Rama: Lista e deputetëve, në fillim të fushatës
TIRANË- Partia Socialiste premton se hartimi i listave të kandidatëve për deputet do të bëhet përmes një procesi demokratik dhe transparent. Është kryetari i kësaj partie Edi Rama ai që garanton të gjithë socialistët dhe opinionin e gjerë, se listat e kandidatëve për deputetët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme nën siglën e Partisë Socialiste, do përgatiten nëpërmjet një procesi të gjere konsultash me qytetarët.
Procesi
Kur mbeten edhe më pak se 7 muaj nga data kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kreu i selisë rozë, Edi Rama shprehet se është ende shpejt për të folur për një listë paraprake kandidatësh për deputetë. Megjithatë ai nuk nguron të bëjë të qartë se bërja e kësaj liste nuk do të kalojë më nëpërmjet procedurave të mëparshme ku ishin strukturat e partisë në qendër dhe në bazë ato që bënin propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Kështu, duket se kësaj radhe, PS do të ndryshojë strategji në këtë pikë, ku pritet që të jenë qytetarët, ata që do të vendosin për njerëzit që duhet ti përfaqësojnë në legjislaturën e ardhshme parlamentare. Për këtë kryesocialisti ka bërë të ditur se PS është duke përgatitur një skemë të posaçme për të bërë sa më efektive thithjen e mendimit nga elektorati. "Ne jemi duke reflektuar mbi formën me të cilëndo të thithim opinionin qytetar dhe njëkohësisht mbi mënyrën se si do të harmonizojmë mosha, gjini eksperienca, energji të reja në këtë listë, për të cilën është shumë herët për të folur konkretisht, por që do tu paraqitet njerëzve në momentin më të përshtatshëm që është dhe fillimi i fushatës" – tha Rama.
Koalicioni
Ndërkohë që përsa i përket formës së organizimit elektoral me të cilën PS do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Rama ka bërë të qartë se tashmë ajo që mbetet për tu realizuar është kurorëzimi i një koalicioni të gjerë me të gjithë shqiptarët. Kështu, Rama ka vlerësuar se PS do të bëjë të mundur që në zgjedhjet e ardhshme të krijojë një koalicion të gjerë vlerash, ku zhvillimi i vendit dhe jo ndarja e pushtetit të jetë qëllimi i tij. "Procesi i formëzimit të koalicioneve është një proces në vazhdim dhe unë jam besimplotë se PS do të jetë qendra e gravitetit të një koalicioni të madh njerëzish përtej kufijve të vjetër. Shqipëria ka nevojë për një bashkim të ri e të madh qytetarësh, e jo për pazar kryetarësh", - deklaroi kreu socialist. Ndërkohë edhe një herë ai ka bërë të ditur se një ndihmesë të madhe për qartësimin e shqiptarëve përpara se të votojnë do të jetë programi i ri politik dhe qeverisës që kjo forcë ka hartuar, i cili, sipas tij do të japë në mënyrë të dukshme filozofinë qeverisëse që premton e majta në rast se fiton zgjedhjet.