Pakti detar, Bakojanis: Rama u bashkua me ekstremistët
Aristir LumeziIsh ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis akuzon kreun e PS-së për rrëzimin e paktit detar me Greqinë. Ish shefja e diplomacisë greke, e cila firmosi në Tiranë marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë mes dy vendeve, tha dje përmes një deklarate për shtyp se ishin grupe ekstremiste që e penguan miratimin e saj. Me këto grupe, sipas Bakojanis, u bashkua dhe kreu i opozitës Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp, e shpërndarë pasditen e së enjtes nga zyra e ish-ministres Bakojani, hidhen akuza të forta lidhur me përdorimin që i është bërë kësaj marrëveshjeje prej klaneve politike në dy vendet. Sipas saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është nxitur nga ekstremistët shqiptarë, me të cilët është bashkuar kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. "Anulimin e marrëveshjes e kërkuan grupime ekstremiste në Shqipëri, ndaj përgjegjësia e Partisë Socialiste të Shqipërisë është se lideri i saj Edi Rama u bashkua me këto forca. Madje, ai e deklaroi kontestin e tij që prej datës 15 tetor të vitit të kaluar. Më vjen keq që partia simotër e Pasok nuk mundi të kalojë stereotipet dhe të bjerë dakord me këtë marrëveshje", është shprehur ish-ministrja e Jashtme greke. Ajo shprehu keqardhje për rrëzimin e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. "Shpreh keqardhjen për anulimin prej gjykatës shqiptare të kësaj marrëveshjeje. Unë akuzoj Qeverinë e re greke të Pasok, që nuk e dërgoi marrëveshjen për ratifikim në Parlament, pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për Greqinë", u shpreh Bakojanis. Ish ministrja e Jashtme tregoi dje dhe përpjekjet e bëra nga pala greke, që kjo marrëveshje të miratohej sa më shpejt në Parlamentin grek. "Madje, gjatë kohës që unë drejtoja Ministrinë e Jashtme, u mundova ta përfundoja atë sa më shpejt të ishte e mundur. Kjo marrëveshje duhej të dërgohej në Parlamentin grek që javën e parë që ai u hap, me qëllim krijimin e një atmosfere pozitive, e cila do të pengonte këtë fund aspak të këndshëm", është shprehur Bakojanis. Ish-shefja e diplomacisë greke shton më tej se përgjegjësi për anulimin e marrëveshjes ka edhe Pasok, i cili nuk i paraqiti palës shqiptare përfitimet nga ky pakt. "Pasok duhej t'u kishte treguar aleatëve të tij në Partinë Socialiste të Shqipërisë, lidhur me përfitimet e palës shqiptare nga kjo marrëveshje. Ne i ngritëm marrëdhëniet dypalëshe në një pikë, e cila konsiderohet si më të mirat në historinë e tyre. Insistoj që ajo u përpilua dhe u firmos, duke pasur parasysh të drejtën ndërkombëtare të vendosur nga OKB", përfundon deklaratën e saj Bakojanis. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi dy ditë më parë të rrëzojë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë, pasi sipas saj ajo kishte shkelje të rënda kushtetuese. Gjykata kërkoi rinegociim të saj, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe traktateve ndërkombëtare për ujërat.Drucas: Shqipëria të na tregojë si do zgjidhet çështjaMinistri zëvendësues i jashtëm grek, Dimistris Droucas, tha dje se i ka kërkuar ministrit të jashtëm Ilir Meta se si qeveria shqiptare do të zgjidhë çështjen e kufirit detar me Greqinë. Pas takimit me homologun e tij shqiptar në Londër, në konferencën për Afganistanin, Droucas është pyetur nga mediat greke rreth qëndrimit të qeverisë greke për vendimin e gjykatës kushtetuese shqiptare. "Unë i shpreha se ky vendim me siguri nuk na kënaq. Unë i kërkova që të na informojë për detajet e këtij vendimi, dhe të na tregojë çfarë qëllimi ka Qeveria e Shqipërisë për të lëvizur përpara këtë çështje. Por theksoj edhe një herë se pala shqiptare, me të gjitha kontaktet që kishim dhe kemi, na thekson se për Qeverinë e Shqipërisë është shumë e rëndësishme kjo marrëveshje me Greqinë dhe është në përparësi", u shpreh ministri Droucas.