E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura e Matit në rrezik, policia në aksion për të bllokuar mjetet

 

BULQIZE - Efektiva të policisë rrugore dhe asaj të rendit gjatë gjithë ditës së djeshme kanë ngritur postblloqe në vendin e quajtur Qafa e Buallit, për të bllokuar mjetet e tonazhit të lartë që transportonin krom nga miniera e kromit Bulqizë, në drejtim të Portit të Durrësit. Zyrtarë të policisë rrugore Bulqizë pohuan se shkak për ngritjen e postblloqeve është bërë alarmi i dhënë nga drejtuesit e Komisariatit të Burrelit, se ura e Matit është në rrezik shembje. "Kemi marrë urdhër të bllokojmë të gjithë mjetet që kanë ngarkesë mbi normën e lejuar. Ministria e Transportit dhe ajo e Brendshme kanë urdhëruar policinë e Matit dhe atë të Bulqizës të marrin masa për bllokimin e mjeteve që lëvizin me pesha mbi 24 ton". Mirëpo specialistët e policisë rrugore dhe drejtuesit e mjeteve nuk e shohin si zgjidhje këtë bllokim. Mjetet që transportojnë krom kanë një peshë mbi 22 ton pa ngarkesë, ndërkohë që ura e Matit ka një kapacitet 24 ton. Pra, mjeti duhet të transportojë vetëm 2 ton mall. Dje shoferët e mjeteve të tonazhit të lartë kanë kundërshtuar urdhrin e dhënë, pasi ata janë licencuar për të transportuar deri në 36 tonë, edhe pse shumica e tyre mbajnë afro 70 tonë, 3 herë më shumë se kapaciteti mbajtës i Urës së Matit. Mbi 15 mjete të tonazhit të lartë, kryesisht të minierës së kromit, që menaxhohet nga firma ruso-austriake, janë bllokuar e kthyer mbrapsht nga policia rrugore e Bulqizës. Kjo urë është ndërtuar afro 80 vjet më parë nga specialistët italianë dhe ka një kapacitet mbartës 24 ton.                                 h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›