E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: “Protesta rinore për heqjen e taksës së votës”



Kryetari i Partisë G99, Erion Veliaj, ka shpallur nismën e G99-s për mobilizimin e të rinjve në qytetet universitare për të protestuar kundër taksës së votës, të vendosur nga qeveria. Veliaj tha se ndryshe nga vendet e tjera të botës, ku votimet janë falas, në Shqipëri e drejta e votës kushton 1200 lekë. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se po bën pazar me të drejtën e votës së shqiptarëve. “Ajo që ndodh sot është një pazar i paprincipë, një lojë kungulleshkash ku kryeministri negocion me qytetarët në bazë të ngjyrës së lëkurës, në bazë të moshës, në bazë të vendbanimit dhe kjo tregti, ky pazar banal me të drejtën e votës është i pamoralshëm. Ajo që po kërkojmë sot qartazi është të hiqet taksa e votës, si për ata që janë më ngjyrë dhe për ata pa ngjyrë, si për ata që jetojnë në mal dhe për ata që jetojnë në bregdet, si për ata që janë 18 dhe 80 vjeç, për ata që jetojnë në fshat dhe në qytet. Duke filluar që nga java tjetër, G99-a do të ketë një tur në të gjithë qytetet universitare për të mobilizuar të rinjtë që të protestojnë kundër taksës së votss”, - tha Veliaj.

Blushi në Korçë: “Askush nuk do të guxojë të prekë votat e shqiptarëve”

Anëtari i Kryesisë së PS-së, deputeti Ben Blushi, ka zhvilluar një takim me banorë të Lagjes Nr. 6 në qytetin e Korçës, me të cilët ka prezantuar pjesë nga programi qeverisës. Blushi tha se punësimi është një nga pikat themelore të këtij programi.
“Në qoftë se ka një çështje të madhe që programi i Partisë Socialiste do ta marrë seriozisht, nga dita e parë kur vjen në pushtet, është punësimi i njerëzve. Në këtë lagje, në 2005-n është zgjedhur deputet ministri i Financave të Shqipërisë, i cili është deputeti i juaj. Dhe ministri i Financave është deputet në zonën më të varfër të Shqipërisë. Ministri i Financave, që del çdo ditë në televizion e krekoset gjoja për arritjet e qeverisë, ka marrë vota në zonën më të varfër”, - tha deputeti socialist. Blushi nga Korça tha se askush nuk do të guxojë të prekë votën e shqiptarëve më 28 qershor, pasi shqiptarët do të votojnë kundër varfërisë, papunësisë dhe mungesë së shpresës. “Qeverinë e Shqipërisë do ta ndryshojmë me votat tona të lira, të ndershme dhe që askush nuk do të guxojë t’i prekë më 28 qershor. Më 28 qershor do të shkojmë për të votuar për veten tonë, do të shkojmë të votojmë kundër varfërisë, papunësisë, mjerimit, mizerjes, kundër gjithçkaje që sot na mungon”.

18 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›