Vëllezërit Sufja kundërshtojnë përgjimet e akuzës
22/12/2004 TIRANË – Kanë kundërshtuar tërësisht përgjimet ambientale të realizuara nga ana e policisë, menjëherë pas arrestimit. Ndonëse kanë dëgjuar me vëmendjen më të madhe inçizimin me zë të bisedave të tyre në dhomat e komisariatit të policisë, në momentin e arrestimit, të pandehurit Sufja, akuzuar për trafik ndërkombëtarë droge, i janë hedhur kundër. Ali dhe Shkëlqim Sufja, që ndodhen në bankën e të akuzuarve, janë shprehur se zërat që dëgjoheshin në sallë nuk i përkisnin atyre. "Këta nuk janë zërat tanë. Prokuroria ka montuar përgjime të ndryshme dhe i servir kundra nesh". Kështu janë shprehur të pandehurit dje në sallën e gjyqit. Sipas akuzës, të pandehurit që janë tre vëllezër, janë përgjuar edhe në bisedat e tyre telefonike. Tre vëllezër nga Lezha janë objekt i gjykimit të filluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e gjyqtarit Sandër Simoni. Ndërkohë që përgjimi është bërë midis të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit, disa prej të cilëve të arrestuar në Itali dhe të tjerë të paidentifikuar. Prokurori Ardian Braho, tha dje se përgjimet telefonike janë kryer nga autoritetet italiane dhe në to nuk është kryer asnjë ndërhyrje. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë të mundur vetëm përkthimin e materialeve, sipas prokurorit, që, tashmë ka marrë çështjen në dorë. Dy prej të pandehurve janë në sallë, njëri prej të cilëve në gjendje të lirë, ndërsa i treti ndodhet në Itali. Njëri nga vëllezërit, pikërisht Ali Sufja, është cilësuar si koka e trafikut të kokainës, Holandë–Itali. Bëhet fjalë për tre vëllezër nga Lezha, Shkëlqim, Luan dhe Ali Sufja. Njëri prej vëllezërve, Luani, është në burgjet italiane. Gjykata në seancën e djeshme u shpreh në lidhje me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurimit, bërë nga avokati Gjergji Rudi, për të pandehurin Shkëlqim Sufja. Pasi dëgjoi përgjimet me vëmendje, gjykata vendosi të mos ndryshojë masën e sigurimit me burg pa afat të të pandehurit Shkëlqim Sufja. Sipas akuzës, nga prokurori Ardian Braho, tre vëllezërit akuzohen për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe krijimit të organizatës kriminale me qëllim trafikimi. Vepra është kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Tre vëllezërit bëjnë pjesë në një rrjet të gjerë trafikantësh. Kryesisht droga trafikohej nga Holanda në Itali. Zonat, të cilat janë vënë në vëzhgim dhe ku janë kapur personat e grupit janë Pulja, Toskana, Lombardia, Piemonte. Në krye të grupit, sipas autoriteteve italiane, ishte vënë Ali Sufja. Ndërsa, ata u vunë në pranga në fillim të dhjetorit 2001. Fillimisht, policia italiane vuri në pranga të fejuarën e Shkëlqim Sufjes, Stefania Rubi, pasi e kapi me 1.1 kg heroinë të pastër. Ajo ka deklaruar se drogën ia ka blerë Sokol Meidanit. Pjesëtarët e tjerë të grupit janë Sandër Marku, Arjan Hyseni, Andrea Rikardi, Boldi Ulianov Galipaj. Të gjithë ndodhen të arrestuar në Itali. Prokurori tha dje se, hetimet janë kryer në Itali dhe prej andej kanë ardhur 14 fashikuj. Në vendin tonë nuk është kryer asnjë hetim, pasi veprimtaria e tyre ka qenë kryesisht Holandë-Itali.
Alma Çuka
Alma Çuka