E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD anëtare me të drejta të plota në IDU

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në Paris, në takimin e liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), i cili po zhvillon punimet në datat 25-26 qershor. Në seancën e djeshme, anëtarët e IDU-së votuan me unanimitet të plotë për pranimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në këtë Union. Kryeministri Berisha në fjalën e tij falënderoi anëtarët e IDU-së për besimin e dhënë dhe i siguroi ata për angazhimin e plotë të Partisë Demokratike në veprimtaritë dhe objektivat e këtij bashkimi. Pas fjalës së Berishës, kryetari i IDU-së, ish-kryeministri i Australisë, Xhon Hovard, e përgëzoi Kryeministrin për fjalimin frymëzues të tij dhe shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, si anëtare më të drejta të plota në IDU, duke e vlerësuar këtë një hap të madh në forcimin e bashkëpunimit reciprok. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga Kryetarja e Parlamentit, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, si dhe nga zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani. Kryeministri Berisha zhvilloi takime me zotin Pier Ferdinando Kazini, kryetar i CDI-së (Centrist Democrat International) dhe ish- kryetar i Parlamentit italian, me zotin Antonio Lopez, Sekretar i Përgjithshëm i Partive Popullore Europiane (EPP), etj.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›