E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Ndërkombëtarët thirrje për maturi, Rama kundër

TIRANË- Partia demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të depuetetit socialist Saimir Tahiri, i cili ka akuzuar mazhorancën se po vjedh votat në tavolinë të kryetarit të tyre.

Nga Selia Blu në një deklaratë për mediat zëdhënësja e shtabit  elektoral të kandidatit të PD për kryetar bashkie Lulzim Basha Jorida Tabaku duke falenderuar numëruesit e të dy palëve theksoi se puna në KQz po bëhet sipas urdhrave të Kolegjit dhe kërkesës së vetë PS, ndaj nuk ka asnjë vend për manipulime.

“Të shtunën, Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor, pas ankesës që bëri vetë z.Rama. Të dielën, tha që KQZ po vepron nën urdhërat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ po vepron sipas urdhërit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste”,- deklaroi Tabaku.

Partia Demokratike ka bërë thirrje që palët tu përgjigjen deklaratave të ndërkombëtarëve për maturi dhe sipas Selisë Blu kreu i PS nuk po e bën një gjë të tillë.

“Komuniteti ndërkombëtar po na kërkon të gjithëve që të sillemi me maturi dhe të presim përfundimin e procesit dhe respektimin e vendimeve të institucioneve. I vetmi që po kundërshton këtë, është z.Rama. Ky proces, është më i rëndësishëm se sa, kush fiton apo kush humbet. Ky proces ka të bëjë me një standard themelor të zgjedhjeve të lira dhe dëgjimin e zërit të çdo qytetari”,- theksoi Tabaku

Nga ana tjetër PD ka akuzuar socialistët të cilët po tentojnë të prishin procesin zgjedhor, ndërkohë që nënvizoi se cdo votues ka mundësinë ta ndjekë drejtëpërdrejt në media numërimin e votës së tyre.

“Sot, Edi Rama akuzoi KQZ-në për manipulim të procesit. Nuk ka manipulime. Përvec faktit se sot, siç e ka parë i gjithë publiku, një vëzhguese e Partise Socialiste tentoi të manipulojë procesin duke thyer një kuti votimi. Çdo shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë numërimin drejpërdrejt në TV”, - tha Tabaku.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›