E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD-Ps mendime të kundërta mbi punën e KQZ gjatë vitit 2004

18/04/2005  Ilirian Celibashi raporton në kuvend problemet e hasura gjatë zgjedhjeve të shkuara

Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, raportoi dje në parlament për veprimtarinë e kryer gjatë gjatë vitit 2004, prej institucionit që ai drejton. Zgjedhjet në komunën e Dushkut për këshillin bashkiak, përmirësimi i rregullores së KQZ-së, si dhe aktet për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme, sipas raportit kanë qenë pikat kryesore të punës së institucionit të zgjedhjeve për vitin e shkuar. Për sa i përket zgjedhjeve në komunën e Dushkut për këshilltarët bashkiakë, raporti vë theksin në punën e KQZ-së, në përgatitjen e infrastrukturës, siç janë dërgimi i fletëve të votimit, evidentimi i zgjedhësve, nxjerrja e rezultatit brenda afateve ligjore etj. Raporti shprehet se zgjedhjet në këtë komunë si pasojë e organizimit të punës, kaluan të qeta dhe pa probleme. Një pikë e rëndësishme, sipas raportit të KQZ-së, është dhe përmirësimi i rregullores së këtij institucioni. Celibashi theksoi se rregullorja e mëparshme kishte mangësi të theksuara dhe nuk përshtatej me përmirësimet në kodin zgjedhor. Roli i policisë në zgjedhje, afatet e lajmërimit, roli i ndëmjetësimit të KQZ-së mes pushtetit vendor dhe atij qendror në funksion të votimeve janë pjesë e përmirësimeve që ka pësuar rregullorja e re Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë vitit 2004, sipas Celibashit, KQZ-ja ka punuar dhe për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për vitin 2005, dhe ka nxjerrë një sërë aktesh normative në funksion të kësaj çështjeje në përputhje me ligjin dhe kompetencat e këtij institucioni.

Ilir Zela

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Zela, gjatë fjalës së tij akuzoi opozitën për sulme politike ndaj KQZ-së. “Raporti flet për një bilanc pozitiv të vitit që shkoi nga ana e KQZ-së. Problemi këtu është se institucioni i zgjedhjeve vazhdon të sulmohet nga opozita. Kam përshtypjen se edhe këtë herë këto zgjedhje do të sulmohen”, tha Zela.

Fatos Beja

Deputeti i PD-së, Fatos Beja, theksoi se KQZ dhe kryetari i saj kanë dështuar në organizimin e zgjedhjeve. “Ka që nga viti 2001, që zgjedhjet kontestohen për shkak të parregullsive në lista. Janë zhvilluar tri palë zgjedhje, dhe ky problem nuk është zgjidhur. Deri në këtë kohë listat e zgjedhësve kanë qenë kompetencë e KQZ-së”

Jemin Gjana

Nënkryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Jemin Gjana, tha se kreu i Komisionit qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka abuzuar me fondet e insitucionit të tij. “Tenderat e dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe me firmë direkte të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kanë sjellë buxhetit të shtetit miliona lekë dëme”, tha Gjana.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›