Topalli: KE do të rrisë numrin e monitoruesve
02/05/2005 Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, pas kthimit nga Strasburgu, ku mori pjesë në sesionin plenar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, deklaroi se ky institucion dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, po i kushtojnë një vëmendje të veçantë proçesit zgjedhor në Shqipëri. Sipas Topallit, Këshilli i Evropës ka vendosur ta çojë në 40, numrin e vëzhguesve parlamentarë për zgjedhjet, nga 30 që ishte në fillim. Nënkryetarja e parlamentit Topalli dhe Presidenti i PPE-së, i kanë kërkuan Asamblesë së KE-së, që të rritet numri i monitoruesve të Strasburgut. Në mbledhjen e byrosë parlamentare të Këshillit të Europës, u mor parasysh kërkesa e paraqitur nga Topallit dhe u vendos që numri i monitoruesve të shkojë në 40. "Komisioni Ad –Hoc, i cili do të vëzhgojë procesin zgjedhor, do të vijë që në qershor për të bërë një raport paraprak për problemet zgjedhore. Kjo tregon dhe një herë sesa i vendosur është Strasburgu, Brukseli, Uashingtoni dhe OSBE, të cilët kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk duhet harruar se Strasburgu e konsideron këtë moment si pikën kryesore që i jep përmbjatje demokracisë në Shqipëri", tha Topalli. Ky është numri më i madh i parlamentarëve Evropianë që kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet. Nga komuniteti Evropian, zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë cilësuar si kusht vendimtar për nënshkrimin e marrëveshjes së asociim stabilizimit, dhe më pas anëtarësimin e vendit në BE. Veç parlamentarëve të KE, këto zgjedhje priten të vëzhgohen nga një numër i madh organizmash të tjera ndërkombëtare.