PD, Mëhilli: Rama, autor i një tragjedie familjare 9-vjeçare
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, lëshoi dje akuza ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, duke thënë se ka qenë autor i një tragjedie familjare që ka zgjatur 9 vite. “Sot shtypi i ditës boton dosjen e plotë të qëndrimit dhe krimit të shëmtuar familjar të Edvin Ramës. Një dosje e një tragjedie të madhe njerëzore dhe familjare që zgjati 9 vjet rresht dhe që ka për autor kryesor kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edvin Ramën. Dhe po jua rikujtojmë edhe një herë që këtë dosje ia ka botuar për herë të parë në fletushkën e tij ndihmësi i tij kryesor sot Ymer Baze”, - deklaroi Mëhilli. Në të njëjtën deklaratë, zëdhënësja e PD-së, Mëhilli, lëshoi disa pyetje drejtuar direkt kreut të opozitës Rama. “Jam sot këtu për t’u bërë thirrje qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të mendojnë për një moment se çfarë është familja për këtë njëri? Çfarë është familja për Edvin Ramën, që, pasi ka rrahur e torturuar në mënyrë çnjerëzore bashkëshorten e vet, sulmon 3 herë në ditë familjen e të tjerëve pa asnjë fakt e dokument? Çfarë është familja për Edvin Ramën, që, pasi i ka mohuar për 9 vjet me radhë atësinë djalit të tij e madje duke akuzuar edhe babain e vet si baba të djalit, sulmon me çakejtë e tij fëmijët e familjeve të tjera? Çfarë është familja për Edvin Ramën, që i ka mohuar jo për 9 ditë, as për 9 javë, as për 9 muaj, por për 9 vjet rresht kafshatën e gojës fëmijës së tij? Çfarë është familja për Edvin Ramën, që së bashku me bashkëshorten del nudo në plazhe publike, duke u imponuar zonjave të nderuara, por mjerane të Partisë Socialiste t’i dalin zot akteve të tij të shëmtuara publike?”, - tha më tej zëdhënësja e PD-së duke shtuar: “Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjes njerëzore të çdo qytetari shqiptar të mendojnë dhe t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve, në interesin më të mirë të fëmijëve të tyre dhe familjeve të tyre”.