E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Shkodranët nuk bien pre e trillimeve të Ramës



Pavarësisht tentativës së Edi Ramës për të përdorur shkodranët kundër PD-së për çështjen e ndërtimit të centralit bërthamor në Shkodër, demokratët kanë besimin e plotë se gëzojnë çdo ditë e më shumë mbështetjen e qytetarëve shkodranë. PD-ja i cilësoi mashtrime deklaratat e zëdhënëses së Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, për uljen e nivelit të mbështetjes së PD-së në Shkodër pas njoftimit për ndërtimin e centralit bërthamor në këtë qytet. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, theksoi dje se ''Kodheli mashtron me një zinxhir gënjeshtrash për qytetin e Shkodrës me fjalët false të Ramës, që ai kishte paguar në një gazetë kroate'', duke shtuar: ''Kodheli po keqpërdoret nga Rama, duke thënë gënjeshtra para mediave me fjalët e tij, njëlloj si Braçja e Balla''. Duke iu referuar të dhënave të Kodhelit për elektoratin në qytetin e Shkodrës, Mëhilli deklaroi: ''Partia Socialiste në Shkodër është gjithsej 13% dhe me këtë zinxhir gënjeshtrash që prodhon kjo forcë politike, do të përfundojë më keq se kaq''.

Topi: Zgjedhjet, treguesi i stabilitetit politik

Presidenti Bamir Topi e njohu dje ministren britanike të Shtetit dhe Sigurisë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Winfrid Ann Taylor me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Topi u ndal tek hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2009, duke theksuar se këto zgjedhje do të jenë tregues i dukshëm i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend dhe si kriter me rëndësi për kandidaturën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje gjithashtu se realizimi i suksesshëm i reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës, garantimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, konsiderohen si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi, pasi falënderoi qeverinë britanike për ndihmën e dhënë ndaj vendit tonë në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri dhe pasi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh të deritanishëm në fushat politike, në reformimin e forcave të armatosura, procesin e çarmatimit të municioneve, të rendit etj., shprehu interesimin për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe parashtroi kërkesën për më shumë shkëmbim përvojash në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes në vend, në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›