E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS replika në distancë

29/06/2009  Konflikti mes dy forcave kryesore për stilolapsat me kamera

Për socialistët i rregullt përdorimin i tyre. Demokratët: Po shkelet ligji

Stilolapsat me kamera krijuan një atmosferë të pakënaqshme mes dy kampeve politike, që krijoi një impakt negativ në radhët e votuesve shqiptarë. Më qartë, ishin një sërë mjetesh, ku ndër ta dhe stilolapsat me kamera të vënë në dispozicion nga Partia Socialiste për komisionerët dhe anëtaret e saj në qendrat e votimit ato që shënuan dhe përplasjen e parë mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, si në këto qendra, ashtu dhe mes drejtuesve të partive në qendër. Nga selitë përkatëse nuk munguan kritikat dhe akuzat e ndërsjella. Partia Demokratike denoncoi gjatë një konference për shtyp rastin më konkret kur një nga kandidatët për deputetë të PS-së për Qarkun e Tiranës, Sajmir Tahiri, ishte futur në qendrën 1862 në Kombinat me një stilolaps me kamerë. Sipas demokratëve, stilolapsa të tillë ishin përdorur në disa qendra votimi jo vetëm në kryeqytet, por dhe në rrethe të tjera. Sipas socialistëve, përdorimi i këtyre mjeteve nuk është i kushtëzuar nga ana ligjore.

Partia Demokratike

Zëdhënësja e fushatës për demokratët, Majlinda Bregu, denoncoi përdorimin e kundërligjshëm të stilolapsave me kamera që janë përdorur nga Partia Socialiste për të fotografuar votën. “Ky stilolaps është ai që i kanë marrë Sajmir Tahirit në Kombinat, i përdorur në mëngjes në një pjesë të qendrave të votimit nga kandidatët socialistë. Ju siguroj se përveç një liste të materialeve që janë të lejuara sipas Kodit Zgjedhor për të qenë prezent në qendrën e votimit dhe një pajisjeje të posaçme për të verbrit nuk lejohet asnjë material tjetër”, - deklaroi Bregu. Ndërkohë Bregu paralajmëroi se “asnjë mjet të këtij lloji që i ka shkuar në mend Kastriot Islamit, Sajmir Tahirit apo frymëzuesit të tyre të hiles, Edi Ramës, që do të përdoret për të dëmtuar procesin zgjedhor në Shqipëri, qoftë stilolaps, qoftë orë, kamera, metër nuk di çfarë mund t’ju ketë shkuar në mendje zotërinjve, sepse e kanë mendjen te hilet dhe jo te standardet, mund të shpikin orë pas ore çfarëdolloj gjëje. Ju siguroj se çfarëdo që të bëjnë për të dëmtuar procesin zgjedhor, do të jetë jo vetëm objekt konfiskimi nga ana jonë, por dhe pjesë për t’u trajtuar më pas brenda ligjit në Shqipëri nga organet kompetente”.

Partia Socialiste

Në gjykimin e Partisë Socialiste masat e ndërmarra prej saj për të garantuar standardet e zgjedhjeve kanë frikësuar kundërshtarin e saj politik. Sipas kandidatit për deputet të PS-së Kastriot Islami, të gjithë ata që bëjnë manipulime, që kërkojnë të bëjnë manipulime, që kërkojnë t’i shmangen procesit zgjedhor normal konform Kodit Zgjedhor, u frikësuan nga masat e socialistëve. “Fatkeqësisht, në Kombinat shoqëruesi i Bujar Nishanit bashkë me një punonjës të SHKB-së, me armë, kanë ndaluar dhe goditur Sajmir Tahirin, sepse mban mjete moderne për të filmuar manipulimin. Nuk e kuptoj pse ka frikë Bujar Nishani, pse kanë frikë njerëzit rreth tij, pse kanë frikë ata nga transparenca? Të jenë të sigurt se nuk do t’u shpëtojnë syve tonë, sepse veç medies ka edhe mënyra të tjera, si me satelit, me skype dhe me mjete të tjera. I kërkojmë Bujar Nishanit urgjentisht të distancohet nga ky fakt”, - deklaroi Islami. Sipas tij, nuk e pengon ligji asnjë lloj mjeti për të vëzhguar manipulimet.

Deklarata e Islamit

“Ligji s’pengon vëzhgimin e manipulimeve”

Partia Socialiste reagoi pas incidentit në Kombinat, ku demokratët arritën t’i rrëmbenin stilolapsin me kamerë kandidatit për deputetë Sajmir Tahiri. Sipas Islamit, nuk e pengon ligji asnjë lloj mjeti për të vëzhguar manipulimet. Kandidati ka shkuar për të parë nga jashtë procesin në një qendër votimi, nuk është futur brenda. Unë, po të isha ministër i Brendshëm, nuk do ta bëja kurrë këtë gjë. Është turp. Zoti Nishani duhet të distancohet urgjentisht nga ky incident. Urgjentisht të largohet turpëroja e tij, të largohet personi i SHKB-së, i cili nuk mundet të kontrollojë votuesit e kandidatët, e shumta mund të kontrollojë policët, është shumë e gabuar. Jemi të vendosur. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të qetë dhe të shkojnë të votojnë pasivisht”, - theksoi Islami.

