E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paradë patriotike në ditën e fitores

10/05/2005  Sheshi i Kuq – Udhëheqësit kujtojnë 60-vjetorin e fitores

Bushi dhe të tjerët ndoqën ceremonitë që nga përballë mauzoleumit të Leninit, ku diktatori sovjetik, Josif Stalin përshëndeti trupat fitimtare sovjetike, 60 vjet më parë. Organizatorët ua kursyen sikletin mysafirëve, duke vendosur një yll të madh në ballë të mauzoleumit, në të cilin vazhdon të qëndrojë trupi i balsamosur i themeluesit të shtetit sovjetik, Vladimir Lenin

Vendet baltike thonë se mposhtja e Gjermanisë Naziste shënoi për ta fillimin e një tiranie të dytë nën sundimin komunist sovjetik, por Putini ka refuzuar kërkesat e trye për falje publike. Edhe Presidenti polak, Kvasnievski, tha se triumfi rus nuk kishte të njëjtin kuptim për popullin e tij

Rusia përkujtoi dje fitoren në Luftën e Dytë Botërore, me një shpërthim krenarie patriotike për rolin e saj të madh në kohën e luftës, si dhe me parada ushtarake në Sheshin e Kuq, të cilat injoruan tensionet në lidhje me fqinjët e vet.

Presidenti Vladimir Putin qëndronte krah për krah me Presidentin e SHBA, George Bush, teksa njësi ushtarake dhe veteranë lufte ecnin me makina mbi sheshin e shtruar me kalldrëm – dikur skena e shfaqjeve të fuqisë ushtarake sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë – nën tingujt e muzikës luftarake.

Putini, për të cilin ceremonia ishte një pikë ngjitjeje e rallë në një periudhë të vështirë të mbushur me marrëdhënie të dëmtuara me Uashingtonin dhe ish-aleatët sovjetikë, deklaroi se bota “duhej të falënderonte” afro 27 milionë qytetarët që gjetën vdekjen.

Ndërkohë që falënderonte aleatët amerikanë, britanikë dhe francezë, ai tha se luftimet më të ashpra kishin ndodhur në tokë sovjetike. “Dhimbja erdhi në çdo shtëpi, çdo familje”, tha Putin në një fjalim kumbues.

Forcat ruse të sigurisë organizuan një kordon të ngushtë përreth qendrës dhe rrethuan zonën e Kremlinit dhe Sheshit të Kuq, nga frika e sulmeve prej rebelëve çeçenë.

Udhëheqësit botërorë, të cilët më pas bënë homazhe dhe vendosën kurora në Varrin e Ushtarit të Panjohur, në rrëzë të mureve me tulla të kuqe të Kremlinit, përfshinin Zhak Shirakun e Francës dhe Hu Jintaon e Kinës.

Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder dhe Kryeministri japonez, Koizumi, përbënin vendet e mposhtur.

Bushi dhe të tjerët ndoqën ceremonitë që nga përballë mauzoleumit të Leninit, ku diktatori sovjetik, Josif Stalin përshëndeti trupat fitimtare sovjetike, 60 vjet më parë.

Organizatorët ua kursyen sikletin mysafirëve, duke vendosur një yll të madh në ballë të mauzoleumit, në të cilin vazhdon të qëndrojë trupi i balsamosur i themeluesit të shtetit sovjetik, Vladimir Lenin.

Moti

Putin kishte përshëndetur më herët mysafirët e tij, me çadër në dorë, për shak të shiut të rrëmbyeshëm, i cili vuri edhe në dyshim premtimin e ministrit të tij të Mbrojtjes, që kish thënë se retë do të shpërndaheshin dhe qielli do të hapej. Ai shtrëngoi duart me Bushin, të cilin të dielën në mbrëmje e kishte pritur në rezidencën e tij rurale, në perëndim të Moskës.

Por, menjëherë, një skuadron avionësh lufte zunë qiellin dhe dielli doli menjëherë me nisjen e ceremonisë formale.

Atmosfera patriotike ishte e mbushur me kujtime të së kaluarës sovjetike, teksa ministri i Mbrojtjes, Sergei Ivanov, mori përshëndetjen e forcave të armatosura, duke iu drejtuar atyre me fjalën “tovarishi” – shokë.

Veteranë lufte flokëthinjur, me gjoksin të mbushur me medalje të rënda dhe dekorata si dhe shumë të tjerë që festonin Ditën e Fitores udhëhiqeshin nga Putini dhe Bushi në kamionë të mëdhenj të hapur të Luftës së Dytë, duke valëvitur tufa me karafilë të kuq.

Re në horizontin politik

Ndonëse forca ajrore ruse ia doli me motin e mirë, retë u shfaqën në horizontin politik, pasi udhëheqësit e dy republikve baltike bojkotuan ceremoninë.

Vendet balltike thonë se mposhtja e Gjermanisë Naziste shënoi për ta fillimin e një tiranie të dytë nën sundimin komunist sovjetik, por Putini ka refuzuar kërkesat e tyre për falje publike. Edhe Presidenti polak, Kvasnievski, tha se triumfi rus nuk kishte të njëjtin kuptim për popullin e tij.

“Për disa popuj, si shtetet balltikë, ai është i lidhur me humbjen e pavarësisë, dhe për të tjerë si polakët, një humbje e dukshme e sovranitetit”, tha ai të dielën, duke u shpërndarë medalje veteranëve.

Putini nuk i përmendi në asnjë rast mosmarrëveshjet me fqinjët. Por, në fjalimin që mbajti në Sheshin e Kuq, ai tha: “Rusia është e gatshme të ndërtojë me fqinjët dhe të gjithë vendet në botë, marrëdhënie të tilla që të çimentohen jo vetëm mbi leksionet e së shkuarës, por edhe të ardhmes tonë të përbashkët”.

Kohët e fundit ka patur tensione ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit në lidhje me reagimin e Rusisë ndaj kryengritjes në Ukrainën dhe Gjeorgjinë ish-sovjetike.

Presidenti gjeorgjian, Mikhail Shakashvili, i ka bojkotuar ceremonitë në shenjë proteste ndaj dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për mbylljen e dy bazave të epokës sovjetike, ku ndodhen afro 3000 ushtarë rusë mbi tokë gjeorgjiane.

Bushi, i cili mbërriti në Rusi të dielën në mbrëmje, ka shkuar dje në Gjeorgji, tha se sundimi sovjetik në vijim të fitores së Luftës së Dytë Botërore ka qenë “një prej gabimeve më të mëdhenj të historisë”.

Gjatë bisedimeve me Putinin, të dielën në mbrëmje, Bushi preku edhe çështjen e ndjeshme të demokracisë në Rusi.

Fundi i “Luftës së Madhe Patriotike”, siç e quajnë rusët, e bën 9 Majin ditën më solemne në kalendar. Rusia e përkujton humbjen e nazistëve një ditë pas vendeve të tjerë të Evropës, që e konsiderojnë 8 Majin si ditën e fitores, pikërisht kur gazetarët nxorën lajmin e dorëzimit të gjermanëve, një ditë më herët nga sa ishte rënë dakord prej aleatëve.

Evropa

Në të gjithë Evropën janë zhvilluar veprimtari përkujtimore me rastin e 60-vjetorit të fitores së forcave aleate mbi Gjermaninë naziste. Mbi 40 milionë vetë u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Bush ka nderuar kujtimin e ushtarëve të vrarë në qytetin holandez të Mastrihtit, ku ndodhen varret e tetë mijë ushtarëve amerikanë.

Përpara kësaj vizite, zoti Bush deklaroi se do t'u thurte lavde atyre që luftuan, por do t'i kujtonte gjithashtu njerëzimit se ende duhej punë për ta bërë botën të lirë. Gjatë vizitës në Republikën Balltike të Letonisë, ditën e shtunë, zoti Bush e përshkroi dominimin e Bashkimit Sovjetik në Evropën Qendrore dhe Lindore gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë si një ndër shkeljet më të mëdha të historisë.

"Fitorja në Evropë shënoi fundin e fashizmit, por nuk i dha fund shtypjes. Vuajtjet e miliona vetëve në Evropën Qendrore dhe Lindore do të kujtohen si një ndër shkeljet më të mëdha në histori", tha Presidenti Bush.

Festival Demokracie

Në Gjermani, Dita e Fitores u përkujtua me atë që është quajtur si Festival i Demokracisë. Ceremonia 48-orëshe me muzikë dhe fjalime u zhvillua në Portën e Brandenburgut në Berlin.

Udhëheqësit politikë të Gjermanisë kanë marrë pjesë në një shërbesë fetare në Katedralen Katolike të Berlinit, dhe më pas në një ceremoni në parlamentin gjerman.

Gjermania e feston 8 Majin çdo vit si ditën e çlirimit nga regjimi nazist.

Fitorja mbi nazi-fashizmin u përkujtua edhe në vende të tjera evropiane. Presidenti francez, Zhak Shirak, ka marrë pjesë në një ceremoni në Pallatin Elize, në Paris. Ministrja e tij e Mbrojtjes, Mishel Alliot Marie, vizitoi qytetin Reim, ku Gjermania u dorëzua përpara fuqive perëndimore. Ajo tha se çlirimtarët e Evropës do të mbeteshin përgjithmonë në zemrat e popullit francez.

Në Londër, Princi Charles vendosi një kurorë në monumentin e njohur si Cenotafi në qendër të Londrës. Disa mijëra vetë morën pjesë në një koncert në sheshin e Trafalgarit. Ndërsa në Poloni ceremonitë përkujtimore kanë shkaktuar debat.

Takimi Bush - Putin

Presidenti Putin e priti Presidentin Bush në rezidencën e tij në periferi të Moskës. Në një takim me gazetarët, Presidenti Bush falenderoi homologun e tij rus për përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet lidhur me Lindjen e Mesme dhe Iranin, duke thënë se “së bashku ne mund të bëjmë shumë”. Zoti Putin tha se dy udhëheqësit po ashtu ndeshen me probleme në fushat e energjisë dhe sigurimit. Asnjë prej tyre nuk e përmendi çështjen e demokracisë në Rusi. Por Sekretarja e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha se kjo çështje do të jetë një prej temave të takimit të sotëm.

Në një intervistë për televizionin amerikan, që është transmetuar dje, Presidenti Putin theksonte se sistemi demokratik amerikan nuk mund të eksportohet dhe se demokracia duhet të jetë prodhim i zhvillimeve të brendshme. Takimi i sotëm Bush– Putin bëhet një ditë para ceremonive zyrtare në Moskë, me rastin e 60-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›