E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj mollë sherri në PS

25/03/2009  Prezantimi i kandidatëve për deputetë të selisë rozë, nisin konfliktet e para në parti

Kreu i “G-99” ndërhyn në strukturat socialiste, revoltohet deputeti Erion Braçe

Ndërhyrja e kreut të “G-99” Erin Veliaj në zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste ka krijuar mjaft pakënaqësi në radhët e kësaj partie. Konkretisht, prezantimi i kandidatit për deputet të PS-së Fidel Ylli në qarkun e Beratit nga Veliaj ka sjellë jo vetëm revoltën e kujdestarit socialist për këtë qark Erion Braçe, por është bërë shkak për një debat mes këtij të fundit dhe kreut të selisë rozë Edi Rama. Burime pranë Partisë Socialiste bënë me dije se debati mes Ramës dhe Braçes ka pasur në qendër të tij pikërisht këtë prezantim. Sipas deputetit socialist, nëse do të kishte një prezantim zyrtar të kandidatit për deputet në këtë qark, do të duhej ta bënte vetë ai si kujdestar i këtij qarku. Për më tepër, kreu i “G-99” nuk është mjaftuar vetëm me zbardhjen e emrit të kandidatit për deputet, por këtë gjë e ka bërë në një takim me strukturat socialiste të këtij rrethi. Ndërkohë statusi i tij është kryetar i “G-99” dhe jo përfaqësues apo drejtues i Partisë Socialiste, të cilën Fidel Ylli do ta përfaqësojë në garën e afërt elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë një vizite në qytetin e Kuçovës kreu i partisë më të re politike në vend, “G-99”, Erion Veliaj bëri me dije se do të jetë pjesë e koalicionit të majtë për zgjedhjet e qershorit. Për më tepër, Veliaj jo vetëm që zgjodhi qytetin e Kuçovës për të festuar ditën e verës, por vendimin e partisë që ai drejton e deklaroi përpara drejtuesve të strukturave së PS-së në këtë qytet. Njëkohësisht në takimin e organizuar nga strukturat e PS-së së rrethit u bë dhe prezantimi i Fidel Yllit si kandidati i parë për deputet në këtë qark i mbështetur nga PS-ja. Gjithashtu në fjalën e mbajtur në takim kandidati Ylli kërkoi votat jo vetëm nga të majtët, por edhe nga të djathtët, duke u shprehur se tashmë ka ardhur koha e bashkimeve të mëdha mbi partitë politike për të ardhmen e vendit. “Unë jam sot këtu për të deklaruar se jam një nga kandidatët e majtë për zgjedhjet e qershorit në Qarkun e Beratit, pasi dhe origjina ime i përket këtij qarku. Me mbështetjen e miqve të mi unë pranova të kandidoj, pasi shoh se vendi i prejardhjes sime është lënë krejt pas dore, duke u parë si bastion i së majtës”, - pati deklaruar në fjalën e tij Fidel Ylli. Nga ana e tij kreu i “G-99” Veliaj qe shprehur gjatë fjalës së tij se “simbolika e festës së verës mund të quhet më së miri simbolika e ndryshimit, që duhet të vijë me votë më datën 28 qershor”. Gjithashtu ai bëri thirrje për bashkim, pasi, sipas tij, vetëm të bashkuar do të mund të vijë largimi nga pushteti i politikë së vjetër.

Veliaj në Kuçovë prezantoi kandidatin për deputet të PS-së

Kreu i “G-99” Erin Veliaj prezantoi në qytetin e Kuçovës kandidatin për deputet Fidel Ylli, i cili do të përfaqësojë Partinë Socialiste në garën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në qarkun e Beratit. Një prezantim i tillë u bë më 14 mars, Ditën e Verës, gjatë një takimi të zhvilluar me drejtues të Partisë Socialiste në këtë rreth. Veliaj krahas zbardhjes së vendimit të partisë që ai drejton për një koalicion parazgjedhor me PS-në në takimin e organizuar nga strukturat e PS-së së rrethit bëri dhe prezantimin i Fidel Yllit, si kandidati i parë për deputet në këtë qark i mbështetur nga selia rozë. Por kjo solli jo pak pakënaqësi brenda radhëve të socialistëve. I pari që reagoi, por jo publikisht, ishte deputeti Erion Braçe, i cili është dhe kujdestari i partisë për këtë qark. Revoltën e tij Braçe nuk ka hezituar që t’ia shfryjë vetë kreut socialist Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›