PD: “Edi Rama, me platformën e Bllokut, i quan demokratët armiq”
Partia Demokratike reagoi dje përmes zëdhënëses, Silvi Bardhi lidhur me deklaratat e kryesocialistit Edi Rama, i cili u shpreh pas një takimi me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, se mund t’i rikthehet praktikës së bojkotit parlamentar, duke bllokuar kështu procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Zëdhënësja e selisë blu u shpreh se ultimatumet e Ramës janë të papranueshme. Ajo e akuzoi kryesocialistin se po refuzon rekomandimet e ODIHR për reformën zgjedhore, s’pranon kandidatin e PD për Presidentin e ri, ndërsa kërkon që kryetarin e KQZ-së, ta zgjedhë bashkë me Avokatin e Popullit (ky i fundit u zgjodh nga një listë konkursi e vetë PS-së). “Disa ditë me radhë kryetari i PS-së zoti Rama kërcënon shqiptarët se, ai do të rikthehet tek politika e bllokimit nëpërmjet bojkotit të parlamentit në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Zoti Rama në një seri deklaratash ultimative shprehet se ai do të bojkotojë parlamentin për të bllokuar sërish siç bëri dy vjet me radhë procesin e integrimit pasi ai nuk pranon kandidaturë për president nga Partia Demokratike, nuk pranon rekomandimet e ODHIR për procesin e votimit dhe kërkon që kryetarin e KQZ-së ta përzgjedhë me Ombudsmenin e tij. Partia Demokratike ka vlerësuar angazhimin e opozitës në reformën zgjedhore dhe votimin në Parlament të kodeve dhe ligjeve, që prej dy vitesh, mbaheshin peng politik në Parlament dhe nuk votoheshin nga opozita, vetëm e vetëm, për të bllokuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë”, u shpreh Bardhi.
Partia Demokratike i apelon PS-së që të bashkëpunojë ngushtësisht me mazhorancën në parlament, në përmbushjen e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR si dhe zgjedhjen e kreut të shtetit në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Duke theksuar se Rama i cilëson kandidatët e PD-së si armiq, zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi tha kreu i PS-së po vepron sipas logjikës së ish-bllokmenëve.
“Partia Demokratike i deklaron edhe një herë z. Rama se ajo mbetet e vendosur dhe e hapur të bashkëpunojë në parlament me opozitën për zbatimin e rekomandimeve të ODHIR për zgjedhjet, si dhe është e gatshme të nisë në afatin kushtetues negociatat për zgjedhjen e Kreut të shtetit në respekt të plotë të frymës dhe germës se ligjit themelor të vendit. Ajo nuk pranon asnjë ultimatum dhe aq më tepër deklaratat e zotit Rama se ai nuk do të pranojë kandidat për president nga Partia Demokratike sepse në logjikë dhe mendësinë e bllokmenëve të rinj, demokratët janë armiq të sojit të tyre”, përfundoi Bardhi.