E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strategjia për të mbajtur mend çdo gjë

10/05/2005  Është thënë shumë hera dhe, madje edhe dëgjuar shumë shprehja, “po humbas kujtesën. Nuk mbaj më mend asgjë”.

Në të vërtetë, kujtesa e përhershme, që është një lloj kasaforte, që është si një kasafortë ku arkivohen të gjithë kujtimet, virtualisht ka një aftësi të kufizuar. Ajo mund të ruaj çdo informacion, por fakti është se të dhënat vijnë

në mënyrë të çrregullt dhe truri i seleksionon ato në bazë të rregullit, ku rolin kryesor e luajnë emocionet: një frikë e madhe, një gëzim i madh, një ngjarje që ka zgjuar te personi një interes të veçantë. Të gjitha këto të dhëna arkivohen në kasafortën e kujtesës. Kështu, truri nuk memorizon të gjitha informacioniet. Truri i një personi të rritur ka rreth 100 miliardë neurone, çdo njëri prej tyre është i lidhur me mijëra neurone të tjerë, kështu arrihet të krijohen miliarda lidhje që aktivizojnë një element tranzit elektrokimik përmes një ure të veçantë lidhjeje mes nueroneve. Kështu kemi sinapset dhe kujtesa formohet pikërisht nga këto harta cerebrale, të krijuara nga neuronet dhe nga sinapset. Kështu, janë pikërisht kalimi i neurotranzitëve, që përmes sinapseve dhe receptorëve, të cilët i kapin, që arrin të fiksojë kujtimet. Informacionet më emocionuese arkivohen në kujtesën e përhershme, ndërsa të tjerat “për një përdorim të shpejtë” përfundojnë në kujtesën e përkohshme. Mendohet se personave të një farë moshe kanë probleme pikërisht me kujtesën e përkohshme. Shpjegimi i këtij fenomeni është te fakti se me kalimin e viteve mund të verifikohet edhe humbja e pjesshme e ndonjë prej këtyre pesë ndjesive. Një fakt ky, që ka një rol shumë të madh në procesin e memorizimit. Të aludojmë pak për deficitet e sensorëve. Në fakt, duhet ditur se informacionet që vijnë nga përshtypjet mbahen për disa çaste në kujtesën e përkohshme dhe më pas humbasin. Vetëm në rast se nuk bëhet përpjekje për t’i ruajtur dhe arkivuar në kujtesën e përhershme. Një problem me të dëgjuarin ndikon drejtpërsëdrejti në këtë mekanizëm. Thuhet se kujtesa duhet stërvitur. Dhe kjo është e vërtetë. Nuk duhet humbur zakoni i fituar në shkollë për të kujtuar dhe thënë me mendjen një poezi apo teksti i një kënge. Është më e lehtë për të memorizuar diçka, nëse mësohet në formën e një strofe apo një kënge. Nëse jeni në një moshë jo të re, është mirë të zgjidhni një vend të caktuar për të lënë atje gjithmonë, në të njëjtin vend, syzet, celularin, portofolin, në mënyrë që të mos shqetësoni familjarët tuaj me ndonjë pyetje të tipit, “e keni parë se ku e kam lënë këtë apo atë gjë”. Ekspertët kanë përpunuar një sërë teknikash për të ruajtur në formë kujtesën. Ata sugjerojnë se duhet të përqëndroheni te gjërat një nga një, pasi është e qartë që nuk mund të ruhen të gjitha gjërat në mendje. Pra, më mirë është të përqëndroheni te gjërat që janë më të rëndësishme. Për të stërvitur kujtesën nevojitet një vend i qetë, ndërkohë që për të mbajtur mend diçka që ju thotë një njeri, duhet ta dëgjoni atë me vëmendje, madje në raste të nevojshme, nëse doni të fiksoni gjërat e thëna, edhe duke mbajtur shënim. Ata të paafatët që i tremben faktit se nuk mbajnë mend emrat e personave me të cilët kanë ngrënë drekë një ditë më parë, ja një mënyrë për t’ia dalë mbanë. Të lidhin emrin e personit me diçka karakteristike të natyrës së tij apo edhe fytyrës. Doni të bëni pazar dhe harroni ndonjë gjë pa blerë? Një nga metodat më tradicionale është t’i shkruash ato në një listë dhe ta mbani letrën në portofol, për të evituar në këtë mënyrë ngatërrimin e saj me diçka tjetër në çantën tuaj apo për të mos humbur. Strategjitë e kujtesës janë të shumta. Ndërkohë që kujtesa mund të ndihmohet edhe nga gjumi. Në fakt, qetësimi dhe pushimi ndikon në aktivitetin cerebral, duke i lejuar trurit, që përmes mekanizmave kimike specifikë, të përfshijnë njohje dhe informacione në kujtesën e përhershme.

Si të kemi një kujtesë të fortë?

