E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen më 4 shtator

22/01/2005  Opozita shqiptare do t'i kërkojë Presidentit Moisiu shtyrjen e datës së zgjedhjeve në javën e parë të shtatorit, nëse do të jetë e pamundur zhvillimi i tyre në qershor. Burime nga Partia Dmokratike thanë dje për "Metropol" se po shikohet mundësia për hyrje në bisedime me Presidentin e Republikës, zhvillimin e zgjdhjeve më datë 4 shtator të 2005. një qëndrim i tillë vjen pas deklaratës së presidencës, se zgjedhjet do të zhvillohen më 4 korrik. Sipas demokratëve, zhvillimi i zgjedhjeve në muajt e pushimeve do të cënojë rëndë identitetin e zgjedhjeve. "Në këtë gjendje që është situata në Shqipëri, më e përshtatshme do të ishte e diela e parë e shtatorit, që i bie data katër shtator", thotë i njëjti burim në PD. Për demokratët, është më e rëndësishme të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të pakundërshtueshme, sesa nxitimi që mund të sjellë gabime të patolerueshme.

Kundërshtimi

Sipas tyre, nuk është normale që zgjedhjet të zhvillohen në pikun e pushimeve. "Nuk është problemi vetëm tek elektorati i djathtë, nëse vjen në votime apo jo. Ky fenomen do të prek të gjitha partitë, që do të konkurrojnë në zgjedhje. Për shkak të pushimeve, të gjithë do të kenë rrjedhje votash, ndaj do të kemi një parlament dhe disa deputetë të papërfaqësuar denjësisht nga votat e elektoratit", thotë i njëjti burim. Megjithatë, Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se zgjedhjet e përgjithshme duhet të zhvillohen 30 deri në 60 ditë përpara mbarimit të mandatit të parlamentit. Demokratët, nga e tyre, janë të mendimit se është më mirë që për këtë çështje të bihet në konsensus, pasi do të rrezikohet kontestimi i votimeve nga forca të ndryshme politike. Sipas ekspertëve të opozitës, do ishte më mirë që të prekej mandati i parlamentit, sesa të shkohet sërish në votime që do të sjellin debate dhe rrjedhimisht do të cënojnë seriozisht integrimin e Shqipërisë në BE. "Nëse vullneti i të gjithëve dhe mendimi i përbashkët është që më mirë një palë zgjedhje të lira dhe të pakontestueshme sesa cënimi i mandatit të parlamentit, atëherë mund të zhvillohen votimet jashtë mandatit. Kjo do të ishte një zgjidhje më optimale sesa të bëjmë zgjedhje në qershor", thonë funksionarët e PD-së.

Argumenti

Veç problemeve nga PD është theksuar se në Shqipëri nuk janë ende kushtet e përshtatshme për t'i zhvilluar votimet në qershor. "Nuk janë gati as listat dhe as ndarja zonale. Si pasojë është e garantuar që zgjedhjet do të kenë probleme. Atëherë çfarë do të bëjmë? Do të futemi në zgjedhje për tre-katër muaj, apo do të vazhdojmë të bëjmë sherre e debate dhe katër vjet të tjera?", thotë i njëjti burim. Sipas demokratëve, këto zgjedhje janë më të rëndësishme për vendin, sesa data e mbarimit të mandatit të parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›