PD zbardh dëshminë e Ramës në gjyqin e divorcit me Matildën
Në ditën e skadimit të afatit të ultimatumit që PS-ja i vendosi Kryeministrit Berisha për të hapur kutitë e 28 qershorit, PD-ja zbardhi dje rrëfimet e Edi Ramës në gjyqin e divorcit me aktoren e njohur Matilda Makoçi. Përmes një dokumenti që disponojnë demokratët, Rama mohon atësinë e djalit të vetëm, Grigorit, fakt të cilin e denoncoi dje zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Erla Mëhili rrëfeu me detaje dëshminë e Ramës dhënë në gjyq ku ai ka mohuar se fëmija është i tij. “Sot (dje) në media është publikuar një faksimile e procesverbalit të mbajtur në procesin gjyqësor të divorcit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edvin Rama (i njohur ndryshe dhe me emrin Edi Rama), në të cilin zotëria deklaron se, po jua lexoj të plotë siç është publikuar në gazetë nga dokumentet origjinale: “I pandehuri (Edi Rama) ka filluar të sillet ftohtë kur ka mësuar se paditësja është shtatzënë. Në atë kohë, pra në janar të vitit 1990, i padituri është ftohur me të dhe nga ajo kohë nuk kanë pasur më marrëdhënie. Shkak janë bërë pretendimet e të pandehurit se ai nuk lind fëmijë, për arsye mjekësore dhe nuk ka pranuar të quhet fëmija i tij”, - deklaroi Mëhilli. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, shtoi më tej se Edi Rama i ka deklaruar trupit gjykues fjalë për fjalë (marrë nga procesverbali origjinal): “Unë nuk jam në gjendje shëndetësore të pranueshme për të lindur fëmijë. Nuk pranoj që është fëmija im dhe nuk pranoj as ekzaminime laboratorike për këtë. Nuk rris unë fëmijë të të tjerëve”. “Siç, shihet qartë edhe nga dokumentet origjinale të publikuara deri tani, të cilat për herë të parë ia ka publikuar në fletushkën e tij ndihmësi i tij kryesor aktual, Ymer Baze, denoncimi i këtij fakti të rëndë nuk është shpifje apo sajesë e Partisë Demokratike, por e vërteta lakuriqe dhe e shëmtuar, protagonisti i vetëm i së cilës është Edvin Kristaq Rama, kryetari aktual i Partisë Socialiste, i njohur sot ndryshe me emrin Edi Rama”. Sipas PD-së, fakti është fakt dhe nuk është sulm e as akuzë e aq më pak për motive politike! Ajo vuri në dukje se njeriu që i ka mohuar atësinë fëmijës së vet së bashku me kafshatën e gojës e që sot e përdor edhe për qëllime elektorale (e kjo është makabritet dhe jo ndjesi prindërore) nuk ka se si të mos u mohojë shqiptarëve votën e lirë, lëvizjen e lirë, të ardhmen e tyre evropiane. “Ky njëri që mohon fëmijën e vet, nuk mund të ndërtojë të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve”, - përfundoi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.