E Diel, 1 Nëntor 2026

Pikat e dobëta janë problemet që ka zona

16/06/2005  Kandidati i PS-së, Qazim Sejdini, vlerëson Kodin e Etikës

Ku e mbështesni programin tuaj, në platformën e partisë apo në specifikën që ka zona?

Patjetër që programi i Partisë Socialiste është konkret, realist dhe i përgjigjet zhvillimit të vendit në nivel kombëtar. Por platforma ime mbështetet në specifikat e zonës dhe problemet e saj.

Cilin quani rivalin tuaj kryesor dhe cila është strategjia juaj?

Për mua, rivalë të fortë do të ishin ata që njohin problemet e zonës, kanë probleme të realizueshme zhvillimi si dhe që kanë dhënë prova në karrierën e tyre, mund të marrin përgjegjësi publike. Në këtë kuptim, nuk shoh ndonjë rival potencial. Lufta ime do të jetë platforma e zhvillimit të zonës, si edhe provat që kam dhënë se di t'i mbaj premtimet e dhëna.

Ku është pika më e fortë dhe më e dobët e juaja në këtë fushatë? Po e rivalit?

Për rivalët nuk di ç'të them se cila është pika më e dobët, për vete mendoj se kam dhënë prova se jam i ndjeshëm ndaj problemeve të zonës dhe kam ditur t'u përgjigjem nevojave të njerëzve. Duke qenë prefekt prej mëse dy vjetësh, unë kam një njohje të thellë të shqetësimeve të qytetarëve si dhe një perspektivë konkrete zgjidhjesh.

A do ta respektoni etikën, dhe a mendoni se këtë do ta bëjë edhe kundërshtari juaj politik?

Patjetër që do të respektoj etikën, sepse, parasëgjithash, unë mendoj se i përkas traditës së qytetarisë elbasanase, e cila është e njohur për frymën e tolerancës, mirëkuptimit dhe tolerancës, mirëkuptimit dhe progresit. Duke qenë se në filozofinë time unë vij të shërbej dhe jo të fitoj pushtet dhe privilegje personale, unë do të respektoj vullnetin e votuesve, të cilët kam besim se në çdo rast do të dijnë të bëjnë zgjedhjen e duhur, pra të zgjedhin njeriun më të mirë për një Elbasan më të mirë.

A besoni në sondazhe dhe nëse po, si i vlerësoni ato?

Sondazhet si ato të "Mjaft" apo të "NDI"-së nuk mendoj se lidhen drejtpërsëdrejti me zonën 54, ku unë kandidoj. Po kështu, ato nuk marrin parasysh reputacionin e kandidatëve të caktuar në zona të veçanta. Strategjia elektorale e ekipit ku unë punoj nuk përfshin rivlerësimin e vazhdueshëm të punës së bërë, por edhe sondazhet e opinionit, të cilat realizohen nga ekipi, janë për përdorim brenda stafit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›