PD, Bregu: Autori i sondazhit, Ibrahimi i PS-së
Autori i sondazhit të USAID-it, i cili nxjerr fituese PD-në me 9 për qind të votave, është Gent Ibrahimi, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KRT. Në këtë mënyrë reagoi dje PD-ja përmes zëdhënëses së fushatës elektorale, Majlinda Bregu dhe pretendimeve të PS-së se sondazhin e USAID-it e kanë bërë njerëz pranë PD-së. Znj. Bregu kujtoi se z. Ibrahimi nuk ka asnjë lidhje as politike as familjare me PD-në. “Ne nuk kemi dashur të bëjmë komente për sondazhin, sepse ju e dini, sondazhet janë të pavarura, por besoj që është qesharake të pretendosh që drejtuesi kryesor i organizatës, i cili ka realizuar sondazhin, është z. Gent Ibrahimi. I kërkoj ndjesë që po i përmend emrin, por në fakt Genti nuk është i PD-së, as nuk anon djathtas, por është kunati i zonjës Kodheli dhe nuk besoj që qoftë për lidhje familjare ka ndonjë tendencë për të votuar djathtas”, – deklaroi znj. Majlinda Bregu.