E Diel, 1 Nëntor 2026

Tartari dhe Selmanllari, zyrat në të njëjtën godinë

Deputeti socialist, Eduard Shalsi, tha deklaroi dje se Stream Oil dhe kompania Vizion Construction, kanë të njëjtën godinë


Socialistët akuzojnë kryeministrin Berisha se fshihet pas firmave që kanë fituar koncesionet


TIRANË - Kompanitë ku bashkëpronar janë njeriu që bashkëjeton me deputeten Albana Vokshi dhe miku i familjes së kryeministrit, Rrahman Selmanllari, janë vetëm një fasadë për të kamufluar përfshirjen në këto biznese të familjes Berisha.


Ky dyshim është hedhur dje nga Partia Socialiste përmes nënkryetarit të grupit parlamentar, Eduard Shalsi. Ky i fundit deklaroi dje "sipas formularit të regjistrimit të degës në Shqipëri të Stream Oil rezulton se kjo kompani dhe kompania Vizion Construction e bashkëshortit të Albana Vokshit dhe sekserit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllari kanë të njëjtën godinë".


Ai sqaroi se në Prill 2008 Tartari është emëruar përfaqësues ligjor i "Stream Oil" dhe vetëm pak ditë më pas është zhvendosur në të njëjtën godinë kompania "Vision Construction" ku aksioneri tjetër është miku i familjes Berisha, Selmanllari


"Dy kompani me emra të ndryshëm por me të njëjtët protagonistë në të njëjtën godinë dhe pas të cilave fshihet e njëjta dorë, ajo e familjes në pushtet që menaxhon bizneset nëpërmjet Selmanllarit. Këto janë faktet mbi të cilat mbështetëm dyshimet tona, fatkeqësisht ende pa përgjigje dhe që duket se janë vetëm maja e ajsbergut të korrupsionit në të cilin është zhytur kokë e këmbë ky pushtet", -deklaroi Shalsi.


Zyrtari socialist nënvizoi se "fakti që kompania e bashkëshortit Tartari që ka marrë në koncesion në mënyrë abuzive fusha nafte e gazi natyror me vlerë rreth katër miliardë euro, dhe kompania ku është bashkëpronar sekseri i Shkëlzen e Sali Berishës ndajnë të njëjtat zyra tregon qartë për përfshirjen e familjes kryeministrore në këtë aferë të pastër korruptive".


Partia Socialiste i ka kërkuar përmes deklaratave publike Sali Berishës të reagojë për këto dokumente që e komprometojnë rëndë rrethin e tij të ngushtë familjar e politik. "Heshtja e Sali Berishës përballë fakteve që po dalin në dritë çdo ditë, provon më së miri së të gjitha fijet e korrupsionit në këtë vend të çojnë vetëm në një adresë: tek kryeministri dhe familja e tij", -argumentoi nënkryetari i Grupit të PS.


Prej disa kohësh media dhe më pas opozita kanë publikuar fakte për koncesionet në industrinë e nxjerrjes së naftës që ka përfituar bashkëjetuesi i ish-këshilltares së Sali Berishës dhe deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.


Për opozitën, një rast i pastër korrupsioni dhe konflikti interesi i familjes në pushtet ku me një të rënë të lapsit të Sali Berishës, kompania "Stream Oil", ku është bashkëpronar bashkëshorti i Albana Vokshit, ka përfituar me koncesion tre fusha naftëmbajtëse dhe një fushë gazi natyror me vlerë mbi katër miliardë euro nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve.


Pas publikimit të disa dokumenteve nga gazeta "Shekulli" ku tregohet edhe lidhja e afërt mes Vokshit dhe Tartarit, çështja është marrë në hetim nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Kreu i këtij institucioni, Adriatik Llalla deklaroi se hetimi është fokusuar në konfliktin e interesit dhe ndikimin që ka pasur Albana Vokshi ose e motra, Mimoza (ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë) në vendimet e qeverisë që i kanë dhënë koncesionet Tartarit.

Shoqëritë që menaxhohen nga Arian Tartari

Përveç shoqërisë "STREAM OIL & GAS LIMITED" që me vendim të këshillit të ministrave ka ekzluzivitetin e përpunimit të hidrokarburanteve, Arian Tartari rezulton të jetë aksioner dhe në 4 shoqëri të tjera që çuditërisht po me vendime të këshillit të ministrave përfitojnë koncesione nga qeveria shqiptare.


Ajo që bie në sy është fakti që të gjitha këto shoqëri janë krijuar gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Këta aksioner janë njerëz të përfolur si të afërt me familjen kryeministrore.


Kështu z. Tartari rezulton të jetë përfaqësues i shoqërisë "VISION CONSTRUCTION". Kjo kompani është krijuar në vitin 2007 dhe operon në fushën e ndërtimit, prodhim materiale ndërtimi, tregti mallrash të ndryshëm etj.


Një tjetër kompani ku z. Tartari bëhet aksioner vetëm një vit më vonë është "TREVI Group" dhe ka objekt të punës së saj punime dheu, sistemime, ndërtime civile, vepra arti, tregti artikuj të ndryshëm. Duket se jashtë vëmendjes së z. Tartari nuk janë as ndërtimi i ujësjellësve dhe kanalizimet.


Referuar dokumentacioneve bashkëshorti i znj. Vokshi rezulton të jetë i përfshirë dhe në shoqërinë "ART - CONSTRUCTION", ky objekti kryesor i veprimtarisë së saj është pikërisht kjo fushë. Një tjetër shoqëri e krijuar po gjatë qeverisjes së PD-së dhe ky z. Tartari rezulton të jetë aksioner është "ALBAENERGIAPLUS" sh.p.k.


Megjithëse ishte një vit e krijuar, me vendim të Këshillit të Ministrave kjo shoqëri e përfaqësuar nga babai i fëmijës së znj. Vokshi arrin të përfitojë marrëveshje koncensionare në ndërtimin e hidrocentraleve në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›