Shpejtësia me x5, vdesin 4 të rinj
GJIROKASTER
Katër të vdekur ka qenë bilanci tragjik i një aksidenti automobilistik, të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Gjirokastër. Një automjet BMW X5 ka fluturuar në ajër pas një përplasje vdekjeprurëse me bordurën ndarëse në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.
Të 4 shokët që udhëtonin me të kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, duke shënuar kështu aksidentin më të rëndë automobilistik të ndodhur në zonën jugore gjatë 12 viteve të fundit. Ngjarja sipas burimeve policore ka ndodhur pak minuta pas mesnate në afërsi të urës së Kardhiqit, përbri fshatit Humelicë rreth 6 km në veri të qytetit të Gjirokastrës. Në fuoristradën me targa italiane AN 289 CX, udhëtonin katër të rinj, përkatësisht Juljan Vaka 27 vjeç, Vladimir Shpata 28 vjeç, Armando Myrdykllari 29 vjeç dhe Altin Rryta 29 vjeç, tre të parët nga Përmeti, ndërsa Rryta nga Tirana. Ata ishin nisur nga Saranda, ku kishin kaluar mbrëmjen, për në qytetin e Përmetit, por duket se shpejtësia skëterre dhe terreni i lagësht, kanë qenë faktorët kryesorë, që ata mos të mbërrinin kurrë. Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje fill pas aksidentit, ka nxjerrë shkaqet e tragjedisë. Sipas tyre, automjeti ka humbur kontrollin fillimisht dhe është përplasur me një ishull trafiku që ndan rrugën kryesore me xhepin e saj, siç thuhet ndryshe sheshpushimi. Më pas, automjeti me të katër personat brenda tij, është përplasur me një bordurë të kanalit përbri autostradës. Kjo përplasje ka qenë fatale pasi në këtë moment autovetura fluturoi në ajër rreth 100 metra dhe ka përfunduar në fushë duke kryer një rrokullisje. Mendohet se pas rrokullisjeve të pakontrolluara, automjeti ka marrë flakë si pasojë e çarjes së serbatorit dhe daljes në sipërfaqe të karburantit. Të katërt viktimat kanë dalë nga automjeti fill pas përplasjes fillestare të tij nga forca e presionit, duke mos qenë askush prej tyre në momentet e rënies së zjarrit dhe kjo u vërtetua edhe nga kontrolli i imtësishëm, që kanë kryer zjarrfikëset gjatë shuarjes së flakëve në automjet. Një prej viktimave Vladimir Shpata ka qenë i vetmi, që është gjetur me shenja jete nga ndihma e shpejtë, por gjatë transportimit të tij në spital, ai ndërroi jetë. Grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe lagështira në rrugë si pasojë e motit të keq me shtrëngata shiu. Drejtuesi i automjetit, Vaka mendohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë makina, prodhim i fundit ka dalë nga rruga. Policia nga ana e vet ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet i janë përcjellë organit të akuzës për veprime të mëtejshme.