E Diel, 1 Nëntor 2026

PDSH: Nuk heqim dorë nga gjuha shqipe

Më 17 gusht do të pasojë debat i ashpër midis partive politike për Ligjin për Parlamentin, me ç`rast janë paraparë amendamente nga opozita shqiptare për plotësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e Parlamentit.
Pikërisht koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu ka theksuar se kërkesa e partisë së tyre është e qartë një kohë të gjatë se gjuha shqipe të jetë zyrtare në tërësi në kuadër të Parlamentit.
“Qëndrimet tona janë të qarta që para një viti dhe se edhe raporti i Komisionit Evropian bën të qartë faktin se patjetër duhet të merren parasysh sugjerimet e PDSH-së sa i përket përdorimit të gjuhë shqipe”, ka theksuar Aliu, duke shtuar se deputetët e partisë së tyre kanë amendamentet për të kërkuar përdorimin e tërësishëm të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase.

Sipas tij, PDSH-ja ndjek politikën shantazhuese dhe inkriminuese të Demokracisë së Re, e cila është dorë e zgjatur e Gruevskit dhe tani dëshiron të implikohet gjoja për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Ata po tregojnë para opinionit se janë dëmtues dhe përçarës me qëllime të inkriminuara dhe të diriguara nga Gruevski. Kjo parti u pa se funksionon me Gruevskin edhe në rastin e strategjisë nacionale për emrin të propozuar nga Andovi, kur pikërisht deputetët shërbëtor të Gruevskit, gjegjësisht të DR-së propozuan amendamente, që ishin instrumentalizuar nga partia e Gruevskit. Me këtë ata realizuan qëllimin e këtij të fundit”, ka theksuar deputeti Aliu, duke kërkuar që kjo parti të tërhiqet nga skenaret e errëta. Shefat e grupeve parlamentare janë dakorduar që nga mesi i gushtit të hyjë në procedurë parlamentare edhe ligji për nëpunës shtetëror.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka theksuar se deri tani është paraparë një agjendë e ngjeshur për miratimin e ligjeve të kërkuara nga BE-ja, në bazë të afateve të përcaktuara, para shpalljes së raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Pritet që partitë politike parlamentare të caktojnë anëtarë të grupeve punuese, të cilët do të merren me çështjen e precizimit të Ligjit për Parlamentit. (ina/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›