Të gjithë thonë se kujtesa e fortë nuk është gjithçka, por sidomos për studentët dhe nxënësit, sigurisht që është një armë më shumë. Por çfarë të bëjmë nëse nuk kemi fatin të bëjmë pjesë në atë grup të vogël personash që mund të mbështeten fort në kujtesën e tyre? Të dorëzohemi apo të mbështetemi në ndihmën që mund të na japin fletushka të vogla të fshehura mirë në vendet më të paimagjinueshme? Asnjëra nga këto, pasi në një farë mase, sipas ekspertëve, kujtesa mund të stimulohet, pasi zakonisht shfrytëzohet vetëm 30 për qind e fuqisë së trurit tonë, dhe kështu edhe e kujtesës. Por çfarë e kushtëzon kujtesën? Pse disa gjëra mbahen mend shumë lehtë dhe të tjera duket sikur i kemi harruar përgjithmonë dhe e kemi shumë të vështirë për t’i kujtuar? Kujtesa ndikohet nga shumë faktorë, por të gjithë ata janë emocionalë dhe që ndikojnë si pozitivisht, si negativisht në aftësinë e njeriut për të kujtuar. Kjo gjë, kur një kujtim është pozitiv apo na pëlqen, apo e kundërta, bën që shumë informacione të kujtohen më shpejt se disa të tjera. Pra, me fjalë të tjera është motivimi ai që stimulon pjesën më të madhe të kujtimeve. Në të njëjtën mënyrë, emotiviteti mund të shqetësojë kujtesën dhe të provokojë një “qark të mbullur”, siç ndodh jo rralë gjatë një kontrolli apo një provimi shumë të rëndësishëm. Në anën tjetër duhet të përmendim se sa për memorien ekzistojnë tipe të ndryshme, fillimisht të ndara në të përhershme apo të përkohshme, por edhe nënkategori të tjera si kulturore, operative, autobiografike, që në dukje të pavarura, por të lidhura ngushtë dhe që mund të ndërhyjnë te njëra-tjetra, në momentet më pak të përshtatshme, aq sa gjërat të marrin rrokopujën. Është pikërisht në kujtesën autobiografik, nëntip i kujtesës së përhershme, ku ruhen emocionet. Në këtë mënyrë, një plan për të mbajtur sa më gjatë të jetë e mundur koncepte dhe data kundër dëshirës, është t’i lidhësh ato me data të tjera analoge apo momente të këndshme të jetës. Një tjetër aspekt thelbësor është të kuptuarit se sa gjëra duhen kujtuar. Kujtesa nuk varet shumë nga mekanizmat se sa nga një aktivitet kompleks i mendjes për krijimin e shumë kategorive, përgjithësimeve dhe mbi të gjitha të kuptimeve. Sa më shumë je në gjendje të diferencosh, të gjesh pika takimi dhe t’i atribuosh domethëniet me eksperiencat, aq më shumë krijohen kujtime të qëndrueshme në kohë. Ja pse është e rëndësishme krijimi i një “harte konceptuale” të lëndës që po studiohet, duke vazhduar me skema rikujtuese, me detaje që evidentojnë logjikën e një koncepti apo ngjarjeje të caktuar, apo dallues nga konceptet apo ngjarjet e tjera të memorizuara.

Katër rregulla në ndihmë të kujtesës

Teknikat e përdorura për të stimuluar kujtesën janë të shumta. Ja disa prej tyre, më të thjeshtat dhe më të lehtat për t’u zbatuar.

1.Është një rrugë shumë e mirë të kthehemi në aktorë, të interpretojmë pafund një personazh. Gjithçka bëhet shumë e lehtë për kujtesën, nëse do të aplikohet kjo lojë, për shembull të thuash me zë të lartë dhe kujtosh gjithçka që keni mësuar.

2. Kujtimi i sapokrijuar është shumë delikat. Këshillohet që më mirë të përsëritet ‘mësimi’ një herë në ditë për të paktën gjashtë ditë me radhë, se sa gjashtë herë në një ditë. Për ta bërë këtë veprim më pak të mërzitshëm, idealja do të ishte një ndërmjetës, një alternativë do të ishte përdorimi i një diktofoni apo regjistruesi tjetër për të dëgjuar informacionin edhe në momentet të tjera gjatë ditës.

3. Është e kotë të nënvizosh gjithçka dhe menjëherë. Më mirë prisni leximin e dytë dhe më pas të nënvizoni fjalët kyçe, apo disa rreshta të librit që përmbledhin të gjithë kuptimin e informacionit. Nëse një paragraf i tërë është i rëndësishëm, atëherë më mirë në krah të tij bën një kllapë apo një vizë vertikale, që të përfshijë të gjithë paragrafin.

4. Gjithmonë për të stimuluar kujtesën verbale mund të shfrytëzoni edhe ‘metodën fonetike’, që konsiston në asociimin një apo më shumë bashktingëlloreje me një numër. Por, kjo është një metodë që kërkon shumë durim dhe përqëndrim më të madh se në metodat e tjera, ndaj edhe më pak e këshillueshme për aplikimin përditshëm. Kjo metodë është më shumë e përdorshme, në raste kur është i domosdoshëm të mbahet mend diçka më specifike, që mund të konvertohet në numër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›