E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shkeljet” Kushtetuese dhe Demokracia Shqiptare

Aldo Bumçi 

Gjatë këtij mandati qeverisës Gjykata Kushtetuese ka shpallur një numër të konsiderueshëm ligjesh dhe vendimesh (nene të caktuara) si antikushtetuese. Për nga intensiteti ky zhvillim është i pakrahasueshëm me qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese në periudhën e qeverisjes së Partisë Socialiste, edhe pse për një periudhë shumë ...më të gjatë kohe në qeverisje. Ky fakt është përdorur nga opozita e majtë dhe të tjerë kritikë të qeverisë si një nga argumentet më të fortë për të sulmuar qeverinë. Që nga fillimi i qeverisjes nga shumica e djathtë, opozita e majtë është rrekur të ndërtojë një argument të tërë politik që vërtitej rreth të ashtuquajturit rrezik që i kanosej institucioneve të pavarura nga shumica dhe përpjekjet e kësaj të fundit për t’i vënë institucionet e drejtësisë nën diktatin e saj dhe, si rrjedhim për të kërcënuar demokracinë e brishtë shqiptare. Dhe pikërisht ato që janë quajtur “atentate ndaj kushtetutës” janë përdorur për të mbështetur këtë linjë argumenti. Në fakt, nuk ka deformim më të madh të së vërtetës sesa kur zhvillime që shumë qartë flasin për një realitet tërësisht tjetër interpretohen për të kundërtën e tyre. Por përpara se të analizoj domethënien politike të shpalljes së disa ligjeve si antikushtetuese është me vlerë të vëmë në dukje një anë tjetër të këtij debati.
Në radhë të parë, është mjerane të ndërtosh një argument politik duke përdorur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë fjala e fundit për çështjen që diskutohet. Politika si fushë veprimi nuk merret asnjëherë me çështje, të cilat marrin një zgjidhje përfundimtare nga një mekanizëm i paracaktuar ligjor. Politika nuk merret me të vërteta përfundimtare, por me çështje të cilat janë në mënyrë të vazhdueshme objekt i vlerësimit nga qytetarët nëpërmjet votës së tyre. Kështu shumicat qeverisëse nuk janë asnjëherë të përcaktuara një herë e përgjithmonë, por duhet të provohen çdo katër vjet. Po e njëjta gjë ndodh me programet qeverisëse, shërbime ose industri, të cilat kanë qenë nën kontrollin publik, i cili gjykohej si mënyra më eficente për t’i administruar, sot po privatizohen. Debati dhe ndryshimet ndërmjet forcave politike ekzistojnë pikërisht, sepse kanë frymëzime të ndryshme ideore dhe programore në lidhje me paketën më të saktë të reformave për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit, dhe gjykatësi për programet dhe ekipet e ndryshme qeverisë nuk mund të jetë një gjykatës tjetër përveç zgjedhësve. Ndërsa dyshimet dhe pretendimet se një ligj i caktuar bie ndesh me Kushtetutën, mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese që i jep zgjidhje kësaj çështje në mënyrë përfundimtare. Dhe Gjykatat Kushtetuese të Italisë dhe Gjermanisë kanë të njëjtën natyrë funksionimi, dhe nuk janë as të papuna, por vlerësimi i kushtetutshmërisë së ligjeve nuk instrumentalizohet politikisht.
Për ta bërë sa më të qartë argumentin, dëshiroj të marr si shembull ligjin e parë, gjatë këtij mandati, që Gjykata shpalli si antikushtetues. Ndryshimet që u propozuan në ligjin për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) ishin një nismë që u votua dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndryshimet ligjore e kthenin KLD-në në një organ me kohë të plotë; u gjykua që anëtarët e gjyqësorit në KLD në momentin që zgjidheshin në këtë institucion duhet të shërbenin atje me kohë të plotë dhe jo të punonin dhe si gjykatës në të njëjtën kohë, për t’u kthyer përsëri në pozicionet e tyre në gjyqësor mbas mbarimit të mandatit. Kjo nismë u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, e cila e vlerësoi atë si antikushtetuese me një votim 5 me 4. A mund të përdoret politikisht ky fakt? Spanja një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe i vlerësuar me një nivel shumë të lartë të pavarësisë së gjyqësorit ka të njëjtin rregullim – gjyqtarët e zgjedhur në KLD punojnë me kohë të plotë. Pothuajse gjysma e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese 4 nga 5, ishin të mendimit se kjo nismë nuk është anti-kushtetuese. Diferencën e bëri një votë e vetme. Fakti që edhe anëtarët e Gjykatës kishin mendime të ndryshme, është mëse i mjaftueshëm për të treguar se vlerësimi nëse një ligj është kushtetues ose jo është një çështje që nuk mund të politizohet.
Në fund, nëse shpallja e disa ligjeve si antikushtetuese ka një domethënie dhe mesazh politik, ky nuk është aspak në drejtimin e treguar nga opozita si tregues i prirjeve autoritariste dhe i dëshirës për të vënë nën diktat institucionet e pavarura dhe gjyqësorin. E vërteta është diametralisht e kundërt. Fakti që Gjykata Kushtetuese shprehet kundër ligjeve të votuara nga shumica qeverisëse, tregon se është e lire dhe e pavarur për të shprehur gjykimin e saj. Në një vend me një përvojë të shkurtër demokratike dhe si rrjedhim me institucione të brishta, të cilat mund të nënshtrohen ndaj vullnetit të shumicës, ky zhvillim është treguesi më i mirë i një vullneti tjetër politik të treguar nga shumica e djathtë. Me ardhjen në pushtet shumica e djathtë ndërmori debatin më të gjerë publik në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe nevojën e reformimit të tij. Edhe pse ky debat u paragjykua në fillim, ishte pikërisht kjo nismë që çliroi energjitë pozitive që sollën ndryshimet e mëpasme. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste nuk u ndërmorën asnjëherë debate të tilla publike për nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe kjo jo se nuk kishin nevojë, por sepse me metodën socialiste të menaxhimit të gjërave socialistët kishin siguruar nënshtrimin e institucioneve të pavarura në këmbim të favoreve të ndryshme. Prandaj dhe nuk kishte as debate dhe as kundërshti në një vend me probleme shumë të mëdha në sistemin e drejtësisë. Nuk është e largët koha kur Gjykata Kushtetuese jepte mandate deputetësh në zgjedhjet e 2001 për qeverinë e majtë, duke zbatuar standarde kundërshtuese si bazë për vendimet e saj. Në fakt, ndryshimi është thellësisht i madh – Gjykata Kushtetuese ka evoluar nga dhurim mandatesh për shumicën në pushtet në vendime të lira dhe të pavarura. Nuk ka lajm më të mirë për konsolidimin e demokracisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›