%). Gjashtëdhjetë përqind cilësojnë mungesën e punës si çështjen ekonomike numër një. 65% shprehen se korrupsioni është shkak për lëvizjen e ngadaltë të hapjes së vendeve të punës, ndjekur nga burokracia qeveritare (38%). Politikanët konsiderohen si të korruptuar nga 80% e të pyeturve, ndjekur nga gjyqtarët (79%) dhe mjekët (73%). Kontrollet e jashtme dhe të brendshme
të shpenzimeve qeveritare dhe ndjekja penale e rasteve të korrupsionit shihen si dy nga rrugëzgjidhjet më të preferuara për këto probleme. Më pak se 10% e qytetarëve besojnë se interesat e komunitetit motivojnë politikanët. Më shumë se 50% besojnë se interesat financiare dhe dëshira për pushtet motivojnë ata që kërkojnë poste publike.
71% e të intervistuarve thonë se qeveria duhet të hapë vende pune; 25% shprehen se njerëzit duhet të hapin vetë biznese dhe të krijojnë vende pune.
51% cilësojnë energjinë si një nevojë të rëndësishme të infrastrukturës, ndjekur nga rrugët (48%) dhe uji (44%)
Më shumë se 60% e qytetarëve shohin listat e parregullta të votuesve dhe parregullsitë në numërimin e votave si rreziqe që dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Më shumë se 30% e qytetarëve të pyetur janë të pavendosur për votën e tyre.
"Qytetarët kanë bindjen se korrupsioni pengon potencialin e Shqipërisë, së bashku me shpresat e tyre për punë dhe shërbime më të mira publike", tha drejtoresha e NDI/Shqipëri, Jennifer Butz. "NDI shpreson që partitë politike dhe kandidatët e tyre të përdorin rezultatet e sondazhit për të prezantuar plane kundër korrupsionit, në mënyrë që në Ditën e Zgjedhjeve votuesit të mund të bëjnë zgjedhje të informuara dhe që të çojnë në zgjidhje funksionale pas zgjedhjeve".
Ndërsa Këshilltari i Lartë i NDI/Shqipëri për Partitë Politike dhe Proceset Zgjedhore, Dan Redford, thekson: "Sondazhi i NDI-së është një një thirrje për partite politike! Është koha që aktivistët e partive të përveshin mëngët dhe të fillojnë të trokasin në dyert e qytetarëve për të shpjeguar planet e tyre për ekonominë". NDI kontraktoi Prism Research për të zhvilluar intervista në 12 rrethe
të Shqipërisë mes datave 19 dhe 27 prill. Kufiri i gabimit për këtë sondazh ishte +/- 3 për qind. Sondazhi nuk është parashikim i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut. Nëpërmjet këtij studimi NDI kërkon të ndihmojë partitë politike të kuptojnë dhe t'u përgjigjen interesave e shqetësimeve të qytetarëve. Ky studim plotëson programin Demokraci dhe Qeverisje në Shqipëri, që zbatohet nga NDI, IREX, dhe Partnerët për Ndryshim Demokratik, ndërsa mbështetet financiarisht nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Qartësim: Sondazhi është bazuar në një vrojtim shkencor me zgjedhje kampionesh. Gjetjet e tij janë përfaqësimi statistikor i opinioneve të publikut shqiptar. Pikëpamjet e raportuara si më poshtë nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Hyrje
Në Amerikën Veriore dhe Evropën Perëndimore, partitë politike, agjencitë e lajmeve dhe organizatat e shoqërisë civile kryejnë sondazhe të opinionit publik për të testuar qëndrimet e publikut në lidhje me çështjet e aktualitetit të ditës. Partitë politike dhe grupe të shoqërisë civile i përdorin këto rezultate për të zhvilluar plane për të komunikuar me qytetarët. Në këtë kontekst, sondazhet e opinionit publik nuk përdoren si një mjet për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë kuadër, ky sondazh reflekton “një fotografi” të pikpamjeve të qytetarëve në mesin e muajit prill. Ai nuk duhet të shihet si një parashikim i rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005.
Raporti i mëposhtëm është një paraqitje dhe analizë e gjetjeve kryesore të një sondazhi të opinionit publik në Shqipëri të kryer në muajin prill. Ky sondazh është pronë e National Democratic Institute for International Affairs (NDI). Punën në terren e kreu Prism Research (Studimet/Kërkimet Prizëm), një kompani sondazhesh e themeluar në Australi në vitin 1996, me zyra në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Klientela e Prism Research përfshin një numër të madh organizatash shumëkombëshe, ndërkombëtare dhe vendase, përfshirë NDI.
Qëllimi i NDI/Shqipëri në kryerjen e këtij sondazhi është që të ndihmojë partitë politike në Shqipëri në përmirësimin e kapaciteteve të tyre për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur interesave të qytetarëve. Ky sondazh është pjesë e një programi për zgjedhje të pastra/antikorrupsion të kryer nga Konsorciumi për Demokraci dhe Qeverisje në Shqipëri (DGA) i cili përfshin NDI, IREX, dhe Partners for Democratic Change. Programi DGA financohet nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Ndërmjet 19 dhe 27 prillit, 1251 të intervistuar të moshës mbi 18 vjeç në Shqipëri, morën pjesë në intervista ballë për ballë të cilat ishin hartuar për të matur qëndrimin e tyre në lidhje me shqetësimet për politikat e ditës që përfshijnë mendimin e tyre mbi ekonominë, rritjen e vendeve të punës, sfidat e infrastrukturës, korrupsionin dhe gjendjen politike. Kampionet e intervistave u përzgjodhën në mënyrë rastësore dhe ishin të shpërndara njëtrajtësisht sipas ndarjes gjeografike. Kjo u bazua në të dhënat e regjistrimit më të fundit të votuesve në secilin prej 12 qarqeve të Shqipërisë.
Kufiri i gabimit në një kampion prej 1,251 është +/- 3 për qind.
Gjergji Koja: Sondazhi ka ndikimin nga Mediu
Zëdhënësi politik i Partisë Socialiste, Gjergji Koja, sondazhin paraprak për zgjedhjet e 3 korrikut, e bërë nga NDI, e ka cilësuar si të diktuar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Sipas tij, “ky është një rast i mirë për të përgëzuar zotin Fatmir Mediu për reitung-un e paparë të tij në këta 15 vjet. E dimë që këto janë projekte, janë projekte që edhe paguhen. Nuk mund të them që këtu janë blerë shifra, gjithsesi këtu ekziston një treg, treg informal i blerjes apo pagesës së këtyre projekteve“. Koja, duke komentuar sondazhet e Institutit Demokratik Amerikan, tha se “edhe në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas sondazheve të NDI fitoi Kerri, por në fakt fitoi Bushi. Kështuqë, në këtë drejtim besoj që edhe fitorja e PS është e garantuar“. Koja sondazhin e ka cilësuar abuziv. Ai tha se „PS-ja nuk hyn në lojëra të sondazheve abuzive, por vazhdojmë të punojmë fort, në mënyrë që të fitojmë zgjedhjet e 3 korrikut. Edhe ne kemi gjithashtu sondazhet tona në nivel kombëtar dhe për çdo zonë, të cilat sigurisht që japin absolutisht të tjerë tregues, por ne nuk kemi hyrë në këtë garë, që shpesh përdoret në mënyrë spekulative“, tha Koja.
Fatmir Mediu: Nuk jam aq i zoti sa të ndikoj tek amerikanët
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka reaguar dje ndaj akuzave të bëra nga zëdhënësi politik i Partisë Socialiste, Gjergji Koja, i cili la të kuptohet se pas sondazhit të NDI-së fshihet kryetari republikan. Në një prononcim për „Metropol“, Mediu tha se politika e SHBA nuk varet nga politika shqiptare. "Unë nuk e di të jem kaq i zoti sa të imponoj politikën e organizmave amerikane, sepse politika e SHBA-ve nuk varet nga politika shqiptare dhe është budallallëk ta mendosh një gjë të tillë. Por, meqë më kërkuar një qëndrim, po i them shokut Koja dhe PS-së se sondazhi mund të jetë kryer me paratë e ambasadorit socialist, Fatos Tarifa që nga Uashingtoni“, tha Mediu. Sondazhi i kryer nga Instituti Amerikan për Demokraci nxirrte si forcë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare PD-në. Menjëherë pas publikimit të sondazhit, reagoi sekretari politik i PS-së, duke e cilësuar sondazhin si të pabesueshëm, duke akuzuar politikën e djathtë, si inciuese të tij. Para disa kohësh, zëdhënësi politik i PS-së doli në një konferencë për shtyp, ku bëri të ditur se nga një sondazh i ngjashëm PS-ja ka rezultuar fituese e zgjedhjeve parlamentare. Gjithsesi, Koja nuk tregoi emrin e organizatës që kishte bërë sondazhin.
Sali Berisha: Sondazhi tregoi që kemi vizion nga e ardhmja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje se rezultatet e nxjerra nga NDI tregojnë se PD po shfaqet si parti me vizionin nga e ardhmja, ndërkohë që kundërshtari vazhdon të merret me të shkuarën. "PD paraqitet si një parti e vizionit të ndryshimit të Shqipërisë dhe gjer tani ka bërë aleancat më të përkryera. S’ka vënë në dyshim besimin e madh të shqiptarëv e te Partia Demokratike", tha Berisha. Nga ana tjetër, kreu demokrat tha se strategjitë për reduktimin e varfërisë, uljen e taksave, strehimin etj., nuk do të mbeten vetëm në rang premtimes,h por do të jenë prioritetet e qeverisjes së PD-së, në rast se fiton zgjedhjet, me qëllim që të justifikohet edhe besimi i votës së shqiptarëve". Premtimet e bëra do të vazhdojnë deri në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve. Do vazhdojmë dhe pas zgjedhjeve, pasi ato janë pika të programit të qeverisë, me ato do merret qeveria. Pra, qeveria e ardhshme do të merret me gjërat që i mungojnë më shumë shqiptarëve dhe kjo do të diskutohet qysh në mbledhjen e parë”, tha Berisha.
Permbledhje ekzekutive
Shqetësimi më i rëndësishëm: Ekonomia, Infrastruktura dhe Varfëria
Çështja kryesore në mendjet e votuesve është ekonomia. Kur përgjigjësit u pyetën për të shquar çështjen më të rëndësishme me të cilën ndesheshin, 54 përqind e tyre identifikuan ekonominë, 39 përqind infrastrukturën dhe 38 përqind varfërinë. Tek ekonomia, çështjet më shqetësuese për qytetarët janë: mungesa e vendeve të punës (60 përqind), rrogat e ulëta (41 përqind) dhe taksat e larta (32 përqind). Për mungesën e vendeve të punës të intervistuarit fajësonin korrupsionin (65 përqind), burokracinë qeveritare (38 përqind), dhe taksat e larta (28 përqind). Në lidhje me infrastrukturën, përgjigjësit indentifikuan energjinë elektrike, ujin dhe rrugët si përparësitë më të rëndësishme. Në këndvështrimin demografik, ekonomia është më e rëndësishme për të intervistuarit në Jug (60 përqind) krahasuar me ata në Veri (47 përqind). Po ashtu dhe me të intervistuarit në zonat urbane (61 përqind) krahasuar me ata në zonat rurale (46 përqind). Jo rastësisht, ata që bëjnë pjesë në grupet e ulëta social-ekonomik dhe të papunët e rendisin ekonominë si më të rëndësishme krahasuar me ata që janë në marrëdhënie pune dhe ata që gëzojnë kushte ekonomike më të rehatshme.
Korrupsioni
Kur iu kërkua që të identifikonin përgjegjësinë për nivelet aktuale të korrupsionit, të intervistuarit u përgjigjën se udhëheqësit gjyqësorë dhe politikë janë përgjegjës përkatësisht në 75 dhe 73 përqind. Studentët (84 përqind), ata që kërkonin punë (85 përqind) dhe ata që banonin në Veri (82 përqind) gjykonin më ashpërsisht gjyqësorin, ndërsa pensionistët dhe ata mbi moshën 51 vjeç (përkatësisht 67 dhe 69 përqind) janë më pak të ashpër. Të intervistuarit në zonat urbane (77 përqind) dhe katër të pestat e atyre që ishin të papunë janë më të prirur për të konsideruar udhëheqësit politikë si tejet përgjegjës për korrupsionin në krahasim me vetëm dy të tretat e pensionistëve, shtëpiakeve dhe të atyre në zonat rurale. Shumë prej po këtyre të intervistuarve indentifikuan interesat financiare vetjake (63 përqind) dhe etjen për pushtet (59 përqind) si çështjet të cilat motivojnë politikanët, ndërsa vetëm 16 përqind e tyre beson se vendimet e politikanëve motivohen prej interesit të komunitetit. Kur të intervistuarit u pyetën se cilat ishin metodat që ata mendonin se ishin të suksesshme për të luftuar korrupsionin ata më së shumti mbështetën këto metoda: dënimin e shkelësve të ligjit, vëzhgimin efektiv dhe legjislacioni i ri. Por, më pak se gjysma e të gjithë të intervistuarve (45 përqind) mendojnë se shikimi i buxheteve të qeverisë nga ana e qytetarëve për të vëzhguar shpenzimet e saj është një mënyrë efektive për të ulur korrupsionin.
Zgjedhje të Lira dhe të Drejta
Kur u pyetën për rreziqet e mundshme në lidhje me ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të intervistuarit thanë se shqetësimi në lidhje me pasaktësinë e listave të votuesve është çështja më e rëndësishme (66 përqind), pasuar nga shqetësimi për parregulltësitë e mundshme të numërimit të votave (60 përqind) si dhe kufijtë e zonave dhe ndërhyrja e policisë (41 përqind secila). Më shumë se gjysma e të intervistuarve (54 përqind) mendojnë se qeveria i ndëshkoi ato komunitete që votuan kundër saj. Kur u pyetën se kë besonin për të vëzhguar zgjedhjet, bashkësia ndërkombëtare merrte besimin e 57 përqind të të intervistuarve, e ndjekur nga afër prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 47 përqind dhe vëzhguesit vendas të zgjedhejve me 44 përqind. Vetëm një në gjashtë (16 përqind) mendon se partitë politike mund të besohen për të vëzhguar zgjedhjet.
Synimi i Votuesve
Të pyetur se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë javë në Shqipëri, afërsisht një e treta e të intervistuarve (32 përqind) ishin të pavendosur ose nuk dhanë përgjigje. Mes votuesve të vendosur, 42 përqind thanë se do të votonin për Partinë Demokratike (PD), 34 përqind për Partinë Socialiste (PS), 11 përqind për Partinë Socialiste për Integrim (LSI) dhe 4 përqind për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar (LZHK). Kur u pyetën që të shprehnin opinionet e tyre për udhëheqësit politikë, asnjëri prej të dy personave që rezultuan në krye të listës nuk është udhëheqës i ndonjë partie politike, Edi Rama me 67 përqind dhe Prof. Dr. Rexhep Meidani me 54 përqind.
Ndarjet Demografike
Faktori kryesor demografik që ndan opinionin në Shqipëri duket së është ai gjeografik. Në veçanti, ata që jetojnë në rrethet jugorë të Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Fierit dhe Beratit janë dukshëm më të larguar nga qeveria dhe më të interesuar të shohin punët e tyre. Banorët në rrethet veriorë të Shkodrës, Dibrës, Lezhës dhe Kukësit, gjithashtu, shprehin këtë shpirt pavarësie - megjithëse jo aq shpesh. Të intervistuarit nga rrethet e Shqipërisë së Mesme, si në Elbasan, Tiranë dhe Durrës kanë një kuptim më të mirë për rolin e qeverisë si dhe kanë më shumë besim te institucionet e saj. Veriorët shfaqen më të varur te ndihma e dhënë nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria, duke shprehur, relativisht më shumë shqetësim rreth atyre çështjeve në të cilat ndërhyjnë si qeveria ashtu dhe agjencitë e ndihmës ndërkombëtare, p.sh., rrugët, transporti publik dhe mbështetja e fermerëve.
Një tjetër ndarje e dukshme demografike ekziston ndërmjet banorëve të zonave urbane dhe rurale. Ata që jetojnë në zonat urbane janë më pesismistë për ekonominë (56 përqind) përballë 50 përqind në zonat rural, gjë që shpjegon se pse ekonomia është më e rëndësishme për banorët urban, 48 përqind krahasuar me 35 përqind për banorët e rural. Në të njëjtën kohë, banorët urban janë më të hapur ndaj tregëtisë së lire (61 përqind përballë 47 përqind të banorëve rural) dhe tre herë më të shqetësuar për cilësinë e ajrit se sa ata në zonat rurale.
Gjithashtu vërehen ndryshime të tjera rastësore demografike mes studentëve, pensionistëve dhe shtëpiakëve. Dy grupimet e fundit demonstrojnë izolim nga shoqëria dhe proceset e saj të reformimit, ndërsa pjestarët e grupit para tyre janë të vetëdijshëm për përparësitë e modernizimit në Shqipëri dhe për përvojat e pjesës tjetër të Evropës.
ÇËSHTJET MË TË RËNDËSISHME
Më shumë se gjysma e të intervistuarve zgjodhën ekonominë si çështjen e parë ose të dytë më të rëndësishme me të cilën ndeshen së fundi, pasuar nga infrastruktura dhe varfëria.
Mesatarisht, 23 për qind e të intervistuarve besojnë se PD-ja është partia që do t’i adresonte më së miri çështjet e mësipërme, ndërsa 20 përqind identifikojnë PS-në. Por, 36 përqind e të intervistuarve nuk mund të identifikojnë një parti e cila do të ishte më e mira për të adresuar çështjet ose besojnë se asnjë parti nuk mund të adresojë/ t’i drejtohet çështjeve shqetësuese.
SHQETËSIMET SPECIFIKE EKONOMIKE
Të intervistuarit e papunë janë shumë më të shqetësuar për mungesën e vendeve të punës, por edhe ata që janë të punësuar shqetësohen më shumë për natyrën e përkohëshme të kësaj pune. Këto përgjigje demonstrojnë pasiguri për të ardhmen.
Taksat e larta përbëjnë shqetësim për të intervistuarit në Jug, ndërsa Veriu dhe zonat rurale i mëshojnë më shumë mbështetjes bujqësore dhe infrastrukturore. Ata që banojnë si në rrethet veriore ashtu dhe qendrore janë të shqetësuar për përmirësimet infrastrukturore.
ARSYET PER RRITJEN E NGADALTË TË VENDEVE TË PUNËS
Pothuajse dy të tretat e të intervistuarve (65 përqind) identifikuan korrupsionin si shkakun e parë ose të dytë më përgjegjës për rritjen e ngadaltë të vendeve të punës, pasuar nga burokracia e qeverisë me 38 për qind.
19 për qind e studentëve identifikuan “mungesën e aftësive të duhura” si faktorin përgjegjës për rritjen e ngadaltë të vendeve të punës, ndërsa pensionistët (32 për qind) dhe ata që jetojnë në rrethet e jugut (28 përqind) janë më të prirur të fajësojnë burokracinë qeveritare. Megjithatë, si përgjigje e parë, korrupsioni konsi- derohet si më përgjegjësi nga ata që jetojnë në Veri (41 për qind) dhe ata që jetojnë në Jug (35 për qind).
SHQETESIMET SPECIFIKE INFRASTRUKTURORE
Të intervistuarit identifikuan energjinë elektrike, ujin dhe rrugët si çështjet infrastrukturore më të rëndësishme.
Zgjedhja ndryshon sipas krahinave, ata që jetojnë në Jug dhe Veri janë më të shqetësuar për energjinë elektrike (respektivisht, 59 dhe 55 përqind). Ata që jetojnë në Shqipërinë e Mesme janë më të shqetësuar për rrugët në një nivel prej 50 përqind. Për ata që jetojnë në Jug shqetësimi i dytë më i rëndësishëm është uji me 56 për qind, ndërsa për ata që jetojnë në Veri shqetësimi i dytë për nga rëndësia janë rrugët me 53 për qind. Gjithashtu, ata që jetojnë në zonat rurale janë më të prirur të zgjedhin transportin publik si një shqetësim të rëndësishëm infrastrukturor.
QENDRIMET PËR REFORMAT E POLITIKAVE
Sondazhi u përpoq të vërtetonte opinionet e shqiptarëve për zhvillimet e ardhshme politike dhe ekonomike. Si fillim, 57 përqind e të intervistuarve besojnë se gjendja politike po shkon në një drejtim të gabuar, ndërsa 53 për qind mendojnë se gjendja ekonomike po shkon në një drejtim të gabuar. Kur u pyetën se cila thënie përfaqësonte më së miri opinionin e tyre për disa çështje reformash ekonomike, të intervistuarit u përgjigjën si më poshtë:
TAKSIMI
Ulja e taksave do të jetë një gjë e mirë për shkak se atëherë njerëzit do të jenë të aftë të vendosin vetë se si të shpenzojnë paratë në mënyrën më efektive. 51%
Ulja e taksave nuk është ide e mirë për shkak se do të thotë më pak para për infrastrukturën, kujdesin shëndetësor dhe shkollat. 40%
Nuk e di/S’mund të vendos/Pa përgjigje 10%
TREGTIA E LIRE
Tregtia e lirë është e mirë për pranimin e Shqipërisë në BE, dhe nuk duhet kufizuar. 54%
Tregtia e lirë dëmton fermerin shqiptar, dhe duhet kufizuar. 37%
Nuk e di/S’mund të vendos/Pa përgjigje 9%
KRIJIMI I VENDEVE TE PUNES
Qeveria duhet të krijojë vende pune për njerëzit. 71%
Njerëzit duhet të marrin nismën dhe të fillojnë biznes në mënyrë që të krijojnë vende pune. 25%
Nuk e di/S’mund të vendoë/Pa përgjigje 4%
Të intervistuarit duket se besojnë se një rol madhor i qeverisë është krijimi i vendeve të punës. Në të njëjtën kohë, shumica demonstron shpirt sipërmarrjeje ose beson se ata mund të shpenzojnë paratë më me urtësi se sa qeveria. Për më tepër, një shumicë e të intervistuarve kupton se qëllimi aktual është integrimi Evropian dhe dëshirojnë të ndërmarrin reformat e nevojshme për këtë proces.
KORRUPSIONI
Deri në ç’shkallë janë të korruptuar njerëzit në profesionet e mëposhtme?
Të inervistuarit që jetojnë në rrethet e Jugut janë më të prirur të gjykojnë ashpër drejtuesit e bizneseve dhe administratës publike, ndërsa janë më pak të prirur të dyshojnë mjekët për korrupsion. Gjithashtu, banorët e zonave rurale janë më pak të prirur vlerësojnë policinë si të korruptuar në krahasim me ata që jetojnë në zonat urbane.
Gjithashtu, sondazhi përmbante pyetjen se në ç’shkallë ishin përgjegjës për nivelin aktual të korrupsionit gjykatësit, udhëheqësit politikë, punonjësit e qeverisë, policia dhe biznesmenët. Të intervistuarit i vlerësojnë të gjithë grupet si të paktën 50 për qind përgjegjës dhe deri në 75 për qind përgjegjës për korrupsionin me përjashtim të biznesmenëve, të cilët konsiderohen se janë vetëm 46 për qind për korrupsionin. Ashtu si dhe në diagramin në faqen e mësipërme, gjykatësit dhe udhëheqësit politikë janë 73 për qind përgjegjës dhe konsiderohen si më përgjegjësit.
Duke pasur parasysh përçmimin e përgjithshëm ndaj udhëheqësve politikë, është interesante që dy të tretat e të intervistuarve besojnë se politikanët motivohen prej interesit financiar personal. Pothuajse po aq, besojnë se politikanët motivohen prej etjes për pushtet. Vetëm një në gjashtë beson se politikanët motivohen prej interesit të komunitetit.
Rrugëzgjidhjet ndaj Korrupsionit
Cilat prej masave të mëposhtëme do të ishin të efektshme për uljen e korrupsionit?
RRUGEZGJIDHJE Efektive Jo Efektive Nuk e di/Pa Përgjigje
Kontrolli i shpenzimeve qeveritare dhe çuarja në gjyq e rasteve të korrupsionit. 71% 21% 7%
Krijimi i njësive brenda institucioneve të shtetit për të vëzhguar dhe eliminuar korrupsionin. 64% 28% 8%
Krijimi i ligjeve që mbrojnë dhe shpërblejnë ata që raportojnë rastet e korrupsionit në vendet e tyre të punës. 56% 36% 9%
Nxitja e njerëzve për të mos paguar ryshfete. 50% 41% 9%
Të lejohet media dhe OJQ-të që të shikojnë dhe vëzhgojnë buxhetet dhe shpenzimet e qeverisë. 45% 45% 10%
Në të gjitha rastet, ata që jetojnë në rrethet e jugut gjykojnë secilën prej këtyre masave si më efektive në krahasim me “të gjithë të intervistuarit”, ndërsa ata që jetojnë në pjesën e mesme janë më dyshues ndaj dënimit të njerëzve, vëzhgimit të korrupsionit dhe legjislacionit të ri. Ata që banojnë në rrethet e Veriut janë më dyshues ndaj dënimit të njerëzve.
Zgjedhje te lira dhe të drejta
Listat e votuesve ende vazhdojnë të mbeten një shqetësim domethënës për të intervistuarit si në zgjedhjet e mëparëshme, po ashtu si dhe parregullsitë në numërim.
Në të njëjtën kohë, një mesatare prej 10 për qind të të intervistuarve nuk e di se në ç’shkallë këto çështje mund të rrezikojnë zgjedhjet e lira dhe të drejta.
Ata që jetojnë në rrethet e Jugut dhe të Veriut mendojnë me respektivisht 63 për qind dhe 60 për qind, se qeveria ështe më e prirur të penalizojë interesat e komuniteteve të atyre që votojnë kundër saj, ndërsa vetëm 44 për qind e atyre nga rrethet e Shqipërisë së Mesme e shprehin këtë shqetësim. Përveç kësaj, 58 për qind e votuesve ruralë janë më të prirur t’i druhen ndëshkimit sesa votuesit urbanë me 51 përqind.
Besimi për Vëzhgimin e Zgjedhjeve:
Të intervistuarit që jetojnë rrethet e Veriut janë më të prirur të zgjedhin Bashkësinë Ndërkombëtare si zgjedhjen e tyre të parë, ndërsa ata në rrethet e Jugut janë më të prirur të zgjedhin vëzhguesit vendas si personat që u besojnë më shumë për të vëzhguar procesin zgjedhor. Veç kësaj, si zgjedhje të parë dhe të dytë, studentët janë më të prirur se çdo grup tjetër demografik që të identifikojnë median.
Burimi i Informacionit për Aktualitetin: Pothuajse dy të tretat e të intervistuarve identifikojnë televizionin kombëtar si burimin kryesor të informacionit për zhvillimet aktuale, pasuar nga televizionet lokale me 17 për qind, që do të thotë se dy në dhjetë persona informohen prej mediumesh të tjera të ndryshme nga televizioni. Në fakt, më pak se 1(një) për qind mësojnë për zhvillimet aktuale prej udhëheqësve politikë vendor dhe më pak se 4 për qind prej anëtarëve të familjes.
Besimi tek institucionet
Të intervistuarit u pyetën se sa besim kishin te institucionet e mëposhtëme. Televizioni dhe bashkësia ndërkombëtare janë mes më të besuarave, me këtë të fundit që gëzon nivelet më të larta të besimit të plotë. Partitë politike, udhëheqësit e OJF-ve, zyrtarët e qeverisjes lokale, gjyqësori dhe gazetat gëzojnë më pak se 50 për qind besim.
Qëndrimi ndaj udhëheqësve politikë kyç
Synimi i votuesve
“Nëse zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvilloheshin këtë javë për cilën parti do të mund të votonit?
Votuesit urbanë janë më të prirur drejt PD-së, LSI-së dhe LZHK- së, ndërsa PS-ja ruan një kryesim të ngushtë në zonat rurale dhe mes pensionistëve. Ndonëse më e dobët mes pensionistëve PD-ja ka një epërsi mes të papunëve.
Partia Demokratike (PD), Partia Socialiste (PS), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Partia Republikane (PR).
Të gjitha partitë e tjera morën më pak se 2 përqind të mbështetjes mes të intervistuarve të kampionuar.
Të Pavendosur/Pa Përgjigje përfshin ata që u përgjigjen “nuk e di”, “s’mund të vendos”, “pa përgjigje”, dhe “nuk dua të përgjigjem”.

Partia Socialdemokrate (PSD) Partia Bashkimi për të Drejtat të Njeriut (PBDNJ).
* Votuesit e Vendosur: Në fushën e sondazhit të opinionit publik, thuhet se, në ditën e zgjedhjeve , “të pavendosurit”, dhe “pa përgjigjet”, bëjnë zgjedhje në raporte të barabarta në krahasim me ata që kanë vendosur aktualisht. Prandaj, sondazhierët do të shpërndajnë të intervistuarit e pavendosur dhe ata që nuk janë përgjigjur në përpjestim të drejtë mes partive dhe do të tregojnë vetëm rezultatet e votuesve të vendosur.