Mikrokamerat e PS-së në votime

Gazeta “Metropol” publikoi dy muaj më parë lajmin

Përdorimi i mikrokamerave në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nga ana e Partisë Socialiste ishte një lajm i publikuar që dy muaj më parë nga gazeta “Metropol”. Nga burime pranë selisë rozë qe bërë me dije se për të monitoruar procesin zgjedhor, konkretisht votimet e 28 qershorit, socialistët do të pajisnin komisionerët e tyre me mikrokamera, me qëllim monitorimin e manipulimeve të mundshme nga ana e kundërshtarit të tyre politik. Kështu, në datën 24 prill gazeta publikoi se lidershipi i Partisë Socialiste kishte vendosur që deri në fund të atij muaji të mbledhë kryesinë e kësaj partie për të miratuar projektin final mbi garën elektorale. Njëkohësisht u mësua se kupola rozë kishte mirorganizuar çdo detaj që lidhet me procesin zgjedhor, e sidomos në ditën kur sovrani do t’i drejtohet kutive të votimi, pra më 28 qershor. Për këtë arsye, duke dashur t’i paraprijë çdo manipulimi të pritshëm, socialistët kishin menduar të vënë në punë një plan sekret: pajisjen e komisionerëve socialistë me mikrokamera. Kjo veçanërisht në ato zona ku kupola rozë është sinjalizuar për ndonjë tentativë nga ana e mazhorancës për të manipuluar rezultatin, por dhe në ato zona ku nga eksperiencat e mëparshme ka rezultuar një situatë e tillë.

Akuza e Bregut

PS-ja përpjekje për dëmtimin e procesit

Partia Demokratike denoncoi përdorimin, sipas saj, të kundërligjshëm të stilolapsave me kamera që janë përdorur nga Partia Socialiste për të fotografuar votën. Zëdhënësja e fushatës së demokratëve, Majlinda Bregu, ka deklaruar se në qendrën e votimit 1862 në zonën e Kombinatit, në Tiranë, kandidati për deputet i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri ka tentuar të dëmtojë procesin e votimit nëpërmjet gjurmimit dhe spiunimit të votës së lirë. “Asnjë mjet të këtij lloji që i ka shkuar në mend Kastriot Islamit, Sajmir Tahirit apo frymëzuesit të tyre të hiles, Edi Ramës, që do të përdoret për të dëmtuar procesin zgjedhor në Shqipëri, qoftë stilolaps, qoftë orë, kamera, metër, nuk di çfarë mund t’ju ketë shkuar në mendje zotërinjve, sepse e kanë mendjen te hilet dhe jo te standardet, mund të shpikin orë pas ore çfarëdolloj gjëje”, - deklaroi Bregu. Ajo tha se materialet e kapura do t’i dërgohen KQZ-së si provë.

Replikat

Partitë akuza për blerje votash

Partitë më të madhe politike shqiptare kanë ngritur akuza kudër njëra-tjetrës për blerje votash. Partia Socialiste ka akuzuar rivalen e saj kryesore, Partinë Demokratike, duke u shprehur se eksponentë të saj u kanë shpërndarë shuma parash votuesve të thjeshtë në këmbim të votës. Në Qarkun e Shkodrës nga e djathta u ngritën akuza se kandidatë për deputetë të Partisë Socialdemokrate po shpërndanin para votuesve të thjeshtë në këmbim të votës. Ky lajm u përgënjeshtrua menjëherë nga dega e kësaj partie në Shkodër. Por ky fenomen negativ është hasur edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Kështu, në Qarkun e Korçës kreu i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka ngritur zërin mbi tentativat për korrupsion politik si ditën para zgjedhjeve, ashtu edhe gjatë saj. Kandidati socialist tha se është bërë gati një listë me emrat e këtyre personave. “Kemi një listë të gjatë të zezë me emrat e atyre personave që kanë shpërndarë lekë në Korçë për të blerë votën”, - mësohet të ketë thënë kandidati për deputet i PS-së. Por ky pretendim i tij është hedhur poshtë nga zyrtarë të së djathtës në këtë qark.

Reagimi i policisë së Tiranës

Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me incidentin që u shënua dje në mëngjes në Kombinat. Nga burime zyrtare të policisë së Tiranës mësohet se në zonën e Kombinatit rreth orës 9:45 në qendrën e votimit nr. 1862 pranë shkollës “Shyqyri Peza”, nga komisioni i qendrës së votimit është kërkuar ndërhyrja e policisë për nxjerrjen jashtë të shtetasit Mihal Xhaka, vëzhgues i subjektit politik Partia Socialiste, i cili, sipas KQV-së, mbante sende të palejuara në qendrën e votimit. Me mbërritjen e forcave të policisë, komisioni i qendrës së votimit mori një vendim të dytë me shumicën e anëtarëve të tij që shtetasi Mihal Xhaka të mos shoqërohej në polici dhe të zëvendësohej më një tjetër, duke shfuqizuar vendimin nr. 01 të tij. Pas rivendosjes së rendit në qendrën e votimit, forcat e policisë u larguan për në vendqëndrimet e lejuara sipas vendimit të KQV-së. Veprimet e policisë u bënë në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe me udhëzimin përkatës. Kësisoj, gjendja u stabilizua vetëm brenda pak minutave, ku të gjithë vepruan brenda kornizave ligjore që përcakton Kodi Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›