E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, 103 vota kundër Topit

Kuvendi miraton me 103 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenime ndryshimin e rregullores së këtij institucioni. 

ADI SHKEMBI

Pas debateve të shumta, që kanë çuar edhe në bojkotimin e seancave nga ana e opozitës, në mbledhjet e mëparshme, konsensusi i arritur të premten e kaluar në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve është pasqyruar edhe në votimin e djeshëm. Në votim kanë dalë kundër deputetët e LSI-së, deputeti i PS-së, ish-ministri Luan Memushi, ndërkohë që ka abstenuar ministri i Shëndetësisë, njëherësh kryetar i PDK-së, Nard Ndoka si dhe deputeti i pavarur, Gilman Bakalli.
Rregullorja
Sipas ndryshimeve të një nate më parë, Kryetarja e Kuvendit do të ketë të drejtë të negociojë me institucionin që propozon kandidaturat, në rast se këto të fundit në vlerësimin e Komisionit të Ligjeve nuk plotësojnë kriteret kushtetuese. Nëse institucioni propozues nuk shprehet lidhur me këtë çështje, procedurat e votimit nuk mund të vazhdojnë. Kështu, pas pikës 6 të nenit 111 të Rregullores së Kuvendit, shtohet neni 7, në të cilin thuhet se, "në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni nëpërmjet raportit të tij i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje". Gjithashtu Komisioni i Ligjeve nuk do të ketë më 10 ditë kohë për shqyrtimin e kandidaturave, por tri javë.
Debatet
Ndërkohë, gjatë diskutimeve para miratimit të ndryshimit të rregullores së Kuvendit, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tha se me ndryshimin e nenit 111 ka ndërhyrje në kompetencat e pushteteve të tjera. "Jemi kundër nenit 111, pasi kemi ndërhyrje flagrante ndaj një pushteti tjetër. Mendoj se çështja e dekreteve, ndryshimi i rregullores duhet të kalojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Votoj kundër kapërcimit të pushtetit gjyqësor", theksoi Xhufi. Ndërsa Spartak Braho tha se, "këto procedura vetëm në vendet islamike miratohen. Parlamenti duhet të shprehet pro ose kundër për dekretet e Presidentit, të cilat votohen dhe nuk duhet që Komisioni i Ligjeve t'i kthejë. Keni rikthyer një nen të amendimeve të deputetes Trashani për kundërfirmën e dekreteve". Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti i PSD-së, Ëngjëll Bejtaj, sipas të cilit "do votojmë kundër. Këtu pranohen gabimet për mënyrën se si u bënë ndryshimet në Kushtetutë".

Mocioni i besimit për Kryeministrin

Sipas ndryshimeve të rregullores së Kuvendit, në pikën 4 të nenit 100 cilësohet: "Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit sipas nenit 105 të Kushtetutës".

ndryshimet ne rregullore

Neni 111, pika 3
3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tri javëve nga marrja e kërkesës.
Neni 111, pika 4
4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, bëhet nga Kuvendi me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës tre të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
Pas pikës 6 shtohet pika 7
"Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur kandidatura nuk plotëson kushtet ligjore të vendosura në Kushtetutë apo ligj, komisioni nëpërmjet raportit të tij, i kërkon Kryetarit të Kuvendit, të njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e këtyre kritereve. Procedura e shqyrtimit në Kuvend vazhdon vetëm në rastin kur institucioni propozues shprehet lidhur me këtë çështje.

votimi

Votat kundër dhe abstenim
Në tërësi
103 vota pro
9 kundër
dhe 2 abstenime

Votat kundër
Spartak Ngjela
Luan Memushi
Spartak Braho
Ilir Meta
Pëllumb Xhufi
Nikollaq Neranxi
Dritan Prifti
Engjëll Bejtja
Ndre Legisi

Votat abstenuese
Nard Ndoka
Gilman Bakalli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›