Vizat, Shqiptarët të fundit në Ballkan
Refuzimi i vizave Shengen ndaj shqiptarëve për këtë 11 mujor ka qenë afro 26%. Për vendet e rajonit 14%"
TIRANË- Shqiptarët janë qytetarët më të diskriminuar në të gjithë Ballkanin përsa i përket mundësisë për të lëvizur në vendet e Bashkimit Evropian. Propaganda qeveritare për lehtësimin e procedurave të marrjes së vizave nga konsullatat e vendeve zonës së Shengenit ka rezultuar të jetë thjeshtë një demagogji. Kjo pasi edhe pse ka gati 11 muaj që ka hyrë në fuqi marrëveshja për lehtësimin e regjimit të vizave, shqiptarët vijojnë të vuajnë po njësoj diskriminimin përpara dyerve të ambasadave. Në këtë përfundim ka dalë Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) pas hulumtimit 11 mujor që i bëri këtij procesi në vendin tonë, në kuadër të sondazhit rajonal me aplikantët për viza Shengen në konsullatat me numrin më të madh të aplikantëve që kreu Fondacionit Stefan Batory (Varshavë) dhe European Citizens Action Service (Bruksel) në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile në Vendet e Ballkanit Perëndimor.
Konstatimet
Sipas shifrave zyrtare të regjistruara në konsullatat e ambasadave të huaja në vendin tonë rezulton se refuzimi i vizave Shengen ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë 11 mujor ka qenë afro 26 për qind ndërkohë që mesatarja e vendeve të rajonit është 14 për qind. Ajo që mund të konsiderohet pozitive në këtë aspekt është ulja fare e pakët për qindjes së refuzimit të vizave për kategoritë e studiuesve, akademikëve, biznesmenëve, studentëve apo edhe gazetarëve, që janë dhe kategoritë kryesore që duhet të përfitojnë sipas kësaj marrëveshje, të cilët për vitin 2008 janë refuzuar vetëm 21 për qind nga 23 përqind që ishte një vit më parë. Ndërkohë që kategoritë e tjera të popullatës që kanë aplikuar për një vizë në ambasadat e zonës së Shengenit refuzohen mesatarisht 30 për qind, një shifër kjo tepër e lartë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit. Aspekte të tjera negative, që vërehen në zbatimin e kësaj marrëveshje janë dhe ato që kanë të bëjnë me dokumentacionin, që duhet paraqitur për të marrë një vizë, tarifat dhe taksat që duhet të paguaj një qytetar, kohëzgjatja etj. Megjithëse marrëveshja pritej të sillte ndryshime në procedurat e pajisjes me vizë për shtetasit shqiptarë, këto procedura vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të paharmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme Shengen. Mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit për vizë, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 Euro që sanksionon Marrëveshja, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave Shengen. Kostot e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkojnë në rreth 9000 lekë, çka e bën një vizë Shengen tepër të kushtueshme. Kjo kosto përfshin tarifën e vizës dhe një listë dokumentesh në mbështetje të aplikimit për vizë.
Arsyet
Arsyet kryesore të refuzimit të vizave janë nga më të ndryshmet, por më kryesorja vazhdon të mbetet dokumentacioni. Pavarësisht se një nga qëllimet e kësaj marrëveshje ishte që të ulte dhe thjeshtonte procedurat e aplikimit për vizë, edhe gjatë këtij 11 mujori shqiptarëve u është dashur që të përballen me një mori procedurash burokratike për plotësim dokumentacioni. Mos-informimi si duhet por edhe masa e madhe e dokumentacionit ka bërë që 58 për qind e rasteve të refuzuara kanë ardhur për shkak të mangësive në dokumente. Vendin e dytë tek arsyet e refuzimit renditet evidentimi nga konsullatat të një tjetri qëllim nga ai që është deklaruar nga aplikanti. Ndërkohë që 8 për qind e rasteve janë refuzuar për mungesë të mjeteve të mjaftueshme financiare dhe 4 për qind për shkak se aplikimi është kryer në më pak se një vit nga refuzimi i mëparshëm. Nisur nga kjo situatë EMA bënë një sërë sugjerimesh dhe më konkretisht propozon rritjen e transparencës së informacionit në lidhje me aplikimin për vizë të Konsullatave të vendeve Shengen. Konsullatat e vendeve Shengen, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare duhet të zëvendësojnë linjat e komunikimit përmes numrave me vlerë të shtuar me linja fikse, çka do të ulte ndjeshëm koston e aplikimit për vizë. Gjithashtu sugjerohet që konsullatat me numër më të madh aplikantësh duhet të shtojnë burimet njerëzore dhe kapacitetet e tyre përpunuese, në mënyrë që koha e shqyrtimit të një aplikimi për vizë të jetë sa më e shkurtër. Një përgjegjësi sipas këtij studimi lind edhe për Ministrinë tonë të Jashtme e cila kërkohet të luaj një rol më të madh si në informimin e qytetarëve për gjendjen ashtu edhe për të bashkëpunuar me konsullatat për të zbatuar si duhet marrëveshjen e lehtësimit të vizave.
Vizita, Topalli kërkon heqjen e vizave me Bosnjë-Hercegovinën
TIRANË- Kryetarja e KuvenditJozefina Topalli ka pritur dje Kryetarin eParlamentit (Dhomës së Popullit ) të Bosnjë Hercegovinës, Niko Lozançiç. Në takimin midis tyre biseda u përqendrua në çështjen lidhur me integrimin e Ballkanit në Bashkimin Europian dhe faktit se ky i fundit nis nga integrimi rajonal. Heqja e regjimit të vizave mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe dinamizmi i përpjekjeve të përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për infrastrukturën e Ballkanit ishin temat kryesore ku u fokusua biseda mes dy Krerëve të Parlamenteve. Jashtë bisedës së tyre nuk mbeti as çështja e Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se, Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë autoritetet e Republikës së Kosovës dhe se janë këto autoritete që kanë legjitimitetin për marrjen e vendimeve në raport me Republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të. "Shqipëria është e bindur se paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, angazhimi për ndërtimin e një shteti paralel, që cenojnë tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë,"- theksoi Topalli. Ajo gjithashtu ka shprehur besimin lidhur me qëndrimin e qartë që do duhet të ketë EULEX brenda në Kosovë.
Tabelë
Refuzimi i vizave
Shqipëri 26%
Serbi 13%
Maqedoni 11%
Mali i Zi 6%
B&H 4%
Tabelë
Qëllimet e udhëtimit të deklaruara nga qytetarët
Turizëm 26%
Biznes 25%
Vizitë tek të afërmit në Vendet Shengen 22%
Edukim/Trainime 7%
Shkëmbime kulturore 7%
Vizitë tek miqtë 5%
Punësim 5%