E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Liberalizim vizave në katërvjeçarin e parë

02/05/2005  Selia Blu paralajmëron përmirësim të legjislacionit për mediat e shkruara

Partia Demokratike, në strategjinë e saj për integrimin e vendit, premton liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, brenda një mandati qeverisës. E prezantuar nga Komiteti i Orientimit të Politikave, kjo platformë ka si synim përshpejtimin e procesit të integrimit në Evropë. Aldo Bumçi, relator i platformës, tha se marrëveshja për asociim-stabilizimin dhe 28 muaj pas hapjes së negociatave, ende nuk është firmosur nga Komuniteti Evropian. Ardhja e Partisë Demokratike në pushtet, nuk do të diskriminojë me dhënie fondesh bashkitë e qeverisura nga PS-ja. Kjo është një ndër pikat e strategjisë që ka të bëjë me qëndrimin politik të qeverisë së opozitës në rast se fiton zgjedhjet. Kjo pikë është cilësuar e rëndësishme në rekomandimet e dhëna nga BE-ja për integrimin.

Liberalizimi i Vizave

“Qeverisja e ardhshme, do të angazhohet që brenda mandatit të katër viteve të ardhshme të realizojë kushtet që përshpejtojnë liberalizimin e regjimit të vizave, me vendet anëtare të BE-së”, u tha gjatë takimit. Lideri demokrat Berisha, në fjalën e tij tha se, kryesore për integrimin në BE, është vendosja e shtetit ligjor. “Nuk mund të ketë integrim në BE kur nuk ka barazi në zbatimin e ligjit. Këtu vazhdohet akoma me gjyqe sekrete. I dënuari e merr vesh dënimin, vetëm kur i shkon përmbaruesi në derë, pra ndodhin gjëra jashtë logjike. Qeveritarët kanë shkuar me qindra dhe me mijëra herë në Strasburg, kanë bërë premtime, kanë marrë angazhime, por standartet e vendit janë të denja për shtetin e Mugabes", tha Berisha. Sipas tij, për të bërë të mundur përfundimin e procesit të integrimit, së pari duhet të ndryshohet imazhi qeverisë, të cilën Berisha e përkufizoi me fjalët, "Shtet në Kufijtë e Dështimit".

Mediat

Në strategjinë për integrimin, Partia Demokratike ka deklaruar se do të përmirësojë legjislacionin për mediat. "Do të përmirësohet legjislacioni për median e shtypur dhe elektronike sipas standarteve Evropiane. Nuk do të ketë diskriminim në shpërndarjen e reklamës shtetërore. Nuk do të ketë gjyqe për gazetarët por strukturat qeverisëse do të ruajnë të drejtën e sqarimit dhe të replikës po në shtyp”, thuhet në strategjinë e PD-së. Nga ana tjetër, qeverisja e opozitës në rast se fiton zgjedhjet, angazhohet në respektimin e të drejtave të njeriut, reformat administrative, luftën kundër korrupsionit, rritjes së sigurisë së kufirit për ndalinim e trafiqeve të paligjshme, etj. Sipas strategjisë, këto masa do të përshpejtojnë ndjeshëm procesin e integrimit në BE, ndërsa fryetet e para të platformës qeverisëse, parashikohet të vilen në përfundim të mandatit të parë qeverisës